Kolec TRABOINI/ Gjithe ditën kam që të kërkoj

    374
    Sigal

    Kisha nevojë për fjalën tënde

    si nuk u gjende në telefon

    si harabelë më ikën vargjet

    dhe poezia keq çalon.

     

    Nëpër hapësira kontinenti

    gjithë ditën jam në ëndërrim

    ndër erërat që të përkëdhelnin

    si s’e dëgjoje zërin tim?!

     

    Gjithë ditën kam që të kërkoj

    nëpër stacione me mërzi

    se gjurmën tënde s’e kam gjetur

    në ç’ kënd të globit ndodhesh ti?

     

    Në qiell shoh dy pata të egra

    në muzg-pikëllimin e kësaj bote

    e them më mirë të isha shpend

    se vargjet qenkan punë idiote.

     

    Dita me natën keq ngatërruar

    në këtë pranverë me angështi

    më bëjnë të ndjehem i harruar

    si balonë fëmijësh mbi çati…

     

    Gjithë ditën kam që të kërkoj

    ndoshta gjithë jetën kështu do të rri…

     

     

     

    MENDIMI

    E humba fillin e mendimit

    Bëj ta ndjell tek ndez një cigare.

    Ai mrrolet e ikën pas tymit.

    KUR BOTA TË JETË NJË ITAKË

    Atëherë kur tërë Bota të jetë një Itakë

    S’do të ketë Penelopa që presin.

    JEMI NGA PAK DONKISHOTË

    Të gjithë jemi nga pak Donkishotë

    harrakatë të fandaksur me potere

    anipse qeshim kur e kujtojmë

    të marrin që luftonte me shakuj vere.

    Por kemi fare pak, më pak se ai

    një zemër të përkushtuar për njerinë

    në të vërtetë ai ishte shumë më i mirë

    se ne që kemi si armë djallëzinë.

    Ne jemi akoma më pak Donkishotë

    se nuk kemi as Rosinant e as një stallë

    kemi Mançën, po s’kemi shtëpi

    e bredhim nëpër botë si kuaj gërdallë.

    MOS VDEKSHA

     

    Mos vdeksha pa të puthë,

    mos vdeksha pa të shtri (e di ti)

    mu në valëzat e detit

    lakuriq si një perri.

     

    Mos vdeksha pa të puthë

    pa të puthë e pa të shtri (e di ti)

    në lisharësin e një hëne

    lakuriq si një perri.

     

    Mos vdeksha pa të puthë

    mos vdeksha pa të shtri (e di ti)

    përmbi krahun e një mjelme

    lakuriq si një perri.

     

    Mos vdeksha pa të puthë

    pa të puthë e pa të shtri (e di ti)

    në ujvara shatërvani

    lakuriq si një perri.

     

    Shoh një ëndërr,

    me del zhgjëndërr,

    po ku dreqin ike ti,

    pa të puthë e pa të shtri (e di ti)

    lakuriq si një perri…

     

    Mos vdeksha!

     

     

    LETËR DASHURIE

     

    Ato gërma të vogla, të vogla

    ajo dashuri e madhe, e madhe…

    brenda tyre si magji sirenash

    ADN-ja jote fatale.

     

    MOSBESIM

     

    Më the një herë “nuk të besoj”

    ndaj mbeta keq me shpirt të vrarë

    kërkova natën nëpër qiej

    të solla yjtë si dëshmitarë!

     

    Dhe prapë s’u binde se të dua

    ndaj mora udhët nëpër botë

    kur ti ndër ëndrra fluturoje

    të solla Hënën në një shportë!

     

    Ti prapë e prapë me mosbesim

    kërkoje të tjerë dëshmitarë

    i mora galaktikës Diellin

    e ta përplasa në dritare!