Puset e naftës, 120 ha tokë të dëmtuara, Inspektorati në Fier: Gjendja alarmante!

    365
    Sigal

    Nga veprimtaria që ushtrojnë kompanitë private të naftës në Qarkun e Fierit janë dëmtuar 120 ha tokë bujqësore. Inspektorati i mbrojtjes së tokës në këtë qark tha se, dëmet janë të konsiderueshme dhe mjaft të ndjeshme për fermerët. Por, dëmi nuk qëndron vetëm kaq, faktorët natyrorë si pasojë e gërryerjes që bëjnë lumi Vjosë në Komunën e Cakranit dhe lumi Seman në Komunën Strumë janë një tjetër kërcënim për fermerët. Valentina Duka, nën cilësinë e drejtores së administrimit dhe mbrojtjes së tokës pranë Këshillit të Qarkut e cilësoi situatën alarmante dhe kërkoi marrjen e masave emergjente. Për drejtoreshën e administrimit dhe mbrojtjes së tokës, komunat dhe qarku nuk kanë të ardhurat financiare për të bërë të mundur rregullimin e dëmeve të shkaktuara në tokat bujqësore të Qarkut të Fierit. Në shkresën zyrtare drejtuar inspektoratit shtetëror të mbrojtjes së tokës, komisionit shtetëror të mbrojtjes së tokës, dhe ministrisë së bujqësisë kërkohet marrja e masave emergjente, si dhe ndërtimi i paneleve me një vlerë prej 50 milion lekë të vjetra.