Regjistrimi 15 ditë afat, duke filluar nga dje

    480
    Sigal

    Njoftimi/AKKP:Fillon regjistrimi i kërkesave të pronarëve për kompensimin në të holla për 2013

    Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave njofton fillimin e procesit të pranimit dhe të regjistrimit të kërkesave për kompensimin në të holla, nga fondi në të holla për vitin 2013, për subjektet e shpronësuara, prona e të cilëve është njohur për kompensim. Procesi i regjistrimit fillon “ditën e hënë më datë 05.08.2013 dhe do të zgjasë 15 (pesëmbëdhjetë) ditë kalendarike deri në datën 19.08.2013” thuhet në deklaratën për shtyp të AKKP-së. Ky proces krijon mundësinë e kompensimit financiar duke respektuar radhën kronologjike të vendimeve për kompensim. Kompensimi i pronës së llojit truall do të kryhet në bazë të çmimit të përcaktuar në hartën e vlerës së miratuar, sipas vendndodhjes së pronës që kompensohet.

    Njoftimi i plotë

    Në mbështetje të VKM nr.599, datë 17.07.2013 “Për përcaktimin e rregullave dhe të kritereve për shpërndarjen e fondit të kompensimit të pronarëve, në të holla, për vitin 2013” Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave (në vijim AKKP) njofton:

    Fillimin e procesit të pranimit dhe të regjistrimit të kërkesave për kompensimin në të holla, nga fondi në të holla për vitin 2013, për subjektet e shpronësuara, prona e të cilëve është njohur për kompensim. Me këtë rast AKKP fton të gjithë subjektet e shpronësuar apo trashëgimtarët e tyre të paraqiten pranë zyrave tona për dorëzimin e kërkesës për kompensim dhe dokumentacionit shoqërues. Procesi i pranimit të kërkesave të përfituesve nga ky fond do të fillojë, ditën e hënë më datë 05.08.2013 dhe do të zgjasë 15 (pesëmbëdhjetë) ditë kalendarike deri në datën 19.08.2013. AKKP ka ngritur grupin e punës për pranimin dhe regjistrimin e kërkesave të subjekteve të shpronësuara.

    Kush përfiton

    Bazuar në rregullat dhe kriteret, për shpërndarjen e fondit të kompensimit për vitin 2013, përfitojnë kompensim, subjektet e shpronësuara që disponojnë një vendim përfundimtar dhe të ekzekutueshëm për kompensimin e pronës, referuar radhës kronologjike të përcaktuar nga numri dhe data e vendimit me të cilin aplikohet. Nga fondi i vitit 2013 nuk përfitojnë kompensim subjektet e shpronësuara, të cilët janë trajtuar më parë me kompensim për vendimin me të cilin aplikojnë.

    Masa e kompensimit

    Kompensimi bëhet për pronën e llojit truall në bazë të çmimit të përcaktuar në hartën e vlerës sipas vendndodhjes së pronës që kompensohet. Masa e kompensimit është sipas skemës së mëposhtme:

    a) Për pronat e njohura për kompensim deri në 1 500 (njëmijë e pesëqind) m², masa e kompensimit është 200 (dyqind) m².

    b) Për pronat e njohura për kompensim mbi 1 500 (njëmijë e pesëqind) m² deri në 3 000 (tre mijë) m², masa e kompensimit është 300 (treqind) m².

    c) Për pronat e njohura për kompensim mbi 3 000 (tre mijë) m² deri 5 000 (pesë mijë) m², masa e kompensimit është 400 (katërqind) m².

    d) Për pronat e njohura për kompensim mbi 5 000 (pesë mijë) m² deri në 10 000 (dhjetë mijë) m², masa e kompensimit është 500 (pesëqind) m².

    e) Për pronat e njohura për kompensim mbi 10 000 (dhjetë mijë) m², masa e kompensimit është 600 (gjashtëqind) m²

    Aplikuesit apo përfaqësuesit me prokurë kanë detyrimin të paguajnë tarifën e shërbimit në vlerën prej    2 000 (dymijë) lekë dhe gjithashtu të hapin në emër dhe për llogari të tyre, një llogari bankare në njërën nga bankat e nivelit të dytë në të cilën në rast përfitimi do të depozitohet shuma që përfitohet.

    Dokumentacioni për aplikuesit e rinj

    Subjekti apo përfaqësuesi i tij me prokurë duhet të paraqesë pranë AKKP-së Tiranë dokumentacionin e mëposhtëm:

    a) Kërkesën dhe deklaratën tip, që i bashkëlidhet VKM-së së mësipërme, të plotësuara sipas rubrikave. (për plotësimin e këtyre akteve aplikuesve do t’u ofrohet konsulencë nga punonjësit e AKKP-së të ngarkuar për pranimin e dokumentacionit);

    b) Titullin për njohjen dhe kompensimin e pronës, që sipas rastit, mund të jetë vendim i Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, vendim i Agjencisë së Kthimit apo Kompensimit të Pronave, si dhe vendim i gjykatës në rastet kur vendimet e sipërcituara janë ndryshuar në rrugë gjyqësore;

    c) Planvendosjen e vendimit, si dhe planin e rilevimit të pronës së njohur për kompensim në fragmentin e hartës treguese të regjistrimit të pasurive. Plani i rilevimi duhet të pasqyrojë konturin (kufirin) e pronës së vjetër duke përcaktuar qartë sipërfaqen e njohur, të kthyer dhe atë të njohur për kompensim;

    d) Dëshminë e trashëgimisë

    e) Prokurën e posaçme, të nënshkruar nga të gjithë trashëgimtarët e ligjshëm, ku si tagër i nevojshëm të jetë edhe e drejta për të tërhequr vlerën financiare, në emër të tyre;

    f) Vërtetimin e lëshuar nga banka e nivelit të dytë për hapjen e llogarisë bankare;

    g) Fotokopjen e dokumentit të identifikimit të përfaqësuesit me prokurë;

    h) Mandat pagesën për shumën 2 000 (dymijë) lekë, e cila paguhet në zyrën e financës së AKKP-së.

