Osman Terziu: Qeveria të mbështesë pensionistët pa kaluar 75 vjeç, mos të futet në kompetencat e “botës tjetër”

    421
    Sigal

    Intervistë/Flet Osman Terziu, Kryetari i Shoqatës së Integrimit të Pensionistëve, për dështimin e sistemit të pensioneve, programin e Qeverisë dhe kërkesat e pensionistëve

    Në programin e saj Qeveria ka parashikuar reforma në mbështetje të moshës mbi 75 vjeç për një jetë normale.  “Ne mendojmë se Qeveria me këtë reformë futet në kompetencat e “botës tjetër”, pasi pjesa dërrmuese e moshës mbi 75 vjeç nuk jetojnë”, shprehet në një intervistë për “Telegraf” Osman Terziu, Kryetari i Shoqatës së Integrimit të Pensionistëve. Qeveria, sipas Terziut, duhet të mbështesë moshën e tretë nga mosha e daljes në pension e deri në 75 vjeç, sepse kjo moshë përbën dhe pjesën më të madhe të moshës së tretë. Sipas tij është mosha e tretë që e solli të majtën në pushtet sepse përbën 1/3 e elektoratit, ndaj dhe përkushtimi ndaj tyre duhet të jetë më i madh. Gjithashtu, kreu i pensionistëve tregon edhe kërkesat e moshës së tretë ndaj Qeverisë.

    Sa i plotëson nevojat, apo sa është i përshtatshëm për moshën e tretë, legjislacioni aktual i Sigurimeve Shoqërore dhe pensioneve?

    Në sistemin aktual ka një ligj që është një nga më diskriminuesit për moshën e tretë. Mosha e tretë sot, janë të gjithë ata që bënë luftën për çlirimin e vendit, janë ata që rindërtuan Shqipërinë e pasluftës, janë ata që punuan për 4 dekada e gjysmë në bujqësi, industri, fabrika, miniera kombinate, ushtri, arsim, shëndetësi e në të gjitha sferat e jetës, që derdhën djersë e gjak duke punuar vullnetarisht, por dhe duke kontribuar në skemën e Sigurimeve Shoqërore, pa përjashtuar këtu edhe të burgosurit e sistemit, të cilët ndonëse kryenin dënimin, kontribuonin edhe duke punuar në punë të rënda. Para viteve ’90,  raporti i kontributeve me të ardhurat, për punonjësit e bujqësisë ishte: 500 lekë në ditë të ardhura dhe paguheshin15,4 lekë në ditë. Ndërsa punonjësit e fabrikave, uzinave, kombinateve, industri-minierave etj, i jepnin shtetit 1.200 lekë të ardhura në ditë dhe paguheshin 19,4-20,4 lekë, të gjitha sipas kategorive që kishin punonjësit në atë kohë. Shteti i asaj kohe përdorte ligjin e akumulimit, që do të thotë se nga këto të ardhura shteti financonte shëndetësinë falas, arsimin falas, ushtrinë dhe pjesa tjetër shkonte për ripërtëritjen e prodhimit. Pra, nisur nga këto kontribute të moshës së tretë, është për të ardhur keq që sot ata, me pensionin që marrin, llogarisin bukën e gojës. Pensioni i tyre sot është sa 30% e pensionit të viteve para ’90-ës. Ligji për Sigurimet Shoqërore i vitit ’93, me ndryshimet e mëvonshme, prishi raportin mes kontribuesve dhe përfituesve, u bë një përmbysje e menjëhershme: nga 4-5 kontribues me 1 përfitues, u përmbys në 1 kontribues në 3,5 përfitues. Kjo erdhi si pasojë e mbylljes së aktiviteteve shtetërore, nga ku punonjësit dolën të papunë dhe në vend që të trajtoheshin me ndihmë sociale, u përfshinë në skemën e pensioneve, pavarësisht nga mosha i nxorën në pension. Për shkak të kësaj përmbysje, erdhi dhe falimentimi i skemës së Sigurimeve Shoqërore, duke i ngarkuar ata padrejtësisht.

    A jeni njohur me programin e Qeverisë?

    Jemi njohur me këtë program dhe përgjithësisht në fushën e reformave të pensioneve vihet re një përkushtim, veçanërisht për ndryshimin e raporteve kontribuues-përfitues, por përsa i përket kolonave të sigurimeve shoqërore, ne mendojmë se duhet të paraprijë patjetër kolona e sigurimeve shtetërore. Ndërsa përsa i përket reformës së mbështetjes së moshës mbi 75 vjeç për një jetë normale, ne mendojmë se qeveria me këtë reformë futet në kompetencat e “botës tjetër”, pasi pjesa dërrmuese e moshës mbi 75 vjeç nuk jetojnë. Kështu që i bëjmë pyetje qeverisë: Kur do të përfitojnë ata nga kontributet e tyre? Normalisht, mbështetja e moshës së tretë duhet të jetë nga 60-75 vjeç për gratë dhe nga 65-75 vjeç për burrat, pasi pas kësaj moshe, pjesa dërrmuese e tyre është e atashuar në botën tjetër.

    Sa të përfaqësuar jeni ju në këtë program?

