SARANDË/ Poeti i ri Bledi Budo sjell vëllimin poetik “Stinët e detit”

    588
    Sigal

    Bledi Budo një djalosh, që çdo ditë pas lodhjes së përditshme të punës së kamerierit, mbrëmjeve vonë, zbraz shpirtin e ngarkuar me frymëzim dhe ndjeshmëri. Dhe vargjet vijnë në letër si margaritarë verbues e tingëllues. Kamerieri-poet di të derdh në vargje shkrirjen e vlerave të jetës që kontakti i përditshmërisë me klientët dhe fenomenet sjell tek muza e tij. Janë 125 poezi në 225 faqe të librit të tij të ndara në katër cikle, ose katër rryma siç thotë vet poeti. Në vargjet e tij, përveç mendimeve dhe ndjenjave, përveç ndërtimit kompozicional, gjëja që spikat në frymëzimin që përshkon vargjet është edhe orkestrimi i tyre që përcaktohet nga lloji i frymëzimit të zgjedhur, por që shfaqet si qëndrim i caktuar i autorit ndaj temës së zgjedhur, ndaj lëndës jetësore. “Telegraf”, zhvilloi këtë bisedë me poetin e ri, Bledi Budo.

    -Kemi në duar një vëllim voluminoz, por edhe cilësor tuajin, të botuar ditët e fundit. Kur ke filluar të shkruash dhe sa kohë tu desh për përgatitjen e botimit të vëllimit tuaj të parë “Stinët e detit”?

    Përshëndetje dhe faleminderit, kjo edhe se kam parë në suplementin e gazetës suaj një inkurajim që i bëni talenteve të reja me botimin e krijimtarisë së tyre. Kam filluar të shkruaj para 10 vitesh, akoma në një moshë adoleshente, por që brenda sajë kjo moshë seç ka një poetikë, një shpërthim, një vrull, por edhe një vetëpërmbajtje përsa i përket krijimtarisë dhe kjo ndoshta se kjo moshë nuk mbështetet sa duhet nga kritika, për mos të thënë fare kjo nuk ekziston në këtë tranzicion, por falë mësuesve të letërsisë për ndihmën që japin në këtë drejtim. Për botimin e këtij vëllimi mu desh një punë krijuese dhe përzgjedhëse afro pesë vjeçare. Shkruaj, shkruaj, vendos e hiq derisa më në fund vendosa ta çoj në shtyp, ku gjeta një mbështetje me të vërtetë optimiste nga redaktorja Erina Pavle Çoku.

    -Ju punoni kamerier, natyrisht një punë e nderuar si ç’do lloj pune, si vendosët të shkruani poezi?

    Për hir të së vërtetës po them që nuk e vendosa, por duke ndenjur më vjen frymëzimi dhe shkruaj pa marrë vendim, shkruaj ndjeshëm.

    -Si u ndjeve kur krijimtaria juaj tanimë është e botuar në një vëllim dhe lexuesi tanimë e ka në duar?

    U ndjeva i realizuar dhe tani kam më shumë frymëzim, më shumë detyrime ndaj lexuesit. Kjo sepse shpërthimi i ndjenjave lirike bën që të lindin tek lexuesi emocione të ngjashme me ato që ke dashur të shprehësh, apo sugjerosh që të provohen, duke shprehur hapur simpatinë, apo antipatinë vetjake… E lodhshme dhe e mundimshme, e vuajtshme deri në sakrificë,por e bukur deri në zenit… kjo është krijimtaria kur ke përgjegjësi ndaj lexuesit dhe kohës.

    -Keni marrë urime për librin? Dhe diçka mbi ndërtimin dhe kompozicionin?

    Po, shumë urime kam marrë nga miqtë dhe shokët. Libri ndahet në katër cikle ose rryma mund t’i quaj, ka filozofi, dashuri, përjetime dhe më shumë ka edhe Sarandën, por në të gjitha, lirizmi përçon tronditjet e çdo lloji, të mëdha e të vogla që na vijnë nga gjithësia, transmeton çdo lëkundje apo tallazitje të botës shpirtërore, në formë gëzimi apo vuajtjeje. / Agron MEMA