Prof.Dr.Gëzim Boçari: Çështja e pronës “zgjoi” dhe ushtarakët

    457
    Sigal

    INTERVISTË/ Prof.Dr.Gëzim Boçari: Shqipëria si ndërtesë pa themel. Prona, sfidë për qeverinë Rama

    Prona bëri që më në fund të reagojnë dhe ushtarakët, që deri më tani kanë heshtur për këtë problem madhor. Mesa duket, duhej ky ndërgjegjësim, që mbarë shoqëria të kuptojë që zgjidhja e problemit të pronës, kërkon reagimin e të gjithëve. Ky është reagimi i prof.dr. Gëzim Boçarit, dhënë në një intervistë për gazetën “Telegraf”, pas zhvatjes së pronave ushtarake nga qeveria në pushtet. Sipas prof. Boçarit, kjo qeveri nuk ka respekt as për Kushtetutën dhe as për vendimet gjyqësore, madje sipas tij, Qeveria Berisha ka gënjyer dhe ndërkombëtarët për këtë çështje: “Rasti më ekstrem ku Shteti raporton në Strasburg se vendimi i Gjykatës është ekzekutuar, kur realisht nuk është ekzekutuar, nuk ka nevojë për koment”. Sipas Boçarit, pluralizmi ynë 23 vjeçar nuk bëri asgjë, përveçse zhvilloi kulturën e pandëshkueshmërisë, korrupsionit dhe mentalitetit klanor. Qëndrimin e politikës anti-pronar, Boçari e shikon si sëmundje, por jo të thjeshtë. “Në Shqipëri nuk ka demokraci, dhe rrezik kombëtar janë politikanët që do të vazhdojnë të bëhen pengesë që prona e trashëguar të mos kthehet në origjinë sipas detyrimeve kushtetuese”, shprehet Boçari, i cili thotë se zgjidhja e problemit të pronës është një sfidë për qeverinë Rama.

      Z.Boçari cili është mendimi juaj si pronar dhe intelektual për gjithë këto vendime të Qeverisë Berisha në ikje, në lidhje me pronat e ushtarakëve?

    Nëse e keni fjalën  për kalimin e SHQUP-it në favor të PD-së, përgjigja e shkurtër është se kemi një demonstrim të arbitraritetit dhe mos funksionim absolut të shtetit ligjor. Lidhur me pronën më lejoni të shprehem pak më gjatë, pasi ky është problem që sot bëri të reagojnë dhe ushtarakët, në fakt është problem me rëndësi për të gjithë popullin, për zhvillimet ekonomike, për stabilitetin social dhe të ardhmen e kombit… Nëpërmjet medias jam informuar për vendimin e Qeverisë Berisha që Shtëpia Qendrore e Ushtrisë t’i kalojë Partisë Demokratike. Problemi nuk qëndron tek një ndërtesë siç është rasti i SHQUP, por shumë më thellë, Vendimi i Qeverisë për SHQUP është pasojë e një rruge të gabuar që ka filluar pas vitit 1991. Por e përsëris, se ky veprim i Qeverisë pati rëndësi, se me këtë rast u kthjelluan, u ndërgjegjësuan dhe reaguan dhe ushtarakët dhe shoqata e tyre, që deri tani kanë ndenjur të heshtur për këtë problem me rëndësi kombëtare, zgjidhja e të cilit konform parimeve të njohura të moralit dhe të Kushtetutës kërkon reagimin e të gjithë shoqërisë. Shumë herë në këto dy dekada i kam vënë në dukje zotit Sali Berisha se me qëndrimin negativist ndaj pronarëve ai po shkatërron atë që pretendon se e ka ndërtuar. Të gjithë e duan pronën e trashëguar, por dhe ai që nuk e do, le të ja dhurojë kryqit të kuq apo institucioneve të tjera.

     Në mbledhjen e fundit të Qeverisë doli vendimi për dëmshpërblimin e pronarëve që janë prekur nga ndërtimet informale. A është e drejte që dikush tjetër të legalizojë pronën që i takon tjetërkujt?

