Rritet mosha e përfitimit të pensionit suplementar dhe kontributi me 1 %

    479
    Sigal

    Shkon në Kuvend projektligji për pensionet suplementare. Kushtet e përfitimit të pensionit suplementar sipas grupeve

    Qeveria ka paraqitur për shqyrtim në Kuvend projektligjin për pensionet suplementare të personave që kryejnë funksione kushtetuese dhe punonjësve të lartë të shtetit, bazuar në kontributet suplementare që paguhen nga këta persona. Ky projektligj parashikon disa rregullime që dispozitat e tij t’u përgjigjen më mirë problemeve të dala gjatë zbatimit të ligjit në praktikë. Sipas këtij projektligji, mbrojtja me sigurim suplementar për personat që kanë kryer ose kryejnë funksione kushtetuese si edhe për punonjësit e lartë të shtetit përfitohet vetëm kur janë paguar kontribute në skemën e sigurimit suplementar, sipas masës dhe procedurave të përcaktuara me ligj dhe vendime të Këshillit të Ministrave. Në relacionin e qeverisë për këtë projektligj parashtrohet se në listën e atyre që përfitojnë pension suplementar janë bërë shtesa e pakësime. Projektligji parashikon shtrirjen e sigurimeve suplementare për punonjësit e tjerë të institucioneve qendrore dhe të organeve të pushtetit vendor, nëpërmjet krijimit të skemave suplementare, të cilat nuk janë zhvilluar deri më sot. “Në dispozitat që paraqiten për shqyrtim përcaktohet reduktim i shpenzimeve, nëpërmjet rritjes së moshës së përfitimit dhe rritjes të të ardhurave të skemës, nëpërmjet rritjes së normës së kontributit. Gjithashtu, parashikohet një harmonizim më i mirë dhe i njehsuar i të drejtave nga sigurimi suplementar i të gjithë funksionarëve pavarësisht nga institucioni ku kryhet funksioni apo detyra, nëse këto institucione janë në të njëjtin rang sipas organizimit shtetëror”, thuhet në relacionin e qeverisë.

     Projektligji

    Funksionet që shtohen për të përfituar pension suplementar

    Kështu në projektligjin e ri janë shtuar titullarët e funksioneve kushtetuese: Komisioneri për Mbrojtjen e të Dhënave Personale”, “Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi” dhe “Zëvendëskryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë”.

     Rritet norma e kontributit me 1 % dhe mosha me 5 vjet për përfituesit

    Në funksion të uljes së subvencioneve buxhetore për financimin e përfitimeve suplementare në nenin 2, të këtij projektligji, është parashikuar rritje me 1% e normës së kontributit suplementar që zbatohet bazuar në pagën referuese sipas funksioneve. Norma e kontributit do të jetë e diferencuar sipas grupeve të përfituesve: 5 për qind e shumës bruto të listëpagesave për personat e grupit të parë; 4 për dhe 3 për qind për personat e grupit të dytë. Gjithashtu, nisur nga fakti se tashmë mosha e përfitimit të pensionit nga skema e sigurimit të detyrueshëm është rritur, në nenin 8, të këtij projektligji, është parashikuar një rritje të menjëhershme me 5 vjet, e moshës së përfitimit të pensionit suplementar.

     Kushtet e përfitimit të grupit të parë:

    1. Të kenë mbushur moshën 60 vjeç, ose para kësaj moshe, kur deklarohet invalid i plotë, sipas ligjit për sigurimet shoqërore të detyrueshme. Duke filluar nga data 1.1.2032, mosha e përfitimit rritet me nga 6 muaj për çdo vit, deri në arritjen e moshës 63 vjeç.

    2. Të kenë periudha të njohura shërbimi në një nga funksionet e përcaktuara në shkronjat “a” dhe “b”, të pikës 8, të nenit 1.

    3. Të ketë ndërprerë veprimtarinë ekonomike”.

    Masa e pensionit

    Masa e pensionit shtetëror suplementar është:

    a) Për Presidentin e Republikës, Kryetarin e Kuvendit dhe Kryeministrin, 25 për qind e pagës referuese, edhe nëse periudha e shërbimit është më e vogël se dy vjet, dhe 5 për qind më shumë për çdo vit shërbimi mbi dy vjet.

    b) Për grupin e parë, përcaktuar në shkronjën “a”, të pikës 8, të nenit 1, përjashtuar personat e përmendur në shkronjën “a”, të këtij neni, 25 për qind e pagës referuese për 2 vjet shërbim dhe 5 për qind më shumë për çdo vit shërbim mbi këto 2 vjet. Kur këta persona nuk plotësojnë periudhën e shërbimit prej dy vjetësh, përfitojnë pension suplementar të reduktuar në masën 1 për qind të pagës referuese për çdo muaj shërbimi.

    c) Për grupin e parë, përcaktuar në shkronjën “b”, të pikës 8, të nenit 1, 20 për qind e pagës referuese për 2 vjet shërbim dhe 5 për qind më shumë për çdo vit shërbim mbi këta 2 vjet. Kur këta persona nuk plotësojnë periudhën e shërbimit prej dy vjetësh, përfitojnë pension suplementar të reduktuar, në masën 0.8 për qind të pagës referuese për çdo muaj shërbimi.

