Ligji i ri për pensionet, Veliaj: Rritje edhe për pensionistët e skemës aktuale

    434
    Sigal

    Komisioni për Ekonominë shqyrtoi projektligjin “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”

    Ministri i Mirëqenies Sociale Erion Veliaj ka prezantuar ditën e djeshme në Komisionin e Ekonomisë projektligjin për Sigurimet Shoqërore dhe Pensionet. Veliaj theksoi se është e nevojshme futja e pensionit social, pasi sipas tij një pjesë e popullsisë nuk do të arrijë të marrë pension. Duke analizuar skemën e re, Veliaj u shpreh se parashikohet një sistem unitar i llogaritjes së pensioneve. “Pensionet rurale një bazë e madhe ka shkuar në pensionet urbane. Ne kemi një sistem unitar të llogaritjes së pensioneve. Në 2013 kishim 430 mln dollarë të subvencionuara nga shteti. Kishim rritje të deficitit. Kemi shteruar maksimumin që shteti mund ta subvencionojë këtë skemë. Të ardhurat e kontributeve është sa gjysma e shpenzimeve pjesa tjetër është subvencion”- u shpreh Veliaj.

    Më tej ai sqaroi se skema e re e fillon shëndoshjen vitin tjetër. “Gradualisht, por në mënyrë serioze. Me skemën aktuale e vetmja mënyre për të ruajtur shëndoshjen është të ulim pensionet. Nëse shohim skemën e re, ajo ruan të njëjtin standard të normës së zëvendësimit. Koeficienti i ri shpërblen ata që dalin në pension në janar 2015. Kemi vetëm një pension dysheme dhe tavanet janë hequr”- u shpreh Veliaj.

    Ministri theksoi se do të parashikohen rritje të pensioneve edhe për pensionistët që tashmë janë në skemën aktuale. “Do parashikojmë rritje të pensioneve për të gjithë ata që janë në skemën aktuale. Ne nuk prekim për poshtë, por prekim për lart. Pra të rritim pensionet aktuale, kurse për pensionet e reja është e qartë që do marrë më shumë. Reforma hyn në fuqi në 1 janar 2015. Formula e vjetër ishte llogari për të kapur fundin, formula e re është llogaritur të kapi majën”- theksoi Veliaj.

    PENSIONET PER MINATORET

    Përsa i përket uljes së moshës së pensionit për minatorët, ministri Veliaj sqaroi se vendimi do hyjë në fuqi në 1 janar 2015. Për moshën e minatorëve kemi marrë vetëm një vendim politik në Këshillin Kombëtar të Punës. Kjo do të thotë së në këtë moment kemi një vendim politik që do bëhet realitet në një janar. Ne do kemi ligjin e veçantë për profesionet e veçanta. Propozimi që ne kemi miratua është 55 vjeç për të hyrë në fuqi në një janar 2015. E gjithë paketa fillon me ligjin bazë.”- u shpreh Veliaj.

    PAGESA E BARRËLINDJES

    Përsa i përket pagës për barrëlindjen ministri Veliaj theksoi se ajo do jetë më e vogël se paga reale. Sipas tij kjo bëhet me synimin për të inkurajuar personat ë të rikthehen në punë. Ai theksoi se për herë të parë është futur leje lindje edhe për burrat në mënyrë që gratë në karrierë t’i rikthehet profesionit. “Është më e vogël se paga reale, sepse duam të nxisim kthimin në punë. Nuk mund të inkurajojmë formula që lejojnë hapësira për abuzime. Kjo është e njëjta formulë që përdoret në 28 vendet e BE-së. Për herë të parë kemi leje lindje për burrat. Nëse gruaja është në karrierë përfitimet nuk humbasin pasi do paguhet burri të rrijë në shtëpi për të rritur fëmijën. Ky është më tepër një element social dhe emancipues sesa element kursimi. Ne i paguajmë edhe sigurimet duke ndenjur në shtëpi”

    Deputetja e PS-së Blerina Gjylameti është shprehur se në vendet e BE-së gratë me leje lindje u paguhet 100% e pagës. Ajo ka kërkuar sa shkon kostoja e këtyre ndryshimeve të bëra në skemën e re. “Në vendet e BE-së paguhet 100% e pagës. Në Shqipëri merret 60% e pagës. Në Shqipëri nuk paguhen kontributet mbi pagat reale sepse ka pasur informalitet. A e keni menduar faktin që këto gra në gjithë vendet e tjera subvencionohen nga shteti? Sa është kostoja?”- u shpreh Gjylameti.

    Veliaj: Projektligji për PAK, nuk iu cenon të drejtat

     Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erjon Veliaj ka qenë i pranishëm edhe në Komisionin e Shëndetësisë ku prezantoi pr/ligjin për PAK. Ai tha edhe një herë se ky pr/ligj nuk i cenon të drejtat e PAK. “U premtova publikisht personave me aftësi të kufizuar se nuk do t’u cenohen të drejtat e fituara. Por pr/ligji synon gjithëpërfshirjen e kategorive që nuk përfshihen dhe nuk përfitojnë si shurdhmemecët, talasemikët, personat doën. Kjo ka qenë edhe kërkesë e shkruar edhe në rekomandimet e BE. Zv. Ministrja e Mirëqenies Sociale, Bardhylka Kospiri sqaroi më tej se në hartimin e këtij pr/ligji kanë qënë pjesë edhe ekspertë të OKB. “Për hartimin e pr/ligjit kuadër kanë marrë pjesë edhe ekspertë të OKB-së. Pr/ligji është në frymën e konventës. Pr/ligji përcakton ngritjen e një komisioni multidisiplinor për përcaktimin e shkallës së paaftësisë të personave PAK. Kemi gjetur mbështetjen e shoqatave të personave shurdhmemecë dhe personat me handikap mendore. Deputetja Klodiana Spahiu u shpreh se do dëgjohen edhe palët e interesit. “Pranë komisionit kanë mbërritur dy peticione nga shoqata e të verbërve dhe paratetraplegjikëve. Ne do të dëgjojmë palët e interesit”. Më tej, ministri Veliaj sqaroi se ky ligj do bëhet për të gjithë personat PAK dhe jo për kryetarët e këtyre shoqatave:

    “Kemi bërë konsultime me të gjithë shoqatat e PAK. Nuk mund të kemi monopol, tre shoqata që të gëzojnë të vetëm statusin. Nuk po bëjmë ligj për kryetar shoqatash, por ligj për personat PAK. Po kërkohet të ruhet monopol i kryetarëve. Ne kërkojmë që të kemi një ligj për të gjithë. 20 shoqata që ekzistojnë japin kartela pa kontrata për të lëvizur në autobuze. Avokati i Popullit ka qenë pjesë e grupit të punës. Komisionari kundër diskriminimit ka qenë pjesë e grupit të punës”.