PD, Zhupa: Qytetarët vazhdojnë të blejnë vet barnat ndërsa Rama-Beqaj-Nushi ndajnë milionat çdo muaj

    53
    Partia Demokratike ka denoncuar sot mungesën e ilaçeve nëpër spitale. Në një deklaratë nga selia blu, zëdhënësja e demokratëve Ina Zhupa tha se biznesmenia Vilma Nushi ka marrë 410 milionë Lekë për 3 muaj nga Qeveria për të furnizuar me ilaçe spitalet e vendit, megjithatë mungesa vazhdon të ketë. Zëdhënësja e PD pasqyroi dokumentet që tregojnë se ilaçet duhet të sillen nga biznesmenia Vilma Nushi dhe akuzoi Kryeministrin Edi Rama dhe ministrin e Shëndetësisë Ilir Beqaj se ndajnë paratë me njëri-tjetrin, ndërkohë që qytetarët vazhdojnë të blejnë vet barnat. 

    Deklaratë e zëdhënëses Ina Zhupa
    Për 3 muaj, nga janari e deri në fund të marsit, Vilma e Edi Ramës ka marrë 410 milionë lekë nga qeveria për të siguruar ilaçet në spitale. Vilma, mikja dhe donatorja e Edi Ramës, paratë i merr menjëherë, me negociim pa shpallje, pa garë. Në 59 raste, me 59 kontrata. Nga QSUT e në çdo spital të Shqipërisë. Ja ku janë dokumentat që tregojnë se si TRIMED e Vilma Nushit e ka emrin në çdo rast, në çdo blerje. Problemi është se ilace nuk ka. Shëndetësia është rrënuar në çdo drejtim, ka mungesa të çdo lloji, por shqetësimi më i madh i qytetarëve, i pacientëve dhe familjarëve të tyre është se në spitale nuk ka ilaçe. Dhe ilaçet ata i blejnë vetë. Ku shkojnë paratë që mikja, që donatorja e Edi Ramës i merr për të siguruar medikamentet, por medikamente nuk ka? Ky sigurisht nuk është shqetësimi i qeverisë, i Edi Ramës dhe Ilir Beqës. Ata kanë tjetër prioritet. Prioriteti i tyre është për të siguruar paratë për Vilmën. Në çdo drejtim. I dhanë 120 milionë euro me check-up-in, dhe ushtrojnë presion ndaj mjekëve që kontrolli të bëhet, letrat të mbushen, që Vilma të marrë paratë. Cilësia e analizave është skandaloze e provuar tashmë publikisht. Përfituesit janë Rama-Beqa-Vilma me qindra milionë eurot që kanë ndarë, qytetarët nuk përfitojnë asgjë. 410 milionë lekë merr sërish vilma për ilaçet në vetëm tre muaj. Përfitues sërish Rama-Beqa-Vilma, se ilaçe nuk ka, qytetarët nuk përfitojnë asgjë. Kjo është shëndetësia falas e Edi Ramës. Qytetarët pa ilaçe e pa shërbim, Rama-Beqa-Vilma, ndajnë miliona euro. Ky është korrupsioni që po e provojnë në lëkurë çdo ditë shqiptarët, që përmendet tashmë në çdo raport ndërkombëtar, nga Berlini në Uashington.