    Masa e pensionit nuk duhet të jetë më e madhe se:

    a) 60 për qind e pagës referuese për personat e grupit të parë, përcaktuar në shkronjën “a”, të nenit 1;

    b) 50 për qind e pagës referuese për personat e grupit të parë, përcaktuar në shkronjën “b”, të nenit 1.

    Masa e pensionit shtetëror suplementar, plus pensionin e përfituar nga ligji nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën Shqipërisë”, nuk mund të jetë më e madhe se 75 për qind e pagës referuese mesatare të funksioneve.

     Kushtet e përfitimit për grupin e dytë:

    a) Të kenë kryer 35 vite shërbimi në detyrat ose funksionet e parashikuara nga ky ligj; ose

    b) Të kenë arritur moshën për pension pleqërie, sipas ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar; ose

    c) Para kësaj moshe, kur deklarohet invalid i plotë, sipas ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.

    Personat, të cilët plotësojnë njërin nga kushtet e sipërpërmendura, duhet të kenë ndërprerë veprimtarinë ekonomike.

    Masa e pensionit

    a) Për personelin drejtues të grupit të dytë, sipas shkronjës “a”, të pikës 9, të nenit 1, të këtij ligji, 1.5 për qind në vit të pagës referuese, për çdo vit shërbimi;

    b) Për personelin drejtues të grupit të dytë, sipas shkronjave “b” dhe “c”, të pikës 9, të nenit 1, të këtij ligji,1.3 për qind në vit të pagës referuese, për çdo vit shërbimi;

    c) Për personelin specialist të grupit të dytë, sipas shkronjës “d”, të pikës 9, të nenit 1, të këtij ligji, 1.1 për qind në vit e pagës referuese, për çdo vit shërbimi.

    Pensioni shtetëror suplementar maksimal, sipas këtij neni, nuk duhet të jetë më i madh se 40 për qind e pagës referuese. Masa e pensionit shtetëror suplementar, plus pensionin e përfituar nga ligji nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën Shqipërisë”, nuk mund të jetë më e madhe se 75 për qind e pagës referuese të funksionit”.

     E drejta për përfitim

    E drejta për përfitim shtetëror suplementar nuk parashkruhet. Personit, që kërkon përfitim shtetëror suplementar brenda një viti nga data që i ka lindur e drejta, i jepet ky përfitim që nga kjo datë. Në raste të tjera, përfitimi do të paguhet nga data e regjistrimit të kërkesës.

    Përfitimet e njohura nga ky ligj, por të patërhequra, do të paguhen në çdo kohë, por jo më shumë se tre vjet. Përfitimet e caktuara, por të paguara më pak, jepen në çdo kohë, por jo më shumë se për tre vjet. E drejta për të kërkuar shumat e marra tepër gjatë një viti ushtrohet jo më vonë se tre vjet nga marrja e tyre, por jo më vonë se gjashtë muaj nga data e konstatimit dhe masa e ndalesës, për çdo muaj, është 20 për qind e këstit mujor të përfitimit.

     Të drejtat e fituara

    Pensionet shtetërore suplementare me datë fillimi deri më 31.12.2014, përfshi edhe këtë datë, caktohen sipas dispozitave ligjore që kanë qenë në fuqi deri në atë datë dhe nuk janë objekt ndryshimi apo rillogaritjeje, përveç indeksimit sipas përcaktimeve me vendim të Këshillit të Ministrave. Personat, që kanë fituar të drejtën për pension shtetëror suplementar në moshën 55 vjeç e lart, do të vazhdojnë të paguhen pavarësisht se nuk e kanë arritur moshën e përcaktuar në këtë ligj. Personat, që janë trajtuar me pension shtetëror suplementar dhe e kanë ndërprerë atë për arsye punësimi, kanë të drejtën e rikthimit në skemën e pensioneve suplementare edhe përpara moshës 60 vjeç.

    Ledjana Saliu