Pronarë, ja rregullat e reja për regjistrimin e pronave

    421
    Sigal

    Zbardhen vendimet e qeverisë, kushtet e përditësimit të regjistrimeve të pasurive të paluajtshme dhe punësimet e PAK

    Përcaktimi i kushteve dhe i procedurave për përmirësimin e përditësimin e të dhënave të regjistrit të pasurive të paluajtshme, e cila administrohet në formate dixhitale dhe manuale, kriteret e funksionimit të Komisionit të Vlerësimit të Titujve Akademikë dhe nxitja e punësimit të personave me aftësi të kufizuara, përmes financimit ndaj tyre  janë tre nga vendimet më të rëndësishme që janë marrë nga Këshilli i Ministrave ditën e djeshme. Pas mbledhjes së mbajtur pasditen e djeshme, Këshilli i Ministrave ka zbardhur vendimet e marra.

     Përcaktimi i kushteve dhe i procedurave për përmirësimin e përditësimin e të dhënave të regjistrit të pasurive të paluajtshme

    Këshilli i Ministrave vendosi në mbledhjen e djeshme përcaktimin e kushteve dhe procedurave për kryerjen e përmirësimit dhe përditësimit të të dhënave të regjistrit të pasurive të paluajtshme që administrohet në zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme në formate digjitale dhe manuale. Sipas këtij vendimi përmirësimi dhe përditësimi i të dhënave të regjistrit të pasurive të paluajtshme është proces që ka për qëllim, aktualizimin dhe garantimin e informacionit për pasuritë e paluajtshme, të regjistruara; saktësimin e të dhënave të regjistrimit fillestar; përditësimin e të dhënave të regjistrimit fillestar, në bazë të transaksioneve të kryera nga ZVRPP-ja, pas procesit të regjistrimit fillestar; regjistrimin e pasurive të paluajtshme që ndodhen brenda kufirit të zonës kadastrale, të paregjistruara më parë; rritjen e cilësisë së shërbimit ndaj klientit.

    Gjithashtu sipas vendimit përmirësimi dhe përditësimi i të dhënave të regjistrit të pasurive të paluajtshme është një proces që lidhet me, indeksimin dhe sistemimin e arkivit digjital të dokumentacionit tekniko-ligjor; saktësimin e pozicionit gjeografik e të kufijve të pasurive të paluajtshme si dhe të elementeve matematike të hartës kadastrale; saktësimin e të dhënave në kartelën digjitale të pasurisë së paluajtshme.

    Procesi kryhet në rastet kur:

    a) të dhënat e pasqyruara në to nuk përputhen me ato të aktit të fitimit të pronësisë apo të së drejtës reale, të përdorur për kryerjen e regjistrimit;

    b)  nuk ekziston lidhja mes një kartele dhe një harte kadastrale;

    c)  pozicioni gjeografik i pasurive, i pasqyruar në hartën kadastrale, nuk përkon me pozicionin gjeografik faktik të këtyre pasurive, sipas aktit të fitimit të pronësisë;

    ç) pozicioni i kufirit të zonës kadastrale, i pasqyruar në hartën kadastrale, nuk përkon me pozicionin gjeografik faktik;

    d) pasuri të paluajtshme, të ndodhura brenda kufirit të zonës kadastrale, nuk janë të regjistruara;

    dh)  elementet matematike të hartës kadastrale nuk janë të sakta;

    e) indeksimi i dokumentacionit tekniko-ligjor nuk është në përputhje me standardet digjitale të miratuara.

    – Ky është një proces që përfshin të gjitha pasuritë e paluajtshme në territorin brenda kufirit të një zonë kadastrale dhe do të quhet përmirësim sistematik.

    – Mund të kryhet edhe për pasuri apo grup pasurish të paluajtshme, të cilat kërkojnë përmirësime për raste të tjera të ngjashme.

    – Procesi do të kryhet me kërkesë të subjektit të interesuar ose me nismën e regjistruesit dhe/ose të kryeregjistruesit.

    – Do të kryhet nga ZRPP-ja ose nga çdo person apo grup i autorizuar, me urdhër nga kryeregjistruesi, pas propozimit të regjistruesit.

    – I ngarkuari për kryerjen e procesit, paralelisht bën dhe verifikime në terren për pasurinë e paluajtshme, pjesë e procesit të përmirësimit. Të gjitha fondet që do të nevojiten për këtë proces do të sigurohen nga ZRPP-ja, në bazë të buxhetit të saj.

    – Kur kërkesa bëhet nga subjekte apo institucione të interesuara, procesi do të mbulohet financiarisht nga kërkuesi.

    – Kur kërkesa për bëhet nga subjekte të interesuara për kryerjen e përmirësimit sporadik, në ZVRPP, kërkesa shoqërohet me dokumentacionin përkatës, mbi të cilin bazohet. Aplikimi bëhet duke kryer pagesën e tarifës përkatëse.

    – Regjistruesi i ZVRPP-së përkatëse i propozon kryeregjistruesit fillimin e procesit për përmirësimin sporadik.

    – Kryeregjistruesi, brenda 15 ditëve pas marrjes së propozimit, urdhëron ZVRPP-në për fillimin e procesit të përmirësimit sporadik.

    – ZVRPP-ja, brenda 5 ditëve nga data e marrjes së urdhrit, kryen verifikimet përkatëse.

    – Pas verifikimit të kryer nga ZVRPP-ja, regjistruesi informon palën e interesuar për sa është verifikuar dhe i kërkon asaj të kryejë studimin hartografik.

