Luksi i pushtetarëve, sa kushton një seancë në kuvend? Veshjet, makinat dhe bizhuteritë e deputetëve vlejnë 2,3 milionë euro

    198
    Veshjet, makinat, bizhuteritë e deputetëve me të cilat shkojnë në seancë, kushtojnë afro 2.3 milionë euro
    Luksi i ligjvënësve shqiptarë, pasqyrë e moralit, korrupsionit, privilegjeve dhe përfitimeve ligjore që i kanë caktuar vetes
    Gazeta “Telegraf”, po publikon sot një raport investigimi, të kryer me përafrim në një ditë të seancës parlamentare, lidhur me luksin personal me të cilin, çdo të enjte ata shkojnë në seancat parlamentare. Kur shikon deputetët e zhytur në luks, të krijohet përshtypja sikur nuk je në një mjedis ku flitet për hallet e popullit që ata përfaqësojnë, sikur nuk je një në institucion ku bëhen ligje për zhvillimin dhe fatet e vendit, por sikur je në një ballo familjesh të pasanikëve më të kamur të botës! Sipas llogaritjes mesatare, të kryer nga “Telegraf”, mund të thuhet se veshja, makinat, telefonat celularë dhe bizhuteritë personale të 140 deputetëve, kushtojnë afro 2.3 milionë euro. Ata shkojnë në seancat parlamentare me celularë që kushtojnë 1000 euro, me kostume e veshje të tjera, që kushtojnë deri në 10-15 mijë euro, me orë dore që kushtojnë deri në 10-20 mijë euro, me syze dielli e pune që kushtojnë deri në 10 mijë euro, me unaza, gjerdanë, varëse, vathë e byzylykë floriri e diamanti, që kushtojnë 10-30 e deri 50 mijë euro, me çanta dore që kushtojnë deri në 10 mijë euro, me makina që kushtojnë nga 25-100 mijë euro e deri me stilime ditore flokësh e mjekrash që kushtojnë sa 1 pension mujor invaliditeti! Ku i kanë gjetur, ndërkohë që dihet se afro 80% e tyre e kanë nisur karrierën e deputetit me abone autobusi në xhep, me biçikletë rrangalla, me kostume “gabi” e madje edhe me listë ushqimesh tek dyqani lagjes dhe fshatit? Ndërsa tani janë zhytur në veshje luksi, që nuk i kanë as sheikët e botës, as miliarderët e Evropës, as pasanikët e SHBA, Australisë dhe bosët e mafies! Por ja që i kanë deputetët shqiptarë dhe këtë luks e shikon çdo të enjte, kur ata shkojnë në parlament dhe kapardisen si “kapo” të këtij vendi e të këtij populli, duke ekspozuar luksin e veshjes, bizhuterive, telefonave, makinave e deri lyerje-ngjyerjes së fytyrave! Çfarë ndodh? Deputet janë tjetërsuar, një një “klasë agallarësh” që fëmijët, vilat e qejfit dhe llogaritë bankare të mbushura me vjedhje e korrupsion nëpërmjet detyrës, i kanë jashtë shtetit. Pushimet i bëjnë jashtë shtetit, nëpër resorte luksoze. Ndërsa në Shqipëri, kanë vetëm vendin e punës si deputetë, kanë pagat dhe shpërblimet e larta financiare, kanë privilegjet dhe burimet e fitimit nëpërmjet aferave korruptive në bashkëpunim pa dallim ngjyre partiake, aq sa pagën mujore e konsiderojnë.. “thërrime” dhe nuk e tërheqin prej vitesh. 
    Disa 10 fakte nga “profili” i deputetëve
    1. Janë 45 deputetë, të cilët kanë 10 vite që lënë pagat në llogaritë private, pa i tërhequr.
    2. Janë 78 deputetë aktualë, të cilët kanë biznese në 9 lloje shërbimesh dhe prodhimesh.
    3. janë 95% e deputetëve aktualë, të cilët kanë familjarët e tyre, të punësuar në zyrat e larta të shtetit, në vende ku bëhen lekë dhe ku ka paga të larta.
    4. Janë 62 deputetë aktualë, të cilët i kalojnë fundjavat familjarisht ose “shoqërisht”, jashtë Shqipërisë.
    5. Janë 72 deputetë aktualë, që i kanë familjet jashtë Shqipërisë.
    6. Janë 37 deputetë që janë rezidentë familjar e privat, në shtetet e tjera.
    7. Janë 39 deputetët përfaqësues të partive “kundërshtare:, të cilët kanë biznese të përbashkëta në ortakëri.
    8. Janë 50 deputetë, të cilët i kanë fëmijët me studime universitare jashtë Shqipërisë.
    9. Të 140 deputetët, marrin paga mujore sa 10 pensione. 
    10. Të 140 deputetë, trajtohen ligjërisht me 3000 dollarë privilegje në muaj për udhëtime, hotele, transferta ditore e javore, karburant, udhëtime jashtë shtetit, qira banesash, shërbim telefonik.