Rreziku nga muxhahidinët iranianë, të cilët po vijnë në Shqipëri dhe rreziku për Sigurinë Kombëtare

    510
    Kastriot MYFTARAJ
    Kryeministri Rama në konferencën për shtyp që dha të dielën në Tiranë bashkë me Sekretarin e Departamentit të Shtetit Kerry tha se në takimin e tyre nuk u fol fare për çështjen e strehimit të muxhahidinëve, për arsye se kjo “është një çështje që nuk ka qenë asnjëherë çështje debate mes nesh. Është një çështje që ka vijimësi nga e shkuara dhe ne vazhdojmë t’i qëndrojmë atij angazhimi”. Kuptimi i këtyre fjalëve është se, meqenëse paraardhësi i Ramës, Berisha, në 2013 pranoi kërkesën amerikane që në Shqipëri të strehoheshin 260 muxhahidinë iranianë, atëherë me këtë Shqipëria ka dhënë pëlqimin që në vend të strehohet edhe pjesa më e madhe e atyre që kanë mbetur në Irak, rreth 3000 vetë. Por me pranimin e 260 muxhahidinëve nga Berisha në 2013, Shqipëria, përpjesëtimisht me madhësinë e saj, e përmbushi, madje shumëfish me të tepërt, detyrimin që mund të kishte për strehimin e një pjese të muxhahidinëve iranianë që gjenden në Irak. Prandaj është absurde që tani përmbushja me të tepërt e detyrimit të konsiderohet si arsye për pranimin e një numri disafish më të madh të muxhahidinëve iranianë. Dhe bëhet fjalë për 1000 deri 2000 të tillë. Qeveria e Shqipërisë, si në 2013, ashtu dhe tani po ua fsheh shqiptarëve të vërtetën e këtyre njerëzve, duke i quajtur ata refugjatë lufte. Në fakt ata nuk janë aspak të tillë. Ata e quajnë veten “muxhahidinë” (fjala ka kuptimin “luftëtar i Xhihadit”- luftës së shenjtë islamike), dhe janë ndër ekstremistët islamikë më të rrezikshëm të botës. Këta, që nga i pari deri te i fundit, burra, gra, fëmijë janë xhihadistë. Ata i përkasin një organizate politiko-ushtarako-religjioze të quajtur “Mojahedin-e-Khalq”(MEK) (Muxhahidinët e Popullit të Iranit). Kjo është në origjinë të saj një organizatë ilegale e krijuar në Iran, në 1965, pra në kohën e Shahut, nga myslimanë suni, që përbëjnë një minorancë fetare në këtë vend me shumicë shiite ku sunitët janë shtypur gjithmonë. 

    Ndonëse MEK kërkonte të shtirej në Perëndim si një organizatë përparimtare, ky pretendim bëhet e dyshimtë për shkak se MEK u krijua pikërisht në një periudhë reformash modernizuese, sipas modelit perëndimor, me theks laik të ndërmarra nga Shahu në Iran. Me ardhjen në fuqi në Iran të ajatollahëve shitë që krijuan republikën islamikë, njerëzit e MEK u përndoqën edhe më ashpër dhe shumë prej tyre emigruan në Irak, ku u mirëpritën nga Sadam Huseini, për shkak të nisjes së Luftës Irak-Iran. Që nga ajo kohë, moxhahidinët iranianë kanë jetuar në Irak si një komunitet religjioz-ushtarak, me privilegje të posaçme. Ata kanë jetuar në një kamp ushtarak, duke pasur të drejtë të mbajnë shumë lloje armësh, të ushtrohen me to. Jo vetëm burrat por edhe gratë dhe fëmijët. Pas ardhjes së amerikanëve në Irak, në 2003, moxhahidinët iranianë të strehuar në Irak vazhduan të kenë një status të privilegjuar për shkak të armiqësisë mes SHBA dhe Iranit, si dhe për shkak se Irani ndërhynte në Irak për të nxitur luftën ndaj amerikanëve. Duke u paraqitur si një lëvizje disidente kundër regjimit teokratik të Iranit, MEK krijoi qendrat e veta në Europën Perëndimore dhe më gjerë. Duke qenë se në atë kohë Sadam Hussein ishte në marrëdhënie të mira me Perëndimin, ai nuk e pengoi këtë hapje të MEK në Perëndim, madje e nxiti, me qëllim që t’i përdorte muxhahidinët iranianë për të kryer trafiqe kriminale, nga të cilët Sadami do të nxirrte përfitime financiare, njëherësh duke hequr përgjegjësinë nga vetja. Kështu, MEK, me anë të një rrjeti grupimesh të krijuar prej saj nisi të kryejë trafikun e narkotikëve, armëve, qenieve njerëzore, gurëve të çmuar etj. Por meqenëse MEK cilësohej si një organizatë terroriste nga Irani në territorin e të cilit kryente aksione të armatosura, Perëndimi i mbylli sytë para kësaj ane të veprimtarisë së MEK. Pas rrëzimit të Sadam Husseinit dhe vendosjes së amerikanëve në Irak, për MEK u krijuan mundësi të reja për të zgjeruar veprimtarinë e tyre fitimprurëse kriminale, për shkak se me kaosin që sundonte tashmë në vend, vështirë se dikush do të kishte si prioritet muxhahidinët iranianë. 