    – Pala e interesuar, brenda 30 ditëve pas marrjes së shkresës nga regjistruesi i ZVRPP-së, duhet të paraqesë në ZVRPP studimin topografik në format manual dhe digjital.

    – Pas kësaj kryet procesi i përmirësimit të të dhënave digjitale dhe manuale të regjistrit të pasurive të paluajtshme që janë përfshirë në procesin e përmirësimit sporadik.

    – Nëse studimi nuk paraqitet brenda 30 ditëve, atëherë regjistruesi refuzon kryerjen e procesit të përmirësimit sporadik, nxjerr urdhrin për heqjen e shënimit të vendosur.

    – Kartela e pasurisë/pasurive të paluajtshme dhe harta kadastrale e përmirësuar, afishohen për një periudhë 45- ditore në mjediset e ZVRPP-së, ku ndodhet e pozicionuar zona apo pasuria, e cila i nënshtrohet përmirësimit dhe/ose përditësimit të të dhënave.

    Brenda afatit të afishimit publik, personat e interesuar kanë të drejtë të paraqesin pretendimet për përmirësimin e të dhënave pas periudhës së afishimit publik.

    – Mosmarrëveshjet, që nuk zgjidhen ndërmjet palëve, zgjidhen nga organet gjyqësore.

    – Urdhri i kryeregjistruesit publikohet në faqen zyrtare të internetit.

     

    Punësimi i PAK financohet me 6 paga të plota mujore dhe 100 % sigurime

     Këshilli i Ministrave miratoi dje programin e nxitjes së punësimit të personave me aftësi të kufizuara. Sipas këtij vendimi, zyra përkatëse e punësimit financon për punësimin e personave me aftësi të kufizuara, punëdhënësin, me një financim mujor në masën deri në 100 për qind të sigurimeve të detyrueshme shoqërore dhe shëndetësore, të pjesës së kontributit të punëdhënësit, me kusht që kohëzgjatja e kontratës së punës të mos jetë më e shkurtër se një vit. Ky financim bëhet nga zyra e punësimit në degën e sigurimeve shoqërore: Punëdhënësin, me një financim për të pajisuar siç duhet vendin e punës/transport (përshtatja e arsyeshme) të personit me aftësi të kufizuar dhe për t’i siguruar atij/asaj një përgatitje thelbësore për punën deri në masën 100 000 (njëqind mijë) lekë, por jo më shumë se 200 000 (dyqind mijë) lekë, nëse punëson më shumë se dy persona. Për këtë, punëdhënësit duhet të paraqesin një projekt për përshtatjen e arsyeshme; Punëmarrësin, punëkërkuesin e papunë person me aftësi të kufizuar, sipas këtij programi, me një financim mujor në masën deri 100 për qind të nivelit të pagës minimale në shkallë vendi deri për 6 (gjashtë) muajt e parë të punësimit; Punëmarrësin, punëkërkuesin e papunë person me aftësi të kufizuar, me një financim mujor në masën deri në 50 për qind të nivelit të pagës minimale në shkallë vendi deri për 6 (gjashtë) muajt e dytë të punësimit. Gjithashtu zyra përkatëse e punësimit financon për formimin në punë të personave me aftësi të kufizuara, Punëdhënësin, deri në 70 për qind të tarifave me bazë koston e trajnimit;  Kursantin, punëkërkuesin e papunë, të përfshirë sipas këtij programi, në masën deri në 50 për qind të pagës minimale në shkallë vendi; Derdhjen e kontributit për sigurimin nga aksidentet në punë, në masën 0.5 për qind të pagës minimale, i cili derdhet në Drejtorinë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore, sipas procedurave përkatëse. Pas përfundimit të kontratës së punës, në rastin e vazhdimit të punësimit me kontratë, punëdhënësi ka të drejtë të riaplikojë për këtë program në vitin pasardhës, pas shprehjes së vullnetit të të dyja palëve për zgjatjen e kontratës.

      Kriteret e funksionimit të Komisionit të Vlerësimit të Titujve Akademikë

     Këshilli i Ministrave mori dje vendim për funksionimin, të drejtat dhe detyrat e komisionit të vlerësimit të titujve akademikë. Sipas këtij vendimi, Komisioni i Vlerësimit të Titujve Akademikë (KVTA) funksionon si organ kolegjial vendimmarrës, pranë Ministrisë së Arsimit dhe Sportit. Ky komision vlerëson dhe merr vendim për propozimet e institucioneve të arsimit të lartë për dhënien e titullit akademik “Profesor”. Propozimet dhe vendimet për dhënien e titujve regjistrohen nga sekretariati i KVTA-së në regjistrin e krijuar për këtë qëllim. Procedura e shqyrtimit dhe formati i regjistrimit të titujve akademikë përcaktohen me udhëzim të ministrit të Arsimit dhe Sportit.

    U bën rekomandime institucioneve të arsimit të lartë për organizimin e studimeve të doktoratës dhe promovimin për titujt akademikë. Vlerëson, me kërkesë të ministrit të Arsimit dhe Sportit, zbatimin e kritereve dhe të procedurave për kualifikimin shkencor nga institucionet e arsimit të lartë dhe, kur vëren shkelje të kuadrit ligjor dhe nënligjor, propozon masat përkatëse. Gëzon të drejtën të dërgojë përfaqësuesit e vet për të mbikëqyrur procedurat për mbrojtjen e doktoratave, si dhe për shqyrtimin e titujve akademikë, të cilat zhvillohen nga institucionet e arsimit të lartë në mbledhjet (seancat) e hapura. Sipas vendimit, KVTA-së mund t’i ngarkohen edhe detyra të tjera për kualifikimin shkencor.