Lame: Kaos dhe korrupsion të legalizimet

    431
    Sigal

    ALUIZNI/ Për 8 vjet janë legalizuar vetëm 22 mijë objekte, nga 293 mijë aplikime

    Drejtori i Agjencisë së Legalizimit, Artan Lame, tha dje në një konferencë për shtyp, se procesi i legalizimit të ndërtimeve informale është keqmenaxhuar dhe se situata është kaotike. Në një konferencë për shtyp, Lame tha se duhet gjetur një zgjidhje ligjore për situatën e krijuar, pasi procesi është aq i deformuar sa ligjërisht duhet anuluar gjithçka, por presioni i qytetarëve, të cilët kanë 8 vite që sorollaten, është i madh, ndërsa janë detyruar të paguajnë disa herë për të legalizuar pronën. Sipas Lames, vetëm 22 mijë objekte janë legalizuar në këto 8 vite nga 293 mijë aplikime që janë bërë që nga viti 2006.

    Situata financiare

    Lame bëri të ditur se aktualisht nëpër dyshemetë e institucionit gjenden rreth 50 mijë praktika, për të cilat qytetarëve iu është kërkuar për të bërë pagesat dhe ata i kanë kryer. “Paratë janë arkëtuar dhe kanë shkuar në buxhet. Por, nga ana tjetër, qytetarëve nuk ju është dhënë leja e legalizimit, duke i lënë për vite me radhë në një pritje absurde. Dikush duhet të përgjigjet për këtë shpërdorim të fondeve, dhe do të përgjigjet” tha Lame. “Fondi i mbledhur nga legalizimet ka qenë burimi i vetëm në të gjithë këto vite për kompensimin e ish-pronarëve. Deri tani janë mbledhur 7.9 miliardë lekë, nga të cilat 6.98 duhet të kishin shkuar në një llogari të veçantë të buxhetit të shtetit për t’u përdorur ekskluzivisht për kompensimin e ish-pronarëve. Por, në fakt vetëm një pjesë e kësaj shume rreth 4 miliard lekë ka shkuar në destinacion, ndërsa rreth 3 miliard lekë ministria e Financave i ka përdorur për qëllime të tjera dhe në kundërshtim me ligjin”, deklaroi Lame. Kreu i ALUIZNI-t tha se pas vitit 2008, janë punësuar me qindra punonjës me kontratë të përkohshme, të cilëve rezulton se nuk u janë derdhur pagesat për sigurimet shoqërore dhe ato shëndetësore. Vetëm për drejtoritë e Tiranës, Durrësit dhe Fierit, informoi Lame, ky borxh i akumuluar është 83 milionë lekë, ndërsa në rang vendi i kalon 100 milionë lekë. “Kjo është një njollë turpi për shtetin shqiptar, pasi ka trajtuar si skllevër edhe vetë punonjësit e vet”, tha Lame. Ne, vijoi Lame, anuluam 200 kontrata pune për shkak të paaftësisë paguese të institucionit, ndërsa del që për vite me radhë këtyre punonjëse nuk iu janë paguar as sigurimet shoqërore. “Dikush do të përgjigjet për këtë shpërdorim të fondeve”, deklaroi Lame.

    Korrupsioni

    Lame u shpreh se në vitet e qeverisjes së kaluar, korrupsioni ka qenë një nga lajtmotivet që e kanë shoqëruar vazhdimisht, por në këtë sektor korrupsioni ka qenë i përhapur si sistem kapilar dhe praktikisht ishte kthyer në të vetmin mjet që e vinte në lëvizje sistemin. Për të kuptuar se si ka funksionuar sistemi Lame iu referuar një raporti të KLSH-së, ndër shumë që flasin për korrupsion, siç tha ai. Sipas një raporti të KLSH-së, tha Lame, nga një inspektim të bërë në Vlorë në vitin 2012, nga 76 dosje të pajisura me leje legalizimi, 61 prej tyre janë në kundërshtim me ligjet në fuqi.

    Kaosi administrativ

    Lame vuri theksin se në kaosin e krijuar negativisht ka ndikuar edhe ndryshimi i shpeshtë i kuadrit ligjor. Sipas tij, në tetë vite janë bërë 4 ligje bazë që kanë të bëjnë me legalizimet, të cilët janë ndryshuar 22 herë në 180 pika të ndryshme. Javën e ardhshme, informoi Lame, do të bëhet publike edhe skema se si do të procedohet më tej me procesin.

    Reagon PD-ja: Qeveria ka dështuar me legalizimet!

     Deputetja e PD-së, Jorida Tabaku akuzoi qeverinë se ka dështuar të bëjë realitet premtimin me të cilin siguroi ardhjen në pushtet, legalizimet falas për qytetarët. Referuar deklaratës së kreut të ALUIZNI-t, Artan Lame, Tabaku i drejton disa pyetje: “Iku dhe një nga premtimet e tjera të qeverisë. Kreu i ALUZINI-t, z.Lame sapo tha në një konferencë për shtyp live se, “është turp t’i thuash europianëve që do legalizojmë falas e do falim tokat”. Kur është turp pse e premtove në fushatë? Pse e shkrove në programin e qeverisë? Pse nuk na dëgjove kur e thamë që është joligjore dhe e pamundur?”. Tabaku ka shpërndarë dhe videon teksa Rama firmosi kontratën për legalizime falas brenda mandatit të parë.“I tha qytetarëve: Betohem solemnisht për legalizime falas brenda mandatit të parë. Ju kanë çuar mish për top. Kush po i çon mish për top tani?”, pyet Tabaku.