Nis sot testimi i 1.857 arsimtarëve të Tiranës

    430
    Ditën e sotme starton testimi i mësuesve të shkollave 9-vjeçare dhe të mesme të Tiranës për të matur nevojën për kualifikim që ata kanë. Provimi do të zhvillohet në dy ditë, pasi ai pritet të mbyllet në datën 11 nëntor. Në total do të jenë 1.857 mësues që do t’i nënshtrohen këtij provimi, ndërsa përjashtim bëjnë vetëm 1.443 mësuesit që kanë mbi 20 vite eksperiencë pune dhe kanë marrë shkallën e kualifikimit “Mësues Mje-shtër”. Në total, sipas të dhënave nga Drejtoria Arsimore Rajonale Tiranë, janë 3.300 mësues. Mësuesit testimin do ta bëjnë në grupe të vogla me maksimumi 20 mësues, pasi ai do të zhvillohet online, në 6 qendra vlerësimi, dhe në total do të ketë 30 pyetje me alternativa. Qendra e vlerësimit janë shkollat-pilot të klasave inteligjente me tableta si, gjimnazi “Partizani”, “Ismail Qemali”, “Petro Nini”, “Sami Frashëri”, “A. Z. Çajupi”, “Sinan Tafaj”.

    Sipas udhëzimit të MAS, struktura e testit që do të plotësojnë mësuesit përbëhet nga katër fusha, që janë: Planifikimi; Mësimdhënia dhe të nxënit; Etika dhe komunikimi; Zhvillimi profesional. Secila prej këtyre fushave ka disa çështje të cilat kanë lidhje me formimin e mësuesit. Dhe, në bazë të testit të instrumentit, do të shikohen nevojat për kualifikim për secilin prej mësuesve. Kërkesat e instrumentit fokusohen kryesisht në situata nga konteksti real i shkollës, pavarësisht profilit apo ciklit ku mësuesi jep mësim. Instrumenti (testi) ka 30 pyetje me alternativa dhe zhvillohet për 60 minuta në formë dixhitale. Në përfundim të pyetësorit mësuesi njihet menjëherë me përgjigjet e instrumentit që ka plotësuar. Në varësi të rezultateve të testit, për secilin mësues përcaktohen fushat ku ai ka nevojë për zhvillim profesional.
    Sigal