Kryebashkiakja Rira: Përrenjasi është varfëruar, ndërsa Rilindja lakuriqe thotë se ka rilindur

621
Miranda Rira*
Një ditë më parë, kryeministri i vendit Edi Rama ka hedhur akuza në drejtim të Miranda Rirës, kryetare e Bashkisë së Përrenjasit, duke thënë se ajo ka punësuar në bashki njerëzit e saj të afërm. Menjëherë pas kësaj deklarate, ka reaguar kryetarja e Bashkisë Përrenjas, e cila ka thënë se qyteti nga ajo është ka qenë në gjendje të mjerueshme dhe se është lënë kështu pikërisht nga Rama dhe shpura e tij.

Sot kryeministri në ikje dhe deputeti i Përrenjasit dhe Librazhdit, u kujtuan më në fund për Përrenjasin. Erdhën dhe dhanë një lumë akuzash për Kryetarin e Bashkisë, sepse nuk kishin çfarë t’ju thoshin njerëzve sesi ata e lanë në mjerim Përrenjasin. Nuk kishin si të justifikoheshin, se kanë 26 vjet që mbushin thesin me vota nga kjo zonë, dhe me pa s’iu bie ndërmend nëse këta njerëz janë gjallë apo vdekur. Z. Rama, ti e di fort mirë që unë jam më socialiste dhe më e majtë se ty. Ku e ke “rilindur”Përrenjasin? Me çfarë investimesh? Çfarë ke bërë për fshatrat e kësaj zone? Çfarë ke bërë për spitalin e Përrenjasit që është katastrofë? Çfarë investimesh ke sjellë për kopshtet dhe shkollat? Sa kohë keni që gënjeni për statusin e minatorit? Ku janë ato qindra vende pune që do hapje në Përrenjas? Fondi i zhvillimit të rajoneve që është tërësisht i qeverisë, s’ka patur para për Përrenjasin, ndërsa ke çuar miliona euro për fasada dhe qendra në bashki të PS. Ju i keni ndarë investimet për shqiptarët, në bazë të ngjyrës politike që ka kryetari i bashkisë. Sa investime ke çuar në Librazhd dhe sa në Përrenjas? Edhe një investim që solle për shëtitoren përgjatë rrugës nacionale, dërguat Sadri Abazin për të marrë tenderin me dokumente false, proces që u mbajt peng nga ju për rreth një vit, por nuk ju eci. Meqë u morët ju i pari me mua, po merrem pak edhe unë me ju. A e dini ju Z. Kryeministër se me fondet e qeverisë janë pasuruar shpura që rri pranë jush, ata që japin dhe marrin fondet qeveritare dhe tenderët, dhe jo qytetarët e Përrenjasit dhe të gjithë Shqipërisë?! Përrenjasi është varfëruar, ndërsa Rilindja lakuriqe, thotë se ka rilindur. U morët me fisin dhe njerëzit e mi. Po ju, pse keni marrë kushërirën tuaj, Milena Hariton si ministre? Vasilika Vjero, a është kushërira juaj dhe ju e keni vënë drejtoreshë të tatimeve? Nuk po merrem me burrat e ish grave të tua, se me to janë marrë të tjerët. Mirë unë paskam marrë shofer nipin tim, dhe ky na qenkërka sakrilegj i madh, do ishte mirë të jepnit llogari se çfarë bëtë ju për Përrenjasin dhe për këta njerëz që i keni gënjyer për më shumë se dy dekada. Po specialistin e IT-se ku ma gjete kushëri?? Ledio Allko është një punonjës i shkëlqyer që ka mbaruar me 10-ta dhe s’ka asnjë lidhje gjaku me mua. Ndërsa ai që ju thoni se është krushku im, po ju them se deri dje ka qenë Kryetari i Partisë socialiste në Përrenjas, por arroganca e pushtetit e la në harresë. Ç’te bëj unë qe kam një fis kaq të madh dhe mund të qëllojë që nga 230 punonjës që ka bashkia, shoferi është nipi im (sepse është e drejtë legjitime e çdo njeriu të marrë shofer njeriun më të sigurt), dhe se ndonjëri është edhe në lidhje farefisnore me mua? Po ju them se jam 100% rrajcare dhe kam një fis për të cilin jam shumë krenare. Lëri dokrrat me fare e me fis, por jepi Përrenjasit atë që i takon Përrenjasit, mjaft më manipuluat me demagogji dhe me rrena këtë komunitet. Ndërsa ti Z.Balla e di fort mirë se ndihmën ekonomike e jep ministria, dhe s’ka asnjë lidhje bashkia me këtë pjesë. Ti në fakt je i pari, që duhet të japësh llogari, se përse gjithë fondet i çove në Librazhd dhe se për Përrenjasin s’të ra ndërmend edhe pse ky komunitet ka 3 legjislatura që të voton. Këtë herë, Përrenjasi e ka vendosur, do të votojë jo për Rilindjen e palindur, jo për marrëveshje diversantësh, por për një parti të majtë si LSI që do t’i japë Përrenjasit, Rrajcës, Qukësit dhe Stravajt, dinjitetin e munguar. 

*Miranda Rira, kryetare e Bashkisë Përrenjas
Sigal