    Gjithsesi muxhahidinët iranianë kanë krijuar gjithmonë probleme për qeverinë irakiane të kohës pas Sadam Huseinit, dhe një ditë konflikti do të shpërthente hapur. Kur SHBA shpallën se do të tërhiqeshin ushtarakisht nga Iraku, qeveria e këtij vendi iu kërkoi amerikanëve që të largonin nga vendi muxhahidinët iranianë për shkak se ata janë shumë të dhunshëm dhe të prirur për të shkaktuar trazira e për t’u marrë me trafiqe kriminale. Të mësuar me privilegje, muxhahidinët iranianë refuzuan që kampi i tyre, që në fakt është një qytet i vogël, të vihet nën kontrollin e Policisë Irakiane dhe sulmuan postat policore të ngritura atje duke vrarë policët irakianë. Që nga viti 2009, disa herë Policia dhe Ushtria Irakiane kanë sulmuar kampin “Ashraf” ku jetojnë këta muxhahidinë iranianë dhe në këto beteja janë vrarë mbi 100 muxhahidinë. Në vitin 2013 Ushtria Irakiane ndërmori një sulm të përgjithshëm ndaj kampit të muxhahidinëve iraniane, me ç’ rast u vranë rreth 70 prej tyre. Qeveria irakiane, i ka kërkuar prerë SHBA që t’i largojë këta njerëz nga territori irakian ndryshe do t’i asgjësojë si terroristë. Qeveria amerikane ka menduar ta zgjidhë problemin duke i shpërndarë në Europë xhihadistët iranianë, me ç’ rast Shqipërisë i kërkohet të pranojë numrin më të madh nga të gjithë vendet, njëmijë vetë. Është e pakuptueshme se përse një vendi të vogël si Shqipëria, me stabilitet të brishtë, dhe me një numër jo të vogël ekstremistësh islamikë nga pjesa e popullsisë që praktikon fenë islame, t’i kërkohet të pranojë një numër kaq të madh xhihadistësh. Dhe nuk duhet harruar se pranimi i këtyre xhihadistëve iranianë, është përveç angazhimit që ka marrë qeveria e Shqipërisë për të pranuar refugjatët sirianë të luftës, në një numër prej 75 mijë vetësh, me tre grupe nga 25 mijë vetë secili. 

    Nuk duhet të harrojmë mësimet nga historia jonë. Kur ndodhi rebelimi islamik i vitit 1914 në Shqipëri, i njohur si Kryengritja e Haxhi Qamilit, Forcën kryesore të rebelimit e përbënin refugjatët boshnjakë të luftës të ardhur në Shqipëri pas pushtimit të Bosnjë-Hercegovinës nga Austro-Hungaria në 1878. Ata që luftuan kundër Ushtrisë Austro-Hungareze, u larguan dhe u vendosën nga autoritetet osmane më së shumti në territorin e Shqipërisë së sotme dhe të Kosovës së sotme. Në 1914 këta përbënë bërthamën e Ushtrisë Islamike të Haxhi Qamilit në Shqipëri. Në atë kohë në Shqipërinë e Mesme kishte rreth 30 mijë boshnjakë. Këta ishin të gjithë fanatikë të tërbuar islamikë, militantë të gatshëm për Xhihad në çdo moment. Ishte një fat i madh për Shqipërinë që pas ardhjes së Ushtrisë Austro-Hungareze në Shqipëri, në fillim të vitit 1916, me rastin e Luftës së Parë Botërore, pjesa më e madhe e boshnjakëve të Shqipërisë u larguan për në Turqi. Ndryshe Shqipëria do t’ua kishte parë gjithmonë sherrin këtyre boshnjakëve. Largimi i boshnjakëve është arsyeja kryesore që në Shqipëri nuk ndodhën më rebelime islamike pas vitit 1914. Kuptohet se në rastin e Shqipërisë ardhja e një numri kaq të madh njerëzish nga vendet islamike, krijon një problem shumë më të ndërlikuar në krahasim me vendet e tjera europiane. Për këtë shkak Bosnjë-Hercegovinës dhe Kosovës, dy vende që kanë popullsi të madhe myslimane, nuk iu kërkohet që të strehojnë refugjatë lufte nga Lindja e Mesme. Dhe Shqipërisë i kërkohet që të pranojë xhihadistë iranianë dhe refugjatë lufte sirianë, për shkak të detyrimit që kemi ndaj SHBA që çliroi Kosovën! Shumëkush mund të thotë se Shqipëria nuk është tërheqëse për këta refugjatë, pasi ata do të kërkojnë të shkojnë në vendet e pasura të Europës. 

