Kushtet e sigurisë dhe shëndetit në punë për minatorët lënë shumë për të dëshiruar

    110

    INTERVISTA/Flet Kryetari i Konfederatës së Sindikataves Shqiptare për problemet në punë

    Zoti Nikolla, ditën e sotme ju do të zhvilloni, një takim çfarë do të jetë në qendër të këtij takimi?

    -Po në qendër të këtij takimi është siguria dhe Shëndeti në Punë në Këndvështrimin Sindikal dhe Kontributi i Projektit të BE mbi “Sigurinë dhe Shëndetin në Punë” në forcimin e kapaciteteve të sindikatave në KSSH”. Kjo çështje është një çështje globale dhe themelore për njeriun. Për punëtorët dhe të gjithë qytetarët shqiptare kjo çështje merr akoma një rëndësi të veçantë në kushtet social ekonomike e shoqërore ku ndodhet Shqipëria. Sot në Shqipëri të gjithë qytetarët dhe politikanët, institucionet publike e private, politikëbërja, shoqëria civile, sindikatat, media etj, janë të angazhuara në realizimin e një ëndrre të madhe dhe të vjetër për shqiptarët: Atë të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Hartimi dhe miratimi i ligjeve sipas standardeve europiane është një hap i rëndësishëm në rrugën e integrimit, por jo i vetëm, pasi paralelisht duhet të merren masa organizative e institucionale për të garantuar një implementim sa më të saktë ligjor.

    -A janë hartuar mjaftueshëm ligjet në Shqipëri në përputhje me standardet europiane për sipas Sigurinë dhe Shëndetin në Punë?

    -Është pikërisht kjo arsyeja që KSSH-ja, krahas punës së saj prioritare për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë u përfshi dhe në implementimin e projektit “Urat e Bashkëpunimit Europian për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë”. E gjithë shoqëria jonë tashmë është në proceset kulmore të shndërrimeve të pa kthyeshme drejt ekonomisë së tregut dhe konsolidimit të rendit demokratik, ku zbatimi i ligjit është pjesa më e rëndësishme e procesit ligjvënës dhe ligjzbatues. Dhe si e tillë kërkon njohje, formim juridik dhe kapacitete të përsosura profesionale.

    -Duke u ndalur veçanërisht në një sektor mjaft problematik atë të minierave, a janë përmirësuar ndopak kushtet e punës?

    -Sektori i minierave lë shumë për të dëshiruar në vendin tonë. Pasi është një ndër sektorët më problematik. Kemi parë që aty ka aksidente të shumta me humbje të jetëve të njerëzve. Unë këtë do ta quaja sektorin më problematik. Dhe kërkojmë që të bëhet më shumë për këtë sektor.

    -Pak kohë më parë është folur për rinisjen e grevave nga minatorët, si do procedohet a po marrin zgjidhje kërkesat tuaja?

    -Po është e vërtetë që patëm folur për rifillimin e grevave, por jemi në pritje të një bisedimi me ministrinë e METE-s. Ministria na ka premtuar takim, por ende nuk e kemi realizuar. Për momentin po presim që ACR-ja të bëjë investime, gjë që e dimë që nuk ka për të ndodhur. Por ne po presim që t’i japim një zgjidhje situatës në rrugë institucionale. Por kjo nuk do të thotë që ne kemi hequr dorë nga greva. Ne jemi të vendosur për plotësimin e kërkesave tona.

    -Çfarë kërkoni që të përmirësohet më shumë në kushtet e sigurisë në punë?

    -Ne së bashku gjatë këtyre ditëve që kemi studiuar situatën në sektorë të ndryshëm arritëm në disa konkluzione mjaft të rëndësishme: Kryesisht, aksidentet e ndodhura me marrje jete, gjymtime fizike apo sëmundje profesionale ndodhin si rezultat i mos marrjes së masave parandaluese. Prandaj konkluzioni kryesor është marrja e masave për parandalimin e rreziqeve në vendin e punës, mangësive në organizimin e punës, mangësi dhe mosfunksionim të strukturave të sigurisë dhe shëndetit në punë etj. Një ndikim negativ po jep dhe përdorimi i teknologjive dhe makinerive e pajisjeve të vjetra të prodhimit si dhe mungesa e theksuar apo pamjaftueshmëria parandaluese me masa mbrojtëse kolektive apo individuale sipas rregulloreve apo kontratave kolektive e individuale të punës.