Përparim HALILI/ Përmetarët si në Xhibut, prej 20 vjetësh u jepet ujë me “triska”!

    403
    Sigal

    Ishim duke pirë kafe në një nga lokalet e Përmetit. Ishte ora e drekës. Shoqëruesi ynë përmetar, si me pak siklet dhe humor bashkë, na tha: – “Besoj, se do me jepni 30 minuta leje sa të shkojë në shtëpi, se tani është orari i ardhjes së ujit dhe duhet të mbush fuçitë, kovat, legenët, tenxheret, si dhe të bëj dush për vete”. E konsideruam si humor, por ishte e vërtetë që në atë moment ishte “30 minutshi” kur “kuçedra” Ujësjellës lëshonte ujin në Përmet. Ajo që më bëri përshtypje, ishte se asnjë përmetar nuk protestonte që u mungonte uji në shtëpi e biznese. Duket se urtësia tradicionale e përmetarëve qenka prezente edhe kur atyre nuk u plotësohen detyrime që kanë lidhje me jetën e përditshme. Është fjala, për mungesën e ujit që duhet të shkojë nëpër familje. Përmeti ka pastërti, ka trëndafila, ka mjedise çlodhëse, ka kulturë qytetare, ka artistë e saze të mrekullueshme, ka njerëz punëtorë dhe mikpritje, por nuk ka… ujë! Jo ujë malesh e lumi, por ujë që duhet t’u shkojë në banesa, në biznese, në spitale, shkolla, çerdhe, kopshte e institucione publike. Janë 13 mijë banorë e qindra biznese të këtij qyteti, të cilët prej 20 vitesh po vuajnë rregullisht e tmerrësisht mungesën e ujit në familje. Nuk kanë ujë, as për të larë kokën e rrobat. Prej 20 vitesh, Përmeti ka një Ujësjellës që nuk u sjell ujë. Kjo ndërmarrje është me drejtor, me zyrtarë, me specialistë që paguhen rregullisht, por nuk mund të realizojw dot, atë që ka si detyrë: Nuk çon dot ujë në familjet e përmetarëve. Pse? Prej 20 vjetësh vijnë, ikin e vijnë qeveri të çdo ngjyre, merren vota nga deputetë dhe premtohet ujë, bëhen projekte investimesh dhe nga “halli” dorëzohen nga pushteti lokal me “dreka, darka” e “kafe” nëpër zyrat e horrave dhe batakçinjve të pushteteve qendrore nga Prefektura deri në Qeveri, por deri sot që flasim, nuk ka shkuar asnjë “pikë” në familjet e përmetarëve. Furnizimi me ujë në Përmet, vazhdon të mbetet “viktimë” e premtimeve për ta patur 24 orë e të pastër çdo familje. Këtë premtim “proverbial”, të bërë në çdo fushatë elektorale, përmetarët kanë 20 vjet që e dëgjojnë. Nëse ngjitesh në pikën më të lartë të Përmetit, shikon se çatitë dhe tarracat e banesave e pallateve, janë të mbushur me depozita uji. Pse? Sepse nuk furnizohen rregullisht 24 orë me ujë. Sikleti me ujin në Përmet, ka shkuar deri në atë pikë, sa qytetarët bëjnë “roje” në shtëpi në orët që lëshon ujin “kuçedra” ujësjellës, për të mbushur legena, kova, magje e depozita me ujë. Ata që nuk kanë depozita, ose që janë në punë, shkrehen duke mbushur ujë rrugëve me makina, krahë e karroca. Në orarin që lëshohet uji, ose duhet të gjendesh patjetër në shtëpi, ose se ndryshe mbetesh pa ujë. Në ato orare, pwr shembull, që lëshohet uji në mëngjes, duhet të zgjohesh nga gjumi që të lahesh në rubinet me rrjedhje 30 minutshe, ndryshe duhet të lahesh me kanaçe. Sipas një bisede telefonike, të zhvilluar dje me kreun e Bashkisë së Përmetit zotin Gilberto Jaçe, mungesa e ujit në qytet është një problem i zvarritur prej vitesh, për mos akordim fondesh për ndërtimin