    Sigurisht që ky është synimi i tyre, por Qeveria Shqiptare do të vihet nën presion të madh nga Bashkimi Europian që të kontrollojë veçanërisht rrugëkalimet detare tradicionale të trafikut të qenieve njerëzore, me Italinë. Tashmë Bashkimi Europian e di se ka një precedent të Qeverisë “Berisha”, që ndaloi trafikun e qenieve njerëzore në Adriatik, me anë të atij që u quajt moratoriumi për skafet, mjetet motorike detare që përdornin trafikantët e qenieve njerëzore. Kështu që do t’i kërkojë qeverisë së sotme të zbatojë të njëjtën gjë. Kur i kërkohet Shqipërisë që të pranojë 1000-2000 xhihadistë iranianë (numri ende nuk është përcaktuar saktë), pasi tashmë ka pranuar 260 të tillë, kjo, në përpjesëtim me popullsinë, është njëjtë si SHBA të pranojë rreth 140-280 mijë xhihadistë. Kur i kërkohet Shqipërisë të pranojë 75 mijë refugjatë lufte sirianë, kjo është njëjtë si SHBA të pranojë 16 milion refugjatë lufte myslimanë. Kuptohet se asnjë President amerikan nuk do të guxonte ta bënte këtë gjë, sepse kaq shumë myslimanë nga Lindja e Mesme të ardhur në SHBA do të destabilizonin edhe këtë vend të fuqishëm dhe solid. Një qeveri e përgjegjshme do t’ua vinte në dukje aleatëve amerikanë këto përfundime që dalin me logjikën e përpjesëtueshmërisë. Çka nuk pritet ta bëjë as qeveria dhe as opozita. Moxhahidinët iranianë që do të vijnë në Shqipëri janë ekspertë për të nxitur lëvizje guerrilje islamike. Ata nuk do ta kenë aspak të vështirë që të krijojnë lidhje me radikalët islamikë në Shqipëri, të cilët nuk janë të paktë. Muxhahidinët iranianë, radikalët islamikë në Shqipëri, si dhe refugjatët sirianë të luftës që do të vinë në Shqipëri, së bashku përbëjnë një forcë shumë serioze, që mund të organizojë një kryengritje të ngjashme me rebelimin islamik të vitit 1914, në vend. Meqenëse Shqipëria është një vend shumë i favorshëm për kultivimin masiv të bimëve narkotike, dhe gjendet afër tregjeve të mëdha europiane, ekziston joshja e madhe për të ndërmarrë një kryengritje të tillë që do t’u mundësonte rebelëve islamikë të merrnin nën kontroll një pjesë të madhe të vendit dhe ta përdornin atë për të siguruar fitime të mëdha të cilat do t’i përdornin për të krijuar një bazë fuqie në Ballkan. Ekzistenca në vendin tonë në të ardhmen e forcave të huaja, të afta për ta bërë këtë, në bashkëpunim me radikalët islamikë vendas kërkon që të bëhen parashikime për ndërlikimet që mund të sjellë prania e tyre në situatën e sigurisë në vend, me ç’ rast duhen rivlerësuar aftësitë e shtetit shqiptar për të përballuar sfidat e sigurisë që vijnë nga ana e radikalëve islamikë. Ky rivlerësim duhet bërë në këto linja:
