Nebi Çela/ Lufta pa kompromis kundër korrupsionit, shpresë dhe fitore për Qeverinë e re

    450
    Sigal

    Qëndrimet burokratike e korruptive të punonjësve në administratën shtetërore janë bërë të zakonshme. Për këtë dua të bëjë publike një nga rastet konkrete (e si të tilla ka me dhjetëra) të veprimeve dhe qëndrimeve antiligjore të punonjësve të sigurimeve shoqërore, në llogaritjen dhe rillogaritjen e pensioneve të ushtarakëve. Ligji 10142, datë 15.06.2009 dhe në veçanti Akti Normativ nr. 5 datë 10.11.2010, i nxjerrë nga Sali Berisha; diskriminoi në mënyrë çnjerëzore ushtarakët, midis të tjerave përgjysmoi pensionet e fituara me ligjet e para 1 Korrikut 2009. Nuk mjaftuan shkurtimet drastike të bëra nga ligjet e cituar më lart, por mbi to vazhdon llogaritja e dyshimtë e pensioneve nga punonjësit e Drejtorive Rajonale të Sigurimeve Shoqërore. Për rrjedhojë, qindra ushtarakë në rezervë e pension janë kthyer në debitorë ndaj Sigurimeve Shoqërore që shkojnë deri në vitin 2015-2016, ku u ndalet deri 50% e pensionit mujor për çdo muaj. Shqetësimet e lindura tek ne ushtarakët janë të shumta. Për këto veprime arbitrare që në shumë raste janë të pabazuara në ligj, por vetëm në urdhra e udhëzime të eprorëve të tyre; ankesë-kërkesave të bëra në Drejtorinë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore, Vlorë e deri tek Instituti i Sigurimeve Shoqërore ngelen pa përgjigje duke iu shmangur ballafaqimit me ligjin. Këtë fakt e vërtetojnë me dhjetëra gjyqe të denoncuara nga ushtarakët e të fituara prej tyre.

    Një gjendje e shëmtuar dhe e pamoralshme shfaqet në arkat e shpërndarjes së pensioneve në qytetin e Vlorës. Pensionistët, burra e gra të moshuar e të sëmurë me sëmundjet e moshës, detyrohen të rrinë në radhë, jo me orë, por me ditë të tëra për tërheqjen e pensionit. Duke qenë se banka nuk furnizon me sasinë e nevojshme të parave, pa filluar mirë shpërndarja arkëtarja komunikon: “mbaruan paratë, hajdeni ditën tjetër”; dhe kjo vazhdon çdo ditë të javës dhe çdo javë të muajit. Nëpunësit e këtyre arkave si kudo, janë nga më të korruptuarit; shumë pensionistë në këmbim të një lehtësie në tërheqjen e pensionit japin ryshfet. Ky korrupsion banal nuk është ves vetëm i këtyre nëpunësve të krimbur; metastazat e tij shtrihen nga të gjitha anët, nga lart deri poshtë. Modeli qeverisës i “Sali Bollëkut” e ka infektuar gjithë shoqërinë shqiptare; edhe qytetari më i varfër ekonomikisht kur i lind nevoja për të zgjidhur një problem në organet shtetërore më përpara mendojnë për ryshfetin, “shokun” apo “mikun”.

    Qeveria e Rilindjes me Edi Ramën kryeministër, midis qindra problemeve që kërkojnë zgjidhje, prioritare ka dhe ndryshimin rrënjësor të modelit të qeverisjes së korruptuar të Sali Berishës, që për 8 vjet në pushtet, vodhi, shkatërroi dhe rrënoi tërë ekonominë dhe pasurinë kombëtare. Që nga Kryeministri, ministrat dhe tërë administrata, ta fillojë punën nga vetja. Është koha që parulla e dikurshme “Të udhëheqim e drejtojmë me shembullin personal” të bëhet motoja e punës së përditshme. Vetëm me ndershmëri, ndërgjegjje të pastër dhe me moral të panjollosur, me guxim e vendosmëri të palëkundur, mund të përballohen dhe të zgjidhen detyrat e së ardhmes. Duke i kërkuar vetes, qeveria e re të kërkoj e të vërë në zbatim ligjet e shtetit; të dërgojnë pa hezitim para drejtësisë kushdoqofshin ata që kanë abuzuar me detyrën.

    “Qeveria e Rilindjes” me Edi Ramën në krye mund të korrigjojë e të normalizojë këtë katrahurë dhe mentalitet të sëmurë që ka prekur tërë shoqërinë shqiptare, e lënë trashëgim nga qeveria që iku, që populli me zgjedhjet e 23 qershorit e përzuri nga pushteti me daulle, për të mos ia parë më fytyrën kurrë.

    Kryetar i SHKUR, Vlorë