    Shoqata për Integrimin e Pensionistëve ka paraqitur një program të detajuar për ministritë e linjës, si: Ministrisë së Punës, Ministrisë së Financave, Ministrisë së Shëndetësisë, Ministrisë së Integrimit, të Transporteve, të Drejtësisë, Avokatit të Popullit, ISSH-së dhe ISKSH-së. Ky program është dërguar që kërkesat dhe nevojat e moshës së tretë të përfshihen në programin e Qeverisë. Pensionistët e Shqipërisë zënë 1/3 e elektoratit zgjedhor dhe ndikojnë kryesisht në përmbysjen dhe ardhjen e pushteteve, por për këtë kategori që është pjesa më e madhe e shoqërisë civile, shprehur në numër 573 mijë, duke përfshirë të gjitha strukturat e moshës së tretë, këto përdoren nga forcat politike vetëm në fushata elektorale. Duke shfrytëzuar varfërinë e tejskajshme të kësaj moshe forcat politike kanë ardhur në pushtet në formën e mashtrimit, pasi gjatë fushatës deklarojnë për plotësimin e të gjitha kërkesave të kësaj moshe dhe me ardhjen në pushtet i harrojnë ata, duke i cilësuar si “konsumatorë të shtetit”. Shoqata për Integrimin e Pensionistëve së bashku me shoqata të tjera, mbështetur nga grupi i deputetëve të LSI-së, ka hartuar një projektligj për moshën e tretë, e cila për fat të keq qëndron në sirtaret e qeverive, por dhe në qeverinë e re. Është për t’u habitur me qeveritë paraardhëse që këmbëngulin për statutin e Shqipërisë në BE, kur vetë këto qeveri akoma nuk ia kanë dhënë statutin 1/3 të popullsisë së vet. Prandaj, përsa më sipër, Shoqata për Integrimin e Pensionistëve ka vënë në dijeni ambasadorët e OSBE-së, KE-së dhe Ambasadën Amerikane, ndërkohë po përgatit një material dinjitoz për Këshillin e Ministrave të Europës dhe Departamentin Amerikan për përfshirjen e statutit të pensionistëve në programin qeverisës, duke kërkuar e kushtëzuar statutin e Shqipërisë në BE, gjithashtu do të informojë të gjithë ministrat e jashtëm të 28 vendeve të BE-së.

     Statistika

                                                       1990                    2013

    Pensioni min.i shtetit    350 lekë/muaj           14.200 lekë/muaj

    Pensioni max                700 lekë/muaj            24.580 lekë/muaj

    A do e mbajë Qeveria premtimin elektoral për rritjen e pensioneve?

    Premtimi elektoral i Qeverisë së sotme, përsa i përket pensioneve, ishte rritja e tyre në fund të vitit 2013. Ndërkohë që, sipas Nadeem Ilahi, përfaqësuesi i FMN-së, shifra e borxhit publik e kalon 72%” të Prodhimit të Brendshëm Bruto, që do të thotë ndërmarrje të reformave nga Qeveria e re për uljen e Borxhit të Brendshëm. Me pak fjalë, kjo do të thotë që nuk ka rritje të pensioneve, të paktën jo deri në qershor të vitit 2014.

    Kërkesat e pensionistëve drejtuar Qeverisë:

    Ne kemi këto kërkesa nga qeveria të cilën kemi votuar:

    1)Kalimin e projektligjit në Qeveri e Parlament

    2)Përfaqësimin në dikasteret dhe institucionet përkatëse për implementimin e statutit

    3)Kalimin e ISSH-së në Ministrinë e Punës (në përshtatje të vendeve të BE-së)

    4)Kalimin e Drejtorisë së Ushqimit Social në varësi të Ministrisë së Punës (në përshtatje të vendeve të BE-së)

    5)Rritjen e pensioneve në masën 10% për qytetin, 12 % për fshatin

    6) Dhënien e shpërblimit , pensioni i 13-të për festat e fundvitit

    7)Heqjen e TVSH-së dhe tatimit mbi fitimin për medikamenteve mjekësore

    8) Zbatimin e ligjit për shërbimin parësor në familje

    9) Shtimin e numrit të medikamenteve mjekësore të rimbursueshme të moshës së tretë

    10)Kontrolli i medikamenteve mjekësore dhe mossorollatja e pacientëve të kësaj moshe, dyerve të poliklinikave dhe spitaleve duke shkurtuar problemet burokratike shëndetësore

    11)Rikthimin e aseteve, si kampeve verore bregdetare, të ujërave termale, të dhëna me qira nga qeveritë Sindikatës dhe Konfederatës (t’u ndërpritet kontrata dhe tjetërsimi) e t’u kalojnë në varësi të Ministrisë së Punës për punonjësit e administratës dhe moshën e tretë

    12)Të mbështeten pensionistët e vetmuar, të braktisur dhe në nevojë me ndihma ushqimore që sot janë rreth 90 mijë në Shqipëri

    13) Të ngrihen dhe funksionojnë qendrat sociale, multisociale në çdo bashki për moshën e tretë

    14)Të rritet kapaciteti i shtëpive të moshuarve

    15)Të hartohet projektligji për solidaritetin e detyruar familjar