    1) Forcat e sigurisë në Shqipërisë, dhe këtu përfshihen Policia e Shtetit, Ushtria, Garda e Republikës, SHISH, kanë një personel të llogaritur në raport me popullsinë e vendit. Në rastin e lëvizjeve guerrilje të organizuara dhe të furnizuara me luftëtarë nga ana e radikalëve, është llogaritur që personeli i përgjithshëm i forcave të sigurisë të ketë atë madhësi që të jetë superior ndaj një kundërshtari radhët e të cilit furnizohen kryesisht nga burimet e brendshme njerëzore. Sepse ashtu si forcat e sigurisë në çdo vend të botës, edhe ato shqiptare do të ishin në gjendje për të përballuar sfidën e një rebelimi të armatosur, nga ana e një grupi të fanatikëve gjakësorë, vetëm nëse, vetëm nëse kanë epërsi numerike ndaj kryengritësve. Historia ka treguar se ky është parakushti që një shtet të triumfojë ndaj një kryengritjeje. Sot personeli i përgjithshëm i forcave të sigurisë në Shqipëri, duke përfshirë Policinë e Shtetit, Gardën e Republikës, Ushtrinë, SHISH është rreth 22 mijë njerëz. Por, në rastin më të mirë, forcat e sigurisë në Shqipëri nuk kanë veçse 3000-4000 njerëz të aftë për të marrë pjesë në aksione luftarake. Natyrisht se shteti kur ballafaqohet me një kryengritje zbret në fushëbetejë me krejt forcat e tij, por vetë situata e krijuar bën seleksionimin e asaj çka është efektive dhe asaj çka nuk është e tillë. Forcat e sigurisë të Republikës së Shqipërisë nuk do të ishin në gjendje që të përballeshin me një kryengritje radhët e së cilës furnizohen masivisht me luftëtarë të huaj të përgatitur. Për të gjykuar mbi atë se ç’ forcë kundërshtare mund të përballojë kjo forcë aktive shtetërore, duhet të bëhet një analizë e burimeve njerëzore të një kryengritjeje islamike në Shqipëri.
    2) Ardhja në Shqipëri, nën kujdesin dhe mbrojtjen e shtetit e atyre që e quajnë veten muxhahidinë, çka është në kundërshtim me Kushtetutën e Shqipërisë, pasi ata nuk i njohin ligjet e vendit tonë, do të nxisë radikalizmin e myslimanëve praktikues në Shqipëri. Pavarësisht se në Shqipëri vetëm një pjesë e vogël e popullsisë që konsiderohet si myslimane është praktikuese e religjionit islam, çka do të thotë se vetëm një minorancë e popullsisë mund të quhet vërtet myslimane, nga kjo minorancë mund të dalë një bazë fuqie për një kryengritje islamike në vend. Në Shqipëri ka së paku 20-25 mijë ekstremistë islamikë në moshën 18-45 vjeç, meshkuj dhe femra, të cilët me pamjen e jashtme dhe mënyrën e jetesës që kanë zgjedhur, duke imituar arabët, vetëshpallen si muxhahidë, domethënë luftëtarë potencialë të Xhihadit. Në këtë rast nuk duhet bërë dallim mes meshkujve dhe femrave, se femrat e kanë provuar veten që të jenë muxhahide shumë të rrezikshme, posaçërisht si kamikazë. Përveç këtyre, në Shqipëri ka dhe një numër të madh ekstremistësh islamikë, të cilët ndonëse nuk parapëlqejnë të imitojnë arabët në pamjen e jashtme, megjithatë janë fanatikë të prirur për të qenë muxhahidë. Pjesa më e madhe e atyre që kanë shkuar vullnetarë në Siri nga Shqipëria, kanë qenë nga ky grup i dytë i myslimanëve praktikues, pra nga ata që nuk parapëlqejnë të imitojnë arabët në pamjen e tyre. Numri i ekstremistëve islamikë, të moshës 18-45 vjeç, që në pamje të jashtme janë njerëz “normale” është së paku sa dyfishi i të arabizuarve, pra shkon në 40-50 mijë persona. Ardhja zyrtarisht e muxhahidinëve në Shqipëri do të nxisë radikalizimin e tyre. Nga të dy grupimet mund të dalë lehtësisht një bërthamë prej së paku 10-15 mijë luftëtarë të Xhihadit. 
