Sonila Qato: Fatura e pronave, 135 miliardë lekë

956
Fondi i kompensimit të pronave arrin në vlerën 135 miliardë lekë, 50 miliardë lekë është vlera e kompensimit në të holla dhe rreth 85 miliardë lekë është vlera e kompensimit fizik. Në Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave janë 26 mijë dosje pronarësh, që pretendojnë t’u kthehet një sipërfaqe totale prej 75 mijë hektarësh tokë. Shifrat janë bërë të ditura dje, në Komisionin e Ekonomisë, nga drejtoresha e Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, Sonila Qato, gjatë prezantimit të projektligjit për trajtimin e pronave. “Projektligji vë në dispozicion të pronarëve, për herë të parë, një vlerë financiare prej 50 miliardë lekësh, që do të thotë rreth 10 herë më e madhe se fondi financiar në këto 10 vitet e fundit”, – tha drejtoresha e AKKP-së, Sonila Qato. Veç fondit financiar, agjencia ka në dispozicion edhe një fond fizik, vlera totale e të cilit llogaritet rreth 85 miliardë lekë, dhe që përbëhet nga objekte, tokë bujqësore apo pyje e kullota. 

“Ka ende tokë bujqësore për t’u identifikuar dhe për t’u vënë në dispozicion të këtij fondi fizik, sikurse pjesë e tij do të jenë dhe vendimet e Agjencisë së Trajtimit të Pronës, gjatë trajtimit të rreth 11 mijë dosjeve që presin të trajtohen, nëpërmjet zbatimit të formulës që jep ky projektligj. Agjencia ka 26 mijë kërkesa për kompensim, të cilat ngrenë pretendime mbi rreth 75 mijë hektarë tokë. Por për opozitën, përmes këtij ligji qeveria nuk u jep pronarëve atë që meritojnë. Këtu flitet për një interes të mirëfilltë publik, që përfaqëson interesat shumë të drejta të pronarëve, të cilëve, pas gjithë këtyre viteve zvarritje dhe vitet e mëparshme kur janë privuar nga e drejta e pronës, duhet t’u rikthehet në një mënyrë, brenda mundësive të shtetit të realizohet kjo e drejtë”, – tha Qato.

Komisioni 
Komisioni për Ekonominë dhe Financat shqyrtoi dje projektligjin “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave”. Drejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, Sonila Qato, bëri edhe një paraqitje të shkurtër të ecurisë së procesit të kompensimit financiar e fizik të pronës. “Projektligji vjen duke ndryshuar komplet objektivin e tij, i cili trajton pronën dhe kërkon përfundimin e procesit të kompensimit të pronës, një proces i cili rezulton të jetë i dështuar në këto 23 vite proces. Shqetësimi i ardhur, është se numri i madh i vendimeve të cilat janë apeluar apo janë duke u shqyrtuar nga Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut, janë duke u rritur. Projektligji sjell një zgjidhje e cila mbulon çështjen e kompensimit të pronës, përmes një formule të re, si dhe u jep një zgjidhje çështjes së 11 mijë dosjeve, që presin vendimmarrjen pranë AKKP-së sot dhe kompensim sipas rastit”, – tha Qato. Drejtoresha e AKKP-së u shpreh se duhet të kompensohen 74 mijë hektarë tokë, ndërkohë që në dhjetë vjet, nga 2005-sa deri në 2014-ën, janë kompensuar vetëm 16 hektarë tokë, në vlerën 4.3 miliardë lekë. 

Në emër të deputetëve të PD-së, Ridvan Bode tha se këto ndryshime bien ndesh me Kushtetutën e vendit. “Ky ligj përbën një moment të rëndësishëm të debatit politik në vend. Është e vërtetë që, çështja e kthimit dhe e kompensimit të pronave të të shpronësuarve gjatë regjimit komunist, ka kaluar procese debatesh me shoqatat për kthimin dhe kompensimin e pronave dhe me institucionet e tjera. Është e vërtetë që, për shkak të kufizimeve financiare, ritmet e kompensimit të pronave kanë qenë jo ato të priturat. Sigurisht që është një përpjekje e lavdërueshme dhe duhet përkrahur. Por një akt i miratuar në mënyrë të njëanshme dhe që nuk merr në konsideratë interesat legjitime të të gjithë grupit shoqëror të të shpronësuarve gjatë regjimit komunist, mendoj se nuk bën një zgjidhje të qëndrueshme dhe të drejtë. Në rrethanat që ka vendi, nuk përbën një zgjidhje kushtetuese. Akti që ka sjellë qeveria mënjanon konsultimin e gjerë me përfaqësuesit e kësaj shtrese shoqërore në vend dhe nuk jep përgjigjen që do të ishte e pranueshme nga ana e opozitës”, – theksoi Bode.
Sigal