Procedurat e përfitimit të pensionit

    465
    Sigal

    Specialisti Fadil Kepi u përgjigjet pyetjeve, që i bëjnë lexuesit e gazetës “Telegraf”

     Zoti Astrit nga Greqia në letrën që na ka dërguar shkruan: jam i datëlindjes 22. 6.1948 dhe kam punuar në Tiranë, gjithsej 32 vjet përfshi dhe kohën e kryerjes së shërbimit të detyrueshëm ushtarak dhe nga këto 27 vjet tornitor metali. Gjithashtu kam qenë kampion i Shqipërisë në sportin e mundjes për disa vjet. Pyes, kur e plotësoj moshën për pension të plotë dhe a kam të drejtë të kërkoj pension të posaçëm dhe cilat janë procedurat ligjore?

    Ju përfitoni pension të plotë si tornitor i punimit të metalit në moshën 64 vjeç duke filluar nga data 22 qershor të vitit 2012, nëse kjo datë ju gjen me 35 vjet punë. Prandaj, ju rekomandoj të bëni edhe 3 vjet sigurime vullnetare para se të plotësoni moshën 64 vjeç. Mbasi të merrni pensionin e parë, sipas vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 429, datë 12.9.2002, ju keni të drejtë të kërkoni pension të posaçëm pranë Këshillit të Qarkut të Tiranës, duke shoqëruar kërkesën edhe me dokumentet që keni si kampion i Shqipërisë në sportin që keni ushtruar, ose kërkesën për pension të posaçëm mund t’ia dërgoni direkt Presidentit të Republikës, Kryetares së Parlamentit, Kryeministrit ose ministrit të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Pensionet e posaçme miratohen vetëm me vendim të Këshillit të Ministrave dhe shuma e tyre është shtesë sa pensioni i zakonshëm por jo më shuma se pensioni maksimal. Të dy pensionet së bashku pavarësisht nga shuma e tyre nuk tatohen.

     

    Zoti Piro nga Athina në letrën e tij shkruan: jam i datëlindjes 12 shkurt të vitit 1949 dhe kam punuar gjithsej 30 vjet tornitor metali në Korçë. Pyes kur e plotësoj moshën për pension?

    Ju përfitoni pension në moshën 65 vjeç. Me 30 vjet punë të siguruara që keni do të merrni pension të pjesshëm në masën 86 për qind të pensionit të plotë që llogaritet duke pjesëtuar 30 vjet që keni punuar me 35 vjet punë që duhen për pension të plotë. Nëse dëshironi të merrni pension të plotë, duhet të bëni edhe 5 vjet sigurime vullnetare. Dokumentet për pension keni të drejtë ti plotësoni dhe dorëzoni në agjencinë e sigurimeve shoqërore në vendbanimin tuaj në Shqipëri deri 12 muaj para se të plotësoni moshën e pensionit.