    3) Për shkak të pranisë në Shqipëri të muxhahidinëve iranianë, të cilët kanë lidhje të mira me organizatat terroriste islamike sunite, si dhe të pranisë refugjatëve sirianë të luftës, mes të cilëve mund të infiltrohen lehtësisht shumë operatorë terroristë, kryengritja islamike në Shqipëri do të furnizohet me vullnetarë nga vendet arabe nëpërmjet fluksit të emigracionit ilegal që dyndet në Europë nga vendet arabe. Një pjesë e madhe e tyre hynë në Shqipëri sot nga Greqia, qartësisht të ndihmuar nga autoritetet greke, të cilët duan që ta eksportojnë në vendin fqinj një pjesë të problemit që kanë me emigracionin ilegalë nga bota islame. Shteti shqiptar, përveçse që nuk duket se i ka kufijtë nën kontroll, ai nuk di të thotë as se sa prej këtyre emigrantëve ilegalë gjenden sot në Shqipëri. Por, nën kamuflimin e fluksit të emigracionit ilegal, në Shqipëri mund të hyjë një numër i madh i luftëtarëve me përvojë nga bota arabe, madje në një numër të përafërt me pjesën aktive për veprime luftarake të forcave të sigurisë në Shqipëri. Kështu që numri i kryengritëse islamikë në Shqipëri mund të arrijë shpejt në 40-50 mijë vetë.
    4) Në rastin e një kryengritjeje islamike, e cila do të marrë nën kontroll kultivimin dhe trafikun e drogës në një pjesë të madhe të territorit të vendit, kësaj lëvizjeje do t’ibashkohen shumë njerëz që nuk kanë bindje radikale islamike, por thjesht për të siguruar fitime. Ndër ta do të jenë një pjesë e madhe e atyre që janë kontigjent kriminal i kultivimit dhe trafikimit të narkotikëve etj.
    5) Një kryengritje islamike në Shqipëri do të tërheqë një numër të madh të vullnetarëve muxhahidë nga shqiptarët e Kosovës dhe ata të Maqedonisë, por edhe nga Bosnjë-Hercegovina dhe Sanxhaku. 
    6) Në çdo kryengritje, është e domosdoshme që kryengritësit të sigurojnë fillimisht një sasi të armëve, sa për të nisur veprimet luftarake. Pastaj në vazhdim të kryengritjes, numri i armëve në zotërim të tyre rritet me mënyra nga më të ndryshmet. Një kryengritje i tërheq trafikantët e armëve si mjalti mizat. Kryengritësve nuk do të mungojnë paratë për të blerë armë. Shtetet fqinje me Shqipërinë, Greqia, Maqedonia dhe Mali i Zi, nuk do të kenë interes që ta ndalojnë furnizimin me armë të kryengritësve në Shqipëri, se këto vende, pa harruar dhe Serbinë, kanë shumë se çfarë të fitojnë nga shpërbërja e shteti shqiptar. Por kryengritësit do të sigurojnë armë edhe duke sulmuar anëtarët e forcave shtetërore të sigurisë dhe duke iu rrëmbyer armët atyre. Në rastin e një kryengritjeje të tillë do të jenë veçanërisht efektivë sulmet me kamikazë ndaj depove të armëve të reparteve më të rëndësishme të forcave të sigurisë, si Gardës së Republikës, RENEA-s, forcave të ndërhyrjes së shpejtë, forcave komando të Ushtrisë.
    7) Forcat shtetërore të sigurisë në Shqipëri do të kenë në fillim të kryengritjes epërsi në armatime dhe në personel ushtarak të trajnuar, por kjo epërsi do të relativizohet shumë nga taktikat e përdorura nga kryengritësit islamikë. Kryengritja do të merret që në fillim nën kontroll nga të dërguarit e Shtetit Islamik, të cilët do të përcaktojnë strategjinë dhe taktikat e kryengritësve. Taktika më mbresëlënëse e Shtetit Islamik është prerja e kokave të kundërshtarëve, e shndërruar në operacion në marrëdhëniet publike, po aq sa në metodë operacionale luftarake. Dhe këtë taktikë kryengritësit do ta përdorin së pari ndaj pjesëtarëve të forcave të sigurisë shtetërore, policëve, ushtarëve, njerëzve të shërbimeve të fshehta, si dhe ndaj familjeve të tyre, duke i goditur veçanërisht në kohën që ata shkëputen për arsye të ndryshme, nga forcat operacionale, si për të vizituar familjet etj.
