Mira Pirdeni/ Jo dhunës, jo disbalancave!

    435
    Sigal

    Fushata Globale “16 ditë aktivizim kundër dhunës”  filloi më 25 nëntor në Ditën Ndërkombëtare të Eliminimit të Dhunës Kundër Gruas deri në 10 dhjetor,  Dita Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut, me mesazhin që i adresohet jo vetëm, djemve dhe burrave, por edhe shoqërisë në tërësi: “Djemtë dhe burrat, pjesë e zgjidhjes – tregoni se jeni kundër dhunës !” Dhe jo vetëm fushata kundër dhunës, por dhe aktiviteti ynë humanitar, me rastin e Festave të Nëntorit, për 7 familje të dhunuara, dhuruar nga një grua, Luljeta Dalliu Ymeraj, e cila jeton në Londër.

    Një e re, që i ka kursyer vetes luksin absurd dhe bosh, kontribuon për komunitetin, në të cilin ka jetuar, duke na shkaktuar emocione të forta! Po ju kursej detajet e lemerishme të varfërisë ekstreme, dhunës së pashembullt, që na frymëzuan për të organizuar mbrëmjen poetike: “Emancipim dhe Zhvillim”, me pjesëmarrjen e dy grave të fuqishme, poeteshës Rita Petro dhe Sopranos, “Mjeshtër i Madh” Prof. Shqipe Zani, gra të eksperiencave të jashtëzakonshme dhe transmetimit të tyre në favor të emancipimit shoqëror! Ne nëpërmjet këtij bashkëpunimi kërkojmë të përçojmë tek gjeneratat vlerat tona më të mira dhe të rrisim ndërgjegjen komunitare duke sjellë një model si ky i sotmi ku banorët, intelektualët, shoqëria civile, pushteti lokal janë të gjithë bashkë kundër çdo lloj dhune. Në të gjithë botën arti ka luajtur dhe luan një rol të madh shoqëror! Nevoja për ndryshim transmetohet aq mjeshtërisht nëpërmjet poezisë emocionuese, goditëse të Rita Petros dhe muzikës kombëtare, të cilësisë më të lartë, interpretuar nga Sopranoja e mirënjohur Prof. Shqipe Zani.

    Poezia e Ritës, është poezi emancipuese, Rita është mjeshtre e formës së shkurtër, që nuk kërkon durim heroik për ta kuptuar. Rita të mahnit me qëndrimin e saj jashtëzakonisht të esëllt, thjeshtësinë dhe njëkohësish aq moderne!  Ja perse jam e frymëzuar! Poezia e Ritës tregon se çfarë nxënësie të brendshme mund të ketë shkurtësia, me çfarë ngjeshje kjo gjë e vockël përfshin tërë plotësinë e jetës, duke arritur një madhështi për nga forca dhe ndikimi artistik që mund t’ja kalojë  dhe një vepre madhore voluminoze, që të derdh në shpirt një  mërzi të nderuar! Ne e kemi përdorur këtë poezi për të dhënë mesazhe të rëndësishme shoqërisë si neglizhenca dhe abuzimi me të moshuarit, paaftësia e një Parlamenti për të miratuar një ligj, në favor të moshuarve, që rri për vite mbi tryezë, ndërkohë që, nuk përtojnë të përgatisin ligje në favor të vetes:

    Kurora

    Kurora me gjemba

    Mbet përjetësisht

    mbi kryet e Krishtit.

    Kurora e lavdisë

    Shëtit kokë pas koke

    Te mëkatarët.

     Ky bashkëpunim përpiqet për zhvillim dhe emancipim shoqëror dhe ndryshimin e atyre dinamikave, të cilat krijojnë disbalancën. Rrjedhimisht ky është një moment strategjik për të rritur procese alternative, iniciativa, propozime dhe ide që na mundësojnë për të përparuar një drejtësi më të madhe politike, sociale, ekonomike, gjinore, mjedisore dhe kulturore. Në vend të një shoqërie të bazuar në progresin material të pakufizuar dhe zhvillimin e demokracisë me intensitet të ulët. Ne të gjithë bashkë duhet të propozojmë standarde të fokusuara në qëndrueshmërinë e jetës, për njohjen dhe organizimin e demokracisë pjesëmarrëse në mbrojtjen e jetës së komunitetit, mbi politizimin e jetës ditore në kundërshtim me sistemin e krijuar. Realizimi i axhendave me një qasje emancipuese do të jetë prioriteti ynë, duke mbështetur reduktimin e zhbalancimeve, si një aspekt i politikës. Ne kemi nevojë për një përpjekje kolektive kombëtare: për këtë po ju sjell në vëmendje posterin e DecemlandVvorld

     *Shoqëria Shqiptare për të Gjitha Moshat ASAG