    Të fillosh nga legalizimet pa përfunduar kthimin dhe pa anuluar veprimet e paligjshme dhe falsifikimet e kryera në procesin e kthimit të pronës tek i zoti, është veprimi më i gabuar që mund të bëhet, dhe në disa raste është vjedhje në emër të ligjit…

    Në mbledhjet e fundit të Qeverisë janë marrë vendime për koncesione apo dhënie me qira të objekteve industriale, ku Qeveria ka shkelur shpeshherë ligjin (për të qenë më të saktë vendimet e Gjykatës), me pronarët, me ushtarakët ka shkelur Kushtetutën gjithashtu. Si e shikoni ju këtë situatë, që kjo qeveri, edhe pse e djathtë, nuk respekton të drejtën e pronës?

    Pyetja juaj është komplekse. Unë nuk mund të shprehem për koncesionet, pasi nuk e njoh problemin. Fakti se për pronat janë me qindra vendime gjykatash të formës së prerë që nuk ekzekutohen, se janë dhe një numër vendimesh të Gjykatës së Strasburgut që nuk janë ekzekutuar dhe rasti më ekstrem ku Shteti raporton në Strasburg se vendimi i Gjykatës është ekzekutuar, kur realisht nuk është ekzekutuar, nuk ka nevojë për koment. Zoti Sali Berisha pavarësisht se çfarë është thënë nga të dy krahët e politikës në këto dy dekada nuk ka të bëjë me parimet e demokracisë, me të drejtat e njeriut, me parimet e ekonomisë të tregut dhe as me të majtën, apo të djathtën që më thoni ju. Zoti Berisha konkretisht ka zgjeruar pluralizmin e mendimit, për të cilin intelektualët diskutuan në takimin me Ramiz Alinë para përmbysjes së bustit. Me sa di unë, Ramiz Alia rridhte nga shtresa fare pa pronë dhe formimi tij ishte shkolla e Partisë së Punës dhe modeli i Diktaturës së Proletariatit. Nuk kishte se si të ndodhte që me dorëzimin e pushtetit në 1991, Ramiz Alia, të pranonte gabimin dhe të udhëzonte për kthimin e pronës tek i zoti.

    Po çfarë ndryshoi, apo çfarë iu shtua pluralizmit që dorëzoi Ramiz Alia?

    Pluralizmit që Ramizi e kontrolloi, nga të dy krahët e politikës në këto 23 vjet, nga politikanët e kohës të dominuar nga energjia e madhe e z. Berisha,  iu shtuan vetëm disa elemente të çrregullt të ekonomisë tregut, privatizimi, por krahas tyre, brenda apo jashtë programit u zhvillua me shpejtësi kultura e pandëshkueshmërisë, korrupsioni dhe mentaliteti klanor, duke prodhuar këtë sistem që vetëm demokratik nuk mund të quhet. Kjo platformë në themel kleptokratike, në këto dy dekada nuk është kundërshtuar nga krahu tjetër që quhet i majtë dhe në këtë konkurrencë të heshtur, nuk mund të them se cili klan ka përfituar më shumë. Kjo situatë nuk mund të justifikojë qëndrimet e mefshta të ambasadorëve, që në ndryshim nga politikanët shqiptarë, nuk kishin dhe nuk kanë mangësi të parimeve dhe të kulturës demokratike. Sot, e keqja është se shqiptarët nuk e kanë çrrënjosur frikën, dhe motoja “Vepro tani” e propozuar nga ambasadori i SHBA-ve, duhet të zbatohet nga të gjithë, por në radhë të parë nga ambasadorët, duke realizuar drejtimin e parimeve demokratike.

    A mund ta quajmë “sëmundje” të politikës gjithçka po ndodh me pronat?

    Po, por sëmundja nuk është e thjeshtë, dhe kjo mund të përcaktohet më saktë duke e pasur zotin Berisha në një ballafaqim të drejtpërdrejtë në media. Ajo që kuptohet qartë, është se minimalisht në mentalitetin e tij, ai ka idenë e triumfatorit dhe nuk arrin të kuptojë dëmin e madh që i ka shkaktuar popullit, demokracisë dhe vendit, qëndrimi i tij antipronar… Nëse mediat do të analizojnë deklaratat e z. Berisha, ligjet dhe vendime të Qeverisë për pronat, del në pah se ato janë kontradiktore dhe në kundërshtim të plotë me detyrimet kushtetuese.

    Çfarë emri mendoni, se ka sistemi ynë shtetëror, anti-pronar, siç thoni ju?

