Pasojat që la CEZ-i dhe faturat marramendëse që paguajnë qytetarët

    428
    Sigal

    Qytetarëve vazhdojnë që t’u vijnë faturat e larta edhe pse është larguar CEZ

    Çdo ditë po flitet për stabilizim të situatës energjetike në vend, por çdo ditë qytetarët paraqiten pranë zyrave të energjisë për të paguar fatura të larta që ua ka lënë “trashëgimi” kompania energjetike CEZ, e cila u largua pra disa javësh nga Shqipëria. Por situata sipas qytetarëve mbetet sërish e vështirë, pasi faturat e larta energjetike po vazhdojnë që të vijnë dhe ankesat e tyre nuk po marrin zgjidhje, për arsye të ndryshme. Edhe tani qytetarëve shqiptarë po vazhdojnë që t’u vijnë fatura boshe në disa raste, apo fatura gati të dyfishuara, që i përkasin periudhës që energjia administrohej nga CEZ. Qytetarët shprehen se, nuk kanë rrugë tjetër, përveç asaj të pagesës së faturave të larta që u vijnë, edhe pse janë të bindur se ato nuk i kanë harxhuar paratë për aq fatura sa u kanë ardhur për të paguar. Qytetarët bëjnë të ditur për “Telegraf” se, ende po vuajnë dhe po paguajnë pasojat që ka lënë pas kompanie energjetike CEZ. Qytetarët theksojnë se nuk i kanë konsumuar faturat e dyfishuara që po vazhdojnë t’u vijnë për muajt e kaluar. Në menaxhimin e energjisë është krijuar një situatë kaotike, pasi ende nuk janë çuar në vendin e duhur gjërat. Pasi ishte periudha e kalimit të administrimit të energjisë nga CEZ te administruesit shqiptarë. Por kjo periudhë sërish po lë shumë pasoja tek qytetarët, pasi këtyre të fundit po u vijnë fatura të larta dhe nuk ua merr njeri në konsideratë ankesat që ato duan të bëjnë për problemet që kanë me energjinë. Një pjesë e qytetarëve u vijnë faturat bosh dhe një pjesë të qytetarëve u vijnë fatura mbi njëqind mijë lekë që duhet ti paguajnë. Qytetari A.Z, nga kryeqyteti, është shprehur për “Telegraf” se: “Me energjinë kemi pasur probleme herë pas here, më parë na vinin faturat shumë të larta, ndërsa tani na vijnë faturat bosh. Këtu shkohet nga ekstremi në ekstrem, nuk merret vesh nëse ka shtet apo nuk ka. Tani më erdhi fatura bosh për muajin dhjetor dhe janar dhe erdha të interesohem për këtë pasi nuk mund ti paguaj dy muaj njëherë. Por si përgjigje më thanë që ka dhe raste të tjera”. Këto janë pasoja të keqadministrimit që i bëri CEZ dhe padrejtësive që u bëri shqiptareve për më shumë se tre vjet.

    Faturat e larta s’kanë të sosur

    Në zyrat që bëhen pagesat për energjinë elektrike me dhjetëra qytetarë shkojnë për të paguar faturat e tyre. Por ajo që i bashkon një pjesë të mirë të tyre është se po vazhdojnë që tu vijnë fatura të larta edhe pse është larguar CEZ. Qytetarët shprehen të revoltuar për “Telegraf”, për arsyen që po paguajnë ende fatura të larta, për të cilat ato nuk kanë harxhuar. Sipas qytetarëve kompania CEZ nuk duhet të mbahej aspak në Shqipëri, pasi u bëri shumë padrejtësi qytetarëve. Shqiptarët asnjëherë nuk u dëmshpërblyen për pajisjet e djegura që u prishën nga rryma e lartë në disa momente, ato nuk e gjetën të drejtën e tyre edhe pas ankesave që bënë për padrejtësi me faturat. Ndërkohë që një problem tjetër prezent është edhe ardhja e faturave gati të dyfishuara për qytetarët të cilët gatuajnë me gaz, dhe nuk e konsumojnë korrentin. Thoma Budi, shprehet për “Telegraf” se: “Më ka ardhur fatura afërsisht njëqind e tetëdhjetë mijë lekë. Ndërkohë që më parë kam paguar deri në 30 mijë lekë, dhe nuk kam gatuar as nuk jemi ngrohur me korrent. Të njëjtin konsum energjie kemi bërë edhe tani, sepse jemi vetëm dy pensionistë dhe jemi munduar në maksimum që të kursejmë”. Ai shton më tej se: “Nuk kam me çfarë t’i paguaj, mora lekë borxh për t’i paguar, por këto janë pasojat e asaj që na la CEZ. Sepse këto janë faturat e muajit që e kishte CEZ në administrim energjinë”.

    Si paguajnë qytetarët energji të pakonsumuar

    Çdo ditë pranë zyrave qendrore të CEZ-it, paraqiten qytetarë për të bërë pagesa të energjisë së pakonsumuar prej tyre. Por ato shprehen se, nuk kanë rrugë tjetër pasi u ndërpritet kontrata dhe e drejta e tyre nuk gjendet asnjëherë. Ka shumë raste që qytetarët jetojnë jashtë shtetit dhe kur vijnë ndeshen me një super faturë energjie shumë të lartë që duhet ta paguajnë. Nuk u jepet asnjë alternativë tjetër përveç pagesës së faturës, pasi në të kundërt u ndërpritet kontrata. Nëse u duhet të marrin sqarime e kanë të pamundur pasi është e vështirë. Bëjnë ankesa të pafundme, por ato mbeten në sirtarët e zyrave dhe s’është e thënë që të jepen sqarime.