Rruga “Don Gjon Buzuku” në Korçë përfundoi në shpellë

    548
    KORÇË- Në rrugën “Don Gjon Buzuku”, lagjja nr 5, në qytetin e Korçës, Bashkia e këtij qyteti prishi 22 shtëpi, nën pretendimin se do të sillte ndryshime rrënjësore, të cilat do ta bënin lagjen në fjalë më të bukur, më tërheqëse, më bashkëkohore e më të preferuar, jo vetëm për vendasit, por edhe për vizitorët e turistët që vijnë të shohin Korçën; pra nga sa u trumbetua, (dhe jo pak), u krijua ideja se transformimi do të ishte i madh, ku gjithçka do të ishte në funksion të banorëve të lagjes, veçanërisht të fëmijëve dhe pleqve, të cilët deri atë ditë nuk kishin patur ndonjë shesh për të qenë. Mirëpo tashmë kur projekti i Bashkisë është në përfundim e sipër dhe nga dita në ditë pritet të bëhet inaugurimi, po shihet gjithnjë edhe më qartë se zona ku u prishën 22 banesa po shndërrohet në një shpellë të madhe, ku nuk mund të flitet më as për bukuri, as për funksionalitet, as për argëtim të fëmijëve, as për çlodhje të pleqve dhe as për ndonjë mundësi soditjeje të veçantë, ndërsa nuk bëhet fjalë kurrsesi që hapësira e krijuar të jetë e pëlqyer për të rinjtë. Gjithçka i ngjason një shpelle ku vetëm për bukuri dhe estetikë nuk mund të flitet. Sigurisht, drejtuesit e Bashkisë nuk do të jenë dakord me këtë mendim, por ne do t’i trajtojmë një nga një aksesorët e këtij sheshi, ku në përfundim të këtij shkrimi shumëkush do të bindet se kemi të bëjmë me një shpellë të shëmtuar dhe asgjë më shumë se kaq
    Shpellat e “Don Gjon Buzukut”
    Me prishjen e 22 shtëpive në lagjen më të vjetër të Korçës dhe veçanërisht me shembjen e banesës disakatëshe të shqiptaro-amerikanit Petrit Xhelollari, u krijua një hapësirë e madhe dhe e pakuptimtë. Nëse do të lihej ashtu, hapësira do të mbetej e vdekur. Për këtë arsye gjithkush dëshironte të dinte çfarë do të bëhej me këtë boshllëk të krijuar e të panevojshëm, duke shpresuar se do të gjendej një zgjidhje që sheshit t’i jepej jetë, por vetëm kjo gjë nuk ndodhi. Hapësira mbeti si një shpellë dhe e tillë ka për të qenë. Ajo do të mbetet gjithnjë jashtë funksionit. Sigurisht, edhe projektuesit e saj duket se e kanë patur të qartë këtë gjë, ndaj që shpella të mos dukej e stërmadhe dhe e frikshme si një fantazmë, menduan ngritjen e një muri me tulla xhami, i cili do ta ndante sheshin në dy pjesë. Vetëm kështu shpella e madhe do të shndërrohej në dy shpella më të vogla me qëllim për të fshehur apo minimizuar shëmtimin e madh, pasi korrigjimi i boshllëkut u bë i pamundur. Tashmë rruga e “Don Gjon Buzuku” ka dy shpella të vogla. Ndjesia që përjeton kur gjendesh aty është e pakëndshme.

    Kuajt e fëmijëve
    Absurditeti i këtij projekti shkon edhe më tej. Prapa murit me tulla xhami janë vendosur disa kuaj tepër të vegjël prej druri, që nuk ngrihen me shumë se disa pëllëmbë nga toka. Pretendohet që aty të luajnë fëmijë të vegjël të shoqëruar nga nënat e tyre. Por a mund të luajnë aty këta fëmijë, kur në anën tjetër të murit automjetet që do të do të kalojnë nuk do të kenë të reshtur, zhurmat nuk do të mungojnë për asnjë çast dhe pluhuri do të jetë i vazhdueshëm. A mundet të argëtohen fëmijët pranë një vendi të frikshëm e të rrezikuar nga mundësia e aksidenteve, qoftë edhe nga rrëzimi murit aksidentalisht. Por nëse për fëmijët u gjetën disa kuaj të vegjël druri, për nënat e tyre nuk është menduar se ku do të qëndrojnë, pasi nuk është vendosur asnjë stol. Ndoshta është llogaritur të ulen mbi mur! A nuk ju duket e gjitha kjo një paradoks? Nga sa shihet projektuesit nuk kanë patur si qëllim argëtimin e fëmijëve, por vendosjen diku në njërën anë të sheshit të disa sendeve me qëllim zvogëlimin e shëmtimit të shpellës; pra kuajt e vegjël prej druri janë si ato vazot e kristalta që vendosim për zbukurim në shtëpi dhe kujdesemi në çdo çast që fëmijët mos i prekin. Kjo është dhe ironia e kuajve për fëmijëve të vegjël të “Don Gjon Buzukut”.