    Dokumentacioni për aplikuesit e mëparshëm

    Subjektet që kanë aplikuar për kompensim në të holla në vitet 2008, 2009, 2011 dhe 2012 duhet të paraqesin pranë AKKP-së dokumentacionin e mëposhtëm:

    a) Kërkesën dhe deklaratën tip, që i bashkëlidhet VKM së mësipërme, të plotësuara sipas rubrikave. (për plotësimin e këtyre akteve aplikuesve do t’u ofrohet konsulencë nga punonjësit e AKKP-së të ngarkuar për pranimin e dokumentacionit);

    b) Dëshminë e trashëgimisë, nëse ka ndryshime në rrethin e trashëgimtarëve të ligjshëm të subjektit të shpronësuar, sipas radhës së trashëgimtarëve, të përcaktuar në Kodin Civil.

    c) Prokurën e posaçme, nëse ajo e paraqitur në vitin 2008, 2009, 2011 dhe 2012 ka kufizim në kohë për tagrin e përfaqësimit, tërheqjes së shumës në të holla apo kur rrethi i trashëgimtarëve të subjektit të shpronësuar ka ndryshuar.

    Në rast se aplikimi kryhet për vendime të tjera, të ndryshme nga ai me të cilin është aplikuar në vitet 2008, 2009, 2011 dhe 2012 subjektet duhet të plotësojnë dhe paraqesin pranë AKKP-së dokumentacionin e plotë (që përcaktohet më sipër) në përputhje me pikën 4 të VKM nr. 599 datë 17.07.2013.

    Të gjithë aplikantët që paraqesin të dhëna të rreme apo fshehin të dhëna të nevojshme për procesin e kompensimit përjashtohen nga procesi i përzgjedhjes.

    Subjektet e shpronësuar, të cilët kanë depozituar kërkesën e tyre për kompensim në vitet 2006, 2007, 2008, 2009, 2011 dhe 2012, dhe që vërtetojnë kryerjen e pagesës, nuk paguajnë tarifën e aplikimit për vitin 2013.

    Aplikimi me postë

    Subjektet e interesuara mund të aplikojnë nëpërmjet postës duke dërguar pranë AKKP sipas rastit dokumentat e mësipërme dhe formularët e mëposhtëm te plotësuar.

    1-Faturë për arkëtim 2000 Lekë  që mund të paguhet në çdo bankë të nivelit të dytë.

    2-Formular i kërkesës për kompensim në të holla.

    3-Formular i deklaratës për pranimin e kritereve.

    Agim Toro: Fondi prej 300 milionësh në dispozicion të AKKP-së. Kompensimi nga mesi i shtatorit

    Sa zgjat procedura e regjistrimit?

    Kjo procedurë zgjat 15 ditë sipas përcaktimit që ka bërë Vendimi i Këshillit të Ministrave, pastaj vazhdon puna e verifikimeve administrative dhe vendoset shpërndarja sipas  aplikimeve dhe sipas Vendimit të Këshillit të Ministrave, ku është e përcaktuar se kujt i takon apo jo.

    Sa kanë aplikuar deri tani?

    Sot janë rreth 60 aplikues, po flasim për aplikime të reja komplet.

    Po duke llogaritur dhe aplikimet e vjetra?

    Mund të kemi më shumë, ose mund të kemi më pak. Është vullneti i njerëzve që vijnë e aplikojnë. Ata që kanë aplikuar nuk paguajnë tarifat dhe nuk bëjnë veprimet që bëjnë të tjerët, pra dokumentacioni që ata kanë paraqitur është i plotë dhe nuk u kërkohet dokumentacion i ri. Në këtë këndvështrim, ata janë të favorizuar krahasimisht me ata që duhet të paraqesin dokumentacionin e plotë në AKKP.

    Kujt do t’i jepet më shumë prioritet pastaj për kompensim?

    Prioritet u jepet atyre, që sipas Vendimit të Këshillit të Ministrave, u përkasin vendimeve më të vjetra në kohë. Pra ato të ’93; ‘94 e pastaj me radhë ’95 apo ‘96.

    Ju keni thënë që fondi i 2013-ës, prej 300 milion lekësh, është në dispozicion të AKKP.

    Sigurisht që është.

    Kur fillon shpërndarja?

    Pasi përfundojnë aplikimet, bëhen verifikimet administrative në bashkëpunim me Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, çfarë problematike ka, nëse janë të zbatueshme ose ka veprime, bëhet verifikimi nëse kanë marrë ose jo më parë kompensim, në mënyrë që të përfitojnë ata që thotë vendimi i qeverisë.

    Dhe kur parashikohet shpërndarja?

    Besoj fundi i shtatorit, ose fillimi i tetorit, nuk mund të themi datë ekzakte përfundimtare, sepse fillohet nga vendimet më të vjetra e deri te vendimet më të reja, përcaktohet për çdo vendim sesa është shumëa që përfitojnë dhe vijmë deri te vendimi i fundit, deri sa të plotësohet shuma prej 300 milionësh. Në këtë moment ndërpritet verifikimi i mëtejshëm i dosjeve, sepse nuk ka më para për të shpërndarë, prandaj dhe s’mund të themi një datë të saktë.

    Dhe sa subjekte mendohet të përfitojnë nga ky fond?

    Nuk mendoj se do të ketë shumë, nuk ka një shifër, sepse s’mund të përcaktohet shifra që tani, por nuk besoj të jenë shumë.