e një Ujësjellësi me kapacitet furnizimi me kapacitet depozitimi e shpërndarjeje, sipas numrit të konsumatorëve. Mungesa e ujit, sipas kryebashkiakut është siklet për bashkinë që ai drejton dhe për atë personalisht, por së pari është “torturë” mbi 20 vjeçare, që po u bëhet përmetarëve. Për të pirë e gatuar, përmetarët e blejnë ujin. Për t’u larë, nëse nuk gjenden në orarin qw lëshohet uji, qelben. Uji paguhet rregullisht e me korrektesë prej përmetarëve, sikur ta kenë atë rregullisht. Shteti u dërgon fatura, por jo ujë! Troç, ua vjedh lekët qytetarëve, por me ujë nuk i furnizon! Të gjithë kryebashkiakët e 20 viteve të fundit, kanë bërë projekte për ujësjellësin e Përmetit, i kanë dorëzuar në qeveri, por ato janë hedhur në koshat e qeverive, si ato letrat higjienike, me të cilat sekretaret e kryeministrave, deputetëve, ministrave fshijnë buzët pasi hanë pica në zyrë! Edhe kryebashkiaku aktual Gilberto Jaçe, ka bërë projektin e ndërtimit të Ujësjellësit të qytetit dhe ia ka paraqitur qeverisë “Rama” si “problem emergjent”, duke qëndruar në pritje të konkretizimit. Sipas Jaçes, ka “sinjale” (fjalë), se kjo zgjidhje do të bëhet. Që Përmeti të ketë furnizim 24 orë më ujë, duhet një fond investimi prej afro 2 milionë euro, me perspektivë garancie funksionimi teknik të rrjetit dhe plotësim nevojash me ujë për 70 vitet e ardhshme. Ndërmarrja e Ujësjellësit Përmet, strukturë shërbimi nën administrimin e bashkisë së qytetit është tjetërsuar në një ekip aktiv pune, që realizon me sakrifica vetëm mirëmbajtjen e rrjetit ekzistues të katandisur në “skrap”. Ky rrjet është ndërtuar 60 vjet më parë, qysh vitin 1954 me rastin e 10 vjetorit të Kongresit të Përmetit dhe nuk është rikonstruktuar qysh prej vitit 1964, pra qysh 3 vjet përpara prishjes së kishave e xhamive. Ky ujësjellës është ndërtuar me kapacitet ujëmbajtës, për të furnizuar vetëm 2500 banorë që kishte Përmeti në ato vite dhe me kapacitet perspektivë 20 vjeçar, për të përballuar furnizimin me ujë deri të 5000 banorëve. Aktualisht, në Përmet jetojnë 13 mijë banorë. Kriza thellohet në muajt e verës, kur në qytet kthehen edhe 500-700 familje që janë në emigracion dhe prezenca e turistëve e vizitorëve të shumtë. Prej 15 vitesh, Përmetarët furnizohen me ujë vetëm 3 herë në ditë mëngjes-drekë-darkë, me nga vetëm 30 minuta. Por ka edhe raste të “lumtura”, kur “kuçedra” Ujësjellës e zgjat orarin deri 40 minuta, ose 1 orë. Uji në Përmet është bërë edhe “simbol historik”, mbasi kur në Përmet ka “festa historike”, banorët dhe bizneset, sidomos kafenetë, furnizohen me ujë 4 herë në ditë nga 1 e 2 orë. Ndërsa kur shkojnë qeveritarë e delegacione të huaja, ato orë që ata qëndrojnë në qytet, furnizimi me ujë nuk ndalet. Këto raste janë “gëzim” për përmetarët, të cilët luten të jenë sa më të shpeshta. Përmeti ka ujëra të bollshëm e të pastër mbi qytet, në malin Dhëmbel, por që përfundon në Vjosë. “Dora” që nuk e çon këtë ujin në shtëpitë e përmetarëve është shteti, i cili prej 20 vjetësh nuk po investon për Ujësjellësin e qytetit. Përmeti në çdo aspekt është “perlë”, ndërsa për furnizimin me ujë gjendja është si në Xhibut, prej 20 vitesh u jepet ujë me “triska”!