Komiteti i Veteranëve: Do kërkojmë të drejtat tona, ja rrugët që do ndjekim

    419
    Sigal

    U mblodh Komiteti i Veteranëve të LANÇ-it, për analizën vjetore për vitin që u mbyll

     Në datën 8 shkurt 2013 në ambientet e Shtëpisë së Ushtrisë, u zhvillua një takim nga Komitetit i Veteranëve të Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare, më qëllim analizimin e punës që ishte bërë në 2012-n nga Komiteti i Veteranëve. Në këtë takim morën pjesë anëtarët e komitetit kombëtar, kryetarët e organizatave të veteranëve në rrethe, po ashtu ishin të pranishëm  edhe 13 kryetarët e organizatave të 13 zonave të Tiranës që përfaqësojnë që përfaqësojnë 11 njësitë bashkiake. Mbledhjen e çeli kryetari i Komitetit Kombëtar Rustem Peçi, i cili më pas ja dha fjalën sekretarit të Përgjithshëm, Odhise Paradinit për të mbajtur raportin. Në raport evidentohej puna e bërë nga komiteti i veteranëve në mbrojtje të vlerave dhe idealit të LANÇ, të gjakut të dëshmorëve të atdheut. Të pranishmit që morën fjalën në takim tërhoqën vëmendjen për pushtetarët e djathtë që kërkojnë që të mohojnë e denigrojnë LANÇ, duke hequr emrat e dëshmorëve nga rrugët e sheshet e qyteteve, ku u sollën shembuj konkretë nga rrethet dhe porositi që të qëndrojnë fort në mbrojtje të gjakut të dëshmorëve e të luftojnë me vendosmëri në koordinim me të majtën, për të përzënë këtë frymë antikombëtare. Në vazhdim diskutuan e sollën në vëmendje përvojën e tyre kryetarët e rretheve: Mallakastër, Elbasan, Shkodër, Vlorë, etj.. Në takim e mori fjalën edhe docent Kadri Dingu, i cili kërkoi që të mbahet një qëndrim konsekuent në mbrojtje të LANÇ, e gjakut të dëshmorëve. Ai kërkoi që të vazhdohet ashtu siç është vazhduar deri më tani, me diskriminim e pinjollëve të organizatave tradhtare e të kolaboracionistëve e neo-fashistëve si në mediat lokale dhe në organet e tjera të shtypit siç është vepruar deri më tani. Ndërkohë që, Kryetari i Komitetit të Veteranëve Rustem Peçi, vlerësoi punën e bërë deri më tani dhe kërkoi që të qëndrohet ballëlartë dhe të mbrohen të drejtat e LANÇ-it, sepse kjo është historia e patjetërsueshme e atdheut tonë. “Ne do të qëndrojmë të vendosur edhe do të kërkojmë edhe nga forcat e majta për të mbrojtur LANÇ, në të gjitha drejtimet” u shpreh zoti Peçi. Po ashtu në mbyllje të takimit u përcaktuan edhe detyrat për kryetarët e degëve të rretheve.

     Xhevat Lluri: Veteranët duan më shumë vëmendje!

    Në lidhje me takimin e zhvilluar ditën e djeshme ka folur për “Telegraf” edhe anëtari i Komitetit të Veteranëve zoti Xhevat Lluri. Ndër të tjera në lidhje me takimin ai u shpreh se: “Qëllimi i takimit të zhvilluar nga Komitetit i Veteranëve të Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare, ishte analizimi i punës që ishte bërë në 2012-n nga Komiteti i Veteranëve”. Ai theksoi se në këtë takim morën pjesë anëtarët e komitetit kombëtar, kryetarët e organizatave të veteranëve në rrethe, po ashtu ishin të pranishëm  edhe 13 kryetarët e organizatave të 13 zonave të Tiranës që përfaqësojnë që përfaqësojnë 11 Njësitë Bashkiake.

     

    Flet Presidenti i SHKURSH dhe anëtar i Kryesisë së Komitetit Kombëtar të veteranëve të LANÇ Mehdi Pogaçi

     Mehdi Pogaçi: Veteranët e Luftës, brezi më i nderuar!

     -Zoti Pogaçi, mund të na thoni se sa janë të vlerësuar veteranët e LANÇ-it, në ditët e sotme kryesisht nga politika?

    -Veteranët e Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare janë brezi më i nderuar i popullit shqiptar. Janë ata të cilët morën pjesë në epopenë e madhe, jo thjesht të çlirimit të vendit nga pushtuesit  e kolaboracionistët, por ishin pjesë e atij koalicioni të madh botëror, SHBA-BS-Angli, i cili iu kundërvu, e luftoi dhe e mposhti bishën e egër nazifashiste, duke nderuar Shqipërinë nëpërmjet rreshtimit të saj në këtë koalicion. Ata kanë qenë, janë dhe do të jenë gjithmonë brezi, nga i cili brezat e sotëm dhe të ardhshëm duhet të marrin shembull për luftën, vetëmohimin, sakrificat, largpamësinë dhe përpjekjet e vazhdueshme për të arritur gjithçka për të mirën e këtij kombi. Ishin nga radhët e tyre  të gjithë ata dëshmorë dhe heronj që dhanë jetën për një Shqipëri të re. Por politika e sotme, vetëm në Shqipëri dhe askund gjetkë, ka vënë dhe po vë në piedestal, kolaboracionistët, duke goditur e denigruar veteranët dhe luftën e tyre. Politika e sotme, me të drejtë shqetësohet për heqjen e monumentit të heronjve të luftës në Luginën e Preshevës dhe Bujanovcit, por ajo nuk shqetësohet kur në Shkodër largojnë monumentin e “Heronjve të Vigut”, kur në Elbasan heqin bustin e Qemal Stafës, kur në Tirane heqin emrin e rrugës së “Dëshmoreve të 4 Shkurtit” e gjetkë. Në asnjë vend të botës nuk preken simbolet e luftërave dhe të luftëtarëve të  tyre. Prandaj kuptohet që veteranët e LANÇ-it e ndjejnë veten të keqtrajtuar dhe të frustruar nga politika e sotme.

     -Në mbledhjen e djeshme të Komitetit të Veteranëve u tha që do të  bashkëpunojnë me Shoqatën e Ushtarakëve. Mund të na thoni diçka më shumë për këtë bashkëpunim?

    -Shoqata e jonë është në bashkëpunim të ngushtë e të vazhdueshëm me Organizatën e Veteranëve të LANÇ-it, në mbrojtje të ngjarjeve dhe të figurave të Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare. Ajo mëson dhe frymëzohet prej shembullit të tyre dhe  është pjesë e vazhdimësisë së kësaj organizate. Theksoj se jo vetëm ne, por ushtarakët, në tërësinë e tyre, sot dhe në të ardhmen, janë dhe do të jenë pasardhës të veteranëve, pasi janë të vetmit sot që marrin pjesë në luftërat të ndryshme, në kuadrin e NATO-s dhe më gjerë. Nëse sot ka vetëm veteranë të LANÇ, nesër do të ketë, si në të gjitha vendet e NATO-s, veteranë të luftës në Bosnje-Hercegovinë, të luftës në Irak, në Afganistan e gjetkë. Prandaj ky bashkëpunim ekziston dhe do të vazhdojë të forcohet më tej në të ardhmen.