Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë për Qeverinë: KSSH pjesë e zgjidhjes dhe jo e krijimit të problemeve

    382
    Sigal

    Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë (KSSH) dje mblodhi Asamblenë e Përgjithshme të saj, e cila analizoi marrëdhëniet e reja që krijohen me ardhjen në pushtet të koalicionit të majtë qeverisës. Duke e quajtur një sfidë të Qeverisë së re stabilitetin dhe mirëqeverisjen e vendit, Asambleja e KSSH-së vendosi që do të mbështesë Qeverinë duke qenë pjesë e zgjidhjes dhe jo pjesë e krijimit të problemeve, sigurisht si një partner social do të bëjë edhe opozitën ekonomike dhe sociale në dobi dhe favor të punëtorëve shqiptarë. Asambleja e Përgjithshme e KSSH-së në deklaratën për shtyp, bëri me dije marrëdhëniet e ardhshme me ekzekutivin dhe legjislativin shqiptar. “Transparenca, gjithëpërfshirja dhe zbatimi i ligjit, shoqëruar me ndryshimin e modelit ekonomik do të mbeten çelësi i suksesit dhe zhvillimit të vendit. Për këtë ne i propozojmë dhe i kërkojmë Qeverisë së re të ndërtojë dhe konsolidojë shtyllat e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik të vendit, që janë:

    1)Rritja e integruar ekonomike

    2)Rritja e shpejtë ekonomike

    3)Rritja e qëndrueshme ekonomike

    4)Rritja gjithëpërfshirëse ekonomike

    Kjo do të arrihet duke reformuar dhe ristrukturuar në mënyrë urgjente të gjithë strukturat dhe hallkat e ekzekutivit dhe legjislativit shqiptar” thuhet në deklaratën për shtyp. KSSH-ja gjithashtu i kërkon Qeverisë së re nënshkrimin e një marrëveshje reale trepalëshe Qeveri – Sindikatë – Punëdhënës, që sipas tyre, jo vetëm se ky është obligim i çdo qeverie, por është interes i të gjitha palëve për mbrojtjen dhe zhvillimin e demokracisë. “Ne do të bëjmë të mundur që të jemi pjesëmarrës aktiv në ligj-bërjen dhe ligj-zbatimin, kryesisht miratimin e Kodit të Punës të ri, reformën në drejtësi (Gjykatat Administrative dhe ato të Punës) dhe sidomos reformën në sigurimet shoqërore dhe shëndetësore duke kërkuar ratifikimin e Kodit Europian të Sigurimeve Shoqërore si dhe kryerjen e reformimit të skemës pa rritur moshën e daljes në pension duke bërë të mundur konsolidimin e sistemit të pensioneve” thuhet në deklaratë.