    8) Metodat e përdorura nga terroristët, si sulmet vetëvrasëse me kamikazë dhe kokëprerjet masive shkakton rënien morale të forcave të sigurisë shtetërore dhe eventualisht shpërbërjen e tyre. Në rastet e kryengritjeve të tilla ka një moral gap (hendek moral) mes forcave shtetërore të sigurisë dhe kryengritësve. Anëtarët e forcave shtetërore të sigurisë veprojnë të nxitur më shumë nga detyrimet profesionale, prandaj fuqia morale e tyre nuk është e madhe. Për këtë arsye kurajoja e tyre prej luftëtari ka prirjen të bjerë me rritjen e shkallës së rrezikut të cilit i ekspozohen, aq më tepër kur ballafaqohen me situata në të cilat metodat luftarake të cilat iu kanë mësuar atyre, sfidohen nga ana e kundërshtarit me të tjera metoda, ndaj të cilave ata janë të pafuqishëm. Kryengritësit, nga ana e tyre, veprojnë të motivuar vetëm nga morali, kështu që me rritjen e shkallës së rrezikut, në radhët e tyre ndodh procesi i evidentimit dhe konsolidimit të bërthamës më të guximshme dhe më aktive të tyre. 
    9) Kryengritja islamike në Shqipëri do të shkaktojë një ndërhyrje të armatosur të NATO-s në Shqipëri. Kjo për faktin se pas nisjes së kryengritjes, Qeveria e Shqipërisë, me t’u ndodhur në situatën kur do të duket qartë pamundësia e forcave shtetërore të sigurisë për të shtypur kryengritjen, do t’i bënte apel NATO-s që në bazë të nenit 5 të Traktatit të Aleancës, t’i vinte në ndihmë ushtarakisht Shqipërisë së gjendur përballë atij që Qeveria e Shqipërisë do ta quajë një agresion të Shtetit Islamik. Ndërhyrja e NATO-s, e cila në pamje të parë mund të duket si një frenues për një kryengritje islamike në Shqipëri, në fakt nuk është aspak e tillë. Kauza e islamikëve që do të organizojnë kryengritjen ka shumë se çfarë të përfitojë edhe nga një ndërhyrje ushtarake e NATO-s. Kjo do të krijonte përshtypjen globale se fuqia e Islamit është e tillë që një shtet islamik u krijua madje edhe brenda vetë rrethit të vendeve anëtare të NATO-s, pavarësisht se ai u asgjësua me një ndërhyrje ushtarake. Shqipëria do të dilte e humbur edhe në rastin kur një ndërhyrje ushtarake e NATO-s, do të shtypte kryengritjen islamike, se pas kësaj NATO do të detyrohej që të vendoste një forcë paqeruajtëse afatgjatë në Shqipëri, si dhe nën qeverisjen ndërkombëtare. Me këtë rast, ekzistenca e shtetit shqiptar do të shihej si një anomali në Europë dhe ekzistenca e tij në të ardhmen do të vihej në dyshim të madh. 
    10) Ndërhyrja ushtarake e NATO-s në një vend anëtar të aleancës, me qëllim të shtypjes së një kryengritjeje islamike, do të kishte si pasojë krijimin e mitit të Islamit martir shqiptar, të mbytur në gjak nga kryqata e NATO-s. E gjendur në këtë situatë NATO do të detyrohej që për të zhdukur përshtypjen e keqe të krijuar nga ndërhyrja e saj në Shqipëri, të ndërtonte në vend një sistem qeverisës të bazuar mbi përfaqësimin zyrtar të bashkësive fetare. Kjo do të sillte zhdukjen e laicizmit (shekullarizmit) në Shqipëri, faktorit kryesor për ekzistencën e shtetit shqiptar. Shtypja e kryengritjes nga një ndërhyrje ushtarake e NATO-s, si e vetmja mundësi që një kryengritje e tillë në Shqipëri të shtypet, do të kishte pasojën paradoksale që myslimanët praktikues në Shqipëri të fitonin atë qasje zyrtare që nuk e kanë në institucionet shtetërore, si dhe një status politik të cilin nuk e kanë deri më sot. Kështu, do të ligjërohej që femrat e mbuluara të frekuentonin shkollat publike, të punonin nëpër institucionet shtetërore, që të kishte në parlament deputetë të rrymave politike islamike etj. Shqipëria do të merrte pamjen e padëshiruar të një federate religjioze. Kjo do të bënte të përparonte procesi i shpërbërjes së shtetit shqiptar, i nisur me kryengritjen islamike. Gjendja e keqe ekonomike në Shqipëri, posaçërisht fakti që një pjesë e madhe e popullsisë jeton në varfëri të madhe, do të bëjë që ajo të joshet t’i bashkohet një lëvizjeje islamike që ofron fitime financiare për pjesëmarrësit e saj. E njëjta gjë ka ndodhur edhe në kohën e rebelimit islamik të vitit 1914.
    Sigal