    Le të mendojnë vetë lexuesit se si duhet të quhet sistemi shtetëror, kur prona e grabitur pas vitit 1945 nga sistemi i diktaturës edhe pas përmbysjes së sistemit monist, nuk iu kthye të zotit, por u trajtua si pronë në interes të Qeveritarëve. Do të dëshiroja që këtë pyetje, në emisionet televizive, analistët t’ia bënin ambasadorëve kryesorë që vazhdojnë të heshtin.

     A ka gjasa që të respektohet ndonjëherë Kushtetuta dhe ligji nga qeveritë shqiptare?

    Në Shqipëri nuk ka demokraci, dhe rrezik kombëtar janë politikanët që do të vazhdojnë të bëhen pengesë që prona e trashëguar të mos kthehet në origjinë sipas detyrimeve kushtetuese. Afro një muaj më parë, në 23 Korrik 2013, në një interviste në gazetën Telegraf,  praktikisht kam bërë një apel publik për kryeministrin Sali Berisha, por njëkohësisht për të gjithë politikanët, ambasadorët kryesorë, analistët e politikës, që të reagojnë ndaj problemit të pronës, të futur në rrugë të gabuar. Por zoti Berisha apo këshilltarët e tij nuk reaguan. Kam në kujtesë Apelin për pronën, që e kanë botuar shumica e gazetave 13 vjet më parë, në vitin 2000, akademikët Ylli Popa, Pandeli Çina, Dhimitri Pilika etj., etj., por politikanët duke filluar nga Presidenti i Republikës heshtën. E njëjta situatë është edhe sot dhe zgjidhja është e thjeshtë, mjafton zbatimi i parimeve morale dhe detyrimeve kushtetuese. Zgjidhja për pronën është plotësisht e mundshme nëse do të ketë vullnet politik për ta zgjidhur. Shoqata “Pronësi me Drejtësi” dhe  “Bregdeti” në faqen e internetit www.defendingproperty.com kanë ofruar zgjidhjen optimale. A do të ketë Kryeministri Edi Rama dhe stafi i tij, ndërgjegjen patriotike, përgjegjshmërinë e detyrës dhe dorë të fortë  dhe për zbatimin e Kushtetutës? Kjo është sfida për z. Edi Rama  dhe gjithë ekipin e tij dhe unë kam mendim pozitiv, por kjo kërkon reflektim të thellë edhe të zotit Sali Berisha, pasi deri tani Shqipëria është si ndërtesa pa themele.

    5 pyetje për gjithë politikanët e pas’91-it

    Duke kopjuar modelin e analistit Babaramo që bën për politikanët nga 5 pyetje, po përfitoj nga rasti të shtroj publikisht jo vetëm për kryeministrin Sali Berisha, që është protogonisti i kësaj situate të nderë, por për të gjithë politikanët e pas vitit 1991 dukie filluar nga ish presidentët dhe presidenti aktual z. Bujar Nishani, (garant i Kushtetutës) ish kryeministrat, ish deputetët (të betuar për Kushtetutën, për Atdheun  dhe të drejtat e njeriut), kryetarët e partive politike, ata të shoqatave dhe këdo që e ndjen veten shqiptar dhe i ftoj të shprehen publikisht. Duke analizuar situatën e titujve të pronësisë sot 23 vjet pas përmbysjes së diktaturës ku akoma nuk janë kthyer pronat tek i zoti edhe duke krahasuar se:

    1.       Si e trajtoi pronën private pushtuesi nazifashist ?

    2.       Si e trajtoi pronën private sistemi 45-vjeçar i diktaturës së proletariatit ?

    3.       Pse gabimet e bëra me titujt e pronësisë pas vitit 1991, në vend që të korrigjohen vazhdojnë të mos korrigjohen?

    4.       A mund t’i kërkoni Drejtorisë së Krimeve të Rënda të analizojë se sa është nr. i krimeve për shkak të mos kthimit të pronës tek i zoti?

    5.       Është problem social ai i familjeve që duhet të lirojnë shtëpitë e pronarëve të shpronësuar ,por si shpjegohet që Ambasadori i OSBE-së dhe i BE-së shqetësohen për pak familje dhe nuk shqetësohen për mijëra të vrarë për shkak të pronës dhe mijëra familje që prej 23 vjetësh presin që qeveria t’u kthejë pronën që u grabiti diktatura?