    “Govatat” e luleve
    Edhe me vendosjen e kuajve prej druri, hapësira e shpellës nuk u zvogëlua. Pamja e pakëndshme vazhdonte të godiste vështrimin e qytetarëve. Atëherë, nuk ka asnjë dyshim që projektuesit e Bashkisë menduan edhe për diçka tjetër: një pjesë të sheshit ta zinin me mbjellje lulesh. Për këtë arsye, mbi sipërfaqen e sheshit, u krijuan disa “govata”, pasi vetëm kështu njëtrajtshmëria e sheshi do të pësonte thyerje dhe shpella mund të dukej më e vogël, por as “govatat” e luleve nuk e krijuan do këtë iluzion optik; zvogëlimin e sendeve. Sheshi mbeti po aq i shëmtuar sa ishte edhe në momentin kur u krijua nga rrënimi i 22 banesave. Për më shumë, govatat e luleve e rënduan edhe më tepër panoramën e shëmtuar të shpellës. Dhe sikur të mos mjaftonin të gjitha këto, pjesa tjetër e mbetur e sheshit, u shtrua me pllaka guri, që përveç lodhjes nuk të ofron asnjë ndjesi tjetër, kur fare mirë gjithë kjo pjesë mund të lihej e gjelbër e gjithçka do të ishte më ndryshe. Të gjitha këto tregojnë se sa e panevojshme ka qenë krijimi i një hapësire të tillë. Por mesa duket, krahas kullës, Korçës i duhej edhe një shpellë.
    Gjysmështëpia blu!
    Të gjitha këto që shkruam më sipër, edhe janë të kuptueshme pse ka ndodhur kështu, edhe s’janë, por gjysmë-shtëpia e lyer me blu është enigma më e madhe e këtij qyteti. Askush nuk e di domethënien e saj. Shtëpia, përveçse është e lyer blu, në një vend të dukshëm të saj është shënuar ½, që do të thotë “gjysmë”. Disa thonë se kjo shtëpi simbolizon Partinë Demokratike, që veçanërisht në Korçë, ka mbetur si një gjysmë që mezi qëndron në këmbë, ashtu siç ka të tjerë që thonë se PD-ja do të mbetet gjithnjë një gjysmë. Të tjerë sjellin një shpjegim tjetër: Partia Demokratike është një gjysmë se edhe Partia Socialiste është një gjysmë, (shkoi rrota e karrocës dhe i ndau në mes), të dyja bashkë bëjnë një parti të plotë. Por ka edhe nga ata që thonë se gjysmështëpia blu tregon ndërtesat që u ngritën në mënyrë të paligjshme dhe që u prishën nga qeveria e tanishme socialiste, por ngjyra blu çfarë lidhje ka me këtë simbolikë? A mund të ishte lyer kjo shtëpi me rozë apo mavi dhe pse nuk e ngjyrosën kështu? Mos vallë bluja tregon paligjshmëri? Thuhet që gjysmështëpia blu do të bëhet muze, por çfarë lloj muzeu ende nuk e dimë. Bashkia ende nuk ka dhënë ndonjë sqarim zyrtar mbi simbolikat që po krijon në qytetin e Korçës. Është herë e parë që po flitet me simbole. Ndoshta edhe krijimi i shpellës është një simbol. Megjithatë, gjysmështëpia blu ende vazhdon të vërë në lëvizje mendjet e qytetarëve të Korçës për të zgjidhur enigmën e lodhshme. Ndaj do të ishte mirë që drejtuesit e Bashkisë Korçë të jepnin një shpjegim mbi gjuhën mistike që po përdoret, me qëllim që të mos krijojnë keqkuptime.
    Sigal