Misim Hysenaj/Ja kush po i penalizon fermerët e komunës Ndroq

    77

    Opinion/Pushteti lokal nuk funksionon, pushteti qendror nuk e kontrollon

    *Topografi

    Fermerët e komunës Ndroq penalizohen për marrjen e certifikatave të pronësisë për mëse një dekadë e gjysmë,  për shkak të burokracirave të kota. Nuk di nëse krijimi i Zyrës për Verifikimin e dokumentacionit teknik dhe ligjor të fermerëve dërguar nga komunat, pranë Qarkut të Tiranës, është hallkë e nevojshme apo fiktive si ndërmjetëse mes komunës dhe Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Tiranë. Nëse mund të flasim për materialin hartografik kadastral që disponon Qarku i Tiranës, aty disponohen hartat e shkalles 1/5000 të kohës para viteve ‘90 , të paazhornuara dhe ndryshuara, të fermave dhe ish-kooperativave bujqësore. Nga ana tjetër nuk është bërë azhornimi dhe ndryshimi në materialin hartografik të asaj kohe për të ndryshuar zërin kadastral nga pyll, kullotë ose djerrinë, në zërin e ri kadastral bujqësor, tokë e punueshme si arë ,vresht , pemtore ose ullishte, kur faktikisht ekonomia bujqësore i shfrytëzonte si të tilla. Mbasi doli ligji 7501, dt. 19/07/1991, këto zëra kadastralë  dhe të tjerë iu ndanë fermerëve, sepse u gjetën faktikisht si arë, vresht, pemtore etj. Kur fermeri kërkon të përgatisë dokumentet për të marrë certifikatat e pronësisë dhe këto dokumente komuna ia përcjell Qarkut të Tiranës, dhe ajo fillon kontrollin në hartën fiktive të paazhornuar dhe pandryshuar, vreshti ose toka arë etj, e ndarë, i del pyll dhe i kthen përgjigje komunës se këto dokumente nuk mund të kalojnë, mbasi harta jonë këtë zë kadastral ose atë zërin tjetër e ka pyll , kullotë, djerrë apo ku e di unë se çfarë, në një kohë që kjo tokë është futur që në vitet ‘80  në fondin e tokës së punueshme në statistikat e shtetit të asaj kohe. Kjo zyrë e këtij komisioni, i krijuar pranë Qarkut është fiktiv, persekutuese për fermerët  dhe antikushtetuese dhe për më tepër i vjen era korrupsion. Theksoj dhe nuk mund ta provojë askush të kundërtën, se Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Tiranë, funksionon shumë mirë dhe duhet falenderuar për punë shumë të mirë e të shpejtë që bën. Ajo ka të gjithë dokumentacionin e nevojshëm teknik dhe ligjor, që nuk lejon të kalojnë veprime të paligjshme. Pushteti lokal nuk funksionon, pushteti qendror nuk e kontrollon, ligjin e bëjnë monopolet në të gjitha hallkat. Unë do të flas me fakte konkrete për penalizimin e fermerëve në komunën e Ndroqit, por mendoj se ky fenomen ndodh edhe në komuna të tjera. Ky penalizim për fermerët e Komunës Ndroq ndodh për shkak të dilentatizmit të drejtuesit të komunës, Pëllumb Qurri. Por fenomeni në 80% të rasteve, është topografi Erion. Ligjësitë e zhvillimit të veprimtarisë ekonomike të kapitalizmit, mbi ndarjen e punës janë universale dhe nuk varen nga individi nënpunës. Ai është vetëm një robot. Zoti Erion merr përsipër ndarjen e punës, për përgatitjen e dokumentacionit teknik të fermerëve, për të marrë certifikatat e pronësisë duke i dhënë të drejtën një ose dy topografëve të preferuar, duke e monopolizuar kështu punën e topografit. Ndërsa me ligj topografëve të licensuar e profesional u njihet e drejta ligjore të ushtrojnë profesionin privatisht në të gjithë republikën. Këtu kemi të bëjmë me veprime sekserësh, ku korrupsioni është kthyer në fenomen. Fenomeni Erion  u nxjerr pengesa të ndryshme fermerëve për të marë certifikatat e pronësisë. Erioni nuk mund të dalë mbi ligjin, bëhet përjashtim kur një çështje është në proces gjyqësor. Kemi raste që dokumentet e fermerëve pengohen për një firmë në komunë, kur firmën e ka kërkuar Z.V.R.P.P. Tiranë. Kemi raste që dokumentet mbahen një vit e ca në sirtarët e Erionit dhe këto janë me dhjetra dosje dhe Erioni justifikohet se do të shkojë t’i kontrollojë në terren, kur kjo punë mund të bëhet për një ose dy ditë në muaj. Fermerët që i ka penalizuar Erioni në 80% të reasteve për të mos marrë certifikatat e pronësisë janë; znj. Mereme Kertalli, Z.Mahmut Domi, i cili shtëpinë e ka blerë dhe tokën e ka marë me ligjin 7501. Kemi Remzi Imeraj, Zydi Azunin, Ferik Hidrin, Qerim Lamin, Ramazan Calin, Sure Calin etj, që Erioni i ka penalizuar për të mos marrë certifikatat e pronësisë. Zv.Ministri i pushtetit lokal, z.Ferdinant Poni për mos funksionimin e pushtetit lokal përsa u fol më sipër duhet të dërgojë kontrollin e shtetit në këtë komunë, por edhe në komuna të tjera atje ku vërehen shkelje të rënda ligji që zvarrisin fermerët në marrjen e certifikatave të pronësisë. Ndryshe pushteti qendror bashkë me pushtetin lokal ka lejuar me dashje krijimin e monopoleve në të gjitha hallkat më të imta dhe i mbron ato duke bërë ligjin e antiligjit. Çështja e Ndroqit dhe në veçanti e fenomenit Erion duhet t’i kalojë në ndjekje penale, Prokurorisë së rrethit Tiranë nga vetë fermerët.