Mehmet Metaj: Pyjet tona “pronë pa zot”. Menaxhimi i mirë, “bum” ekonomik për zonat rurale

    468
    Sigal

     Flet Mehmet Metaj, Drejtor Ekzekutiv i “Qendra Albaforest”, për pyjet dhe zhvillimin rural

    Shqipëria jonë mbetet ekonomikisht “e mjerë”, me gjithë dy avantazhet historike, leva të zhvillimit që ajo ka: Pozicioni gjeografik dhe trashëgimia e burimeve natyrore. Ajo mbetet ende vendi më i varfër i Europës, falë vandalizmave, keqpërdorimit dhe injorimit të tyre dhe sidomos kontributit tonë permanent në shfarosjen barbare të burimeve natyrore, pa asnjë strategji kombëtare zhvillimi, bazuar në këto burime. Nga pasuritë tona natyrore kombëtare më të masakruara dhe të përçudnuara janë pyjet, të cilat iu dhanë për administrim komunave të vendit, por pa administratën menaxhuese, ndaj ato sot janë pronë pa zot. Kështu shprehet në një intervistë për “Telegraf” inxhinjeri i pyjeve Mehmet Metaj, Drejtor Ekzekutiv i “Qendra Albaforest”. Z.Metaj mendon se me një menaxhim të mirë të burimeve tona natyrore dhe me disa projekte modeste, zonat rurale do të njohin një bum ekonomik.

    A ka qenë e menduar dhe efektive dhënia e pyjeve, komunave në Shqipëri ?

     Në një gjendje impasi Qeveria me justifikimin se s’mund t’i qeveriste dot pyjet me miratim të KM pas vitit 2005 gjeti “zgjidhjen” në formën më të papërshtatshme dhe u dhanë 50 % (750,000 ha)  të pyjeve dhe kullotave komunave pa administratën teknike-menaxhuese. Por, pa administratën menaxhuese, këto pyje janë sot res nullius (pronë e askujt), të paregjistruara nga komunat dhe “të bëra dalje” nga shteti dhe kur në shumicën e komunave të vendit nuk janë ndarë përfundimisht kufijtë administrativ dhe ka mbivendosje të sipërfaqeve dhe këto pyje kanë mbetur ende të paregjistruara prej tyre. Dhe kjo u bë që në fillim, e pamenduar dhe në kushtet, kur komunat tona kanë mungesën e kapaciteteve të tyre njerëzore dhe financiare. Dhe këto pyje sot janë në mëshirë të fatit, pa administratë mbarështuese lokale dhe 50 % e zjarreve të kësaj vere kanë qenë në këto pyje.

    Sa e si mund të përfitojnë më shumë zonat e varfra-rurale, komunat nga përdorimi i pyjeve dhe prodhimeve pyjore dhe jo-pyjore?

    Lidhur me zhvillimin e zonave rurale bazuar në potencialin e burimeve natyrore ekzistuese të tyre dhe sidomos të pyjeve, kullotave dhe bimëve mjekësore që kanë marrë në përdorim,  ka përvoja dhe tradita shekullore në vendet e tjera perëndimore, por e eksperimentuar vite më parë dhe tek ne, në zona të varfra rurale, në formën e kooperativave bujqësore-pyjore, që sot “në përvojën europiane, janë modelet e zhvillimit të integruar rural”. Ne kemi zona të tëra në Shqipërinë veriore dhe jug-lindore që kanë pak ose aspak tokë bujqësore dhe ku dalja nga varfëria, punësimi dhe përmirësimi i jetesës mund e duhet të bazohet vetëm duke përdorur burimet natyrore (pyjet, kullotat, bimët mjekësore dhe tanifere, ujërat, peshkimin malor, vlerat eko-turistike, turizmi-malor-trekking-hiking etj). Dhe përvoja të tilla të sprovuara dhe të gjalla për këtë janë Franca në Perëndim, e cila ka ndërtuar  në këto zona “komuna pyjore”, ku komunat, gjithë banorët e tyre punojnë në pyje, me një kalendar aktivitetesh-gjithëvjetor-pyjor, bëjnë prodhim dhe tregtim-drush zjarri, punime silvikulturore-pyjore si: përmirësim pyjesh, pyllëzime, por dhe prodhimet e dyta pyjore (rrëshire pishe, esenca pishash dhe bimësh mjekësore e drusore), bimë mjekësore, kërpudha, biomasë etj, dhe në Ballkan-Turqia-që ka kooperativa pyjore: Këto janë zhvilluar praktika të “small-scale enterprises” që punojnë në pyje dhe për pyjet. Dhe tek ne këto praktika duhen futur në politikat e zhvillimit të këtyre zonave dhe janë tashmë e vetmja zgjidhje për zonat e varfra rurale-malore.

    Si duhen futur këto praktika që ju sapo cituat tek ne?

    Të tilla praktika duhen introduktuar fillimisht në një apo disa projekte-pilot në veri dhe jug-lindje të vendit, duke e nisur nga zonat me traditë në punët me pyjet si: Puka, Kukësi, Mirdita, Mati, Dibra, M.Madhe, Shkodra, Korça, Kolonja, Librazhdi, Gramshi, por duke patur parasysh dhe rehabilitimin, edhe stabilizimin njëherë e përgjithmonë të ujëmbledhësit të Drinit (i cili është rreth 5000 km2 ose zë 1/3 e territorit pyjor të vendit).

    A ka ndonjë projekt të tillë?

    Një projekt i ri sapo ka nisur të hartohet dhe për Shqipërinë nga Banka Botërore në bashkëpunim me Sida’s, Axhensia Suedeze e Zhvillimit dhe BE-në për “Shërbimet Mjedisore në Pyje” dhe që konsiston në subvencionimin e fermerëve për aktivitete e tyre të munguara bujqësore-që ata të mos merren me mbjelljen e kulturave bujqësore prashitëse që shkaktojnë erozion (erozion/gërryerje/rrëshqitje toke dhe ndihmojnë përmbytjet) dhe që nuk ju sjellin atyre ndonjë fitim ekonomik të konsiderueshëm dhe të marrin për këto subvencione-kompensuese dhe të ruajnë natyrën dhe rrisin-diversifikojnë aktivitete në përdorimin e këtyre burimeve natyrore ekzistuese, të rritin funksionet publike dhe eko-turistike të pyjeve të tyre etj.

    Sa do të ishte shuma për të krijuar modele të qëndrueshme në këto zona?

    Shqipëria është një vend me rreth 50 % zona dhe popullsi rurale dhe që e ka të vetmen alternativë zhvillimi “përdorimin e burimeve natyrore” në këto zona rurale. Dhe fillimisht nuk do të duheshin shuma të mëdha, por me një projekt rreth 20 mln $US (që tashmë është planifikuar nga BB-re, 2013-2017) do të mund të krijoheshin modelet e qëndrueshme në këto zona, të cilat pastaj do të ecnin vetë duke “thithur” projekte nga programe të ndryshme rajonale dhe Europiane, si: BE/IPA SEE, BSC, INTERREG, Natura 200, etj, për ruajtjen e natyrës dhe të biodiversitetit, të habitateve dhe biokorridoreve dhe të zhvillimin e turizmit malor.