Koço Liti, emigranti i parë në Australinë e largët, në vitin 1927!

1316
Edmond Ismailati
Vizita si turist në Shqipëri në vitin 1966 dhe 1979 i la mbresa për varfërinë, rrugët e ngushta, ushqimet me lista
Memaliaj është një qyteti i vogël, por me histori të madhe dhe këtë ia kanë dhuruar jo vetëm ata banorë të saj që kanë kontribuar në fushën e artit, sportit, letërsisë, por edhe nga banorët e tjerë të saj që kanë dhënë kontributin e tyre qysh në hapat e para të themelimit të qytetit e në vazhdim. Jeta e tyre e mbushur plot me ndodhi, ngjarje dhe kujtime, janë një thesar i vyer i mozaikut të historisë së qytetit tonë e më gjerë, dhe një prej tyre është edhe Koço Liti, i cili mbahet mend edhe si turisti i parë shqiptar që ka shkuar në Australi. Padyshim që ky fakt e pasuron akoma më shumë historikun e qytetit tonë. Si shumë familje të tjera shqiptare, edhe nga familja Liti, nga Derviçani morën rrugët e kurbetit dhe ky ishte Kristo Liti ,i cili u largua për në Australinë e largët në vitin 1927, kur ishte vetëm 17 vjeç dhe jetoi në këtë vend plot 61 vjet. Ndërsa i vëllai i tij Koço Liti, mbas çlirimit të vendit iu drejtua qytetit të minatorëve Memaliaj në vitin 1953, në kohën kur ai ishte vetëm 24 vjeç. Koçua u lind më 15 maj të vitit 1929 në Derviçan të Gjirokastrës me prindër Athina dhe Marko Liti dhe krijon familje më 15 qershor të vitit 1953 me Marianthi Kaftani (lindur më 11 nëntor 1933) e bija e Poliksenit dhe e Tolos nga Gjirokastra. Në gusht po të vitit 1953 vendosen me banim në Memaliaj. Me ardhjen në jetë të katër djemve të tyre Lefter (1955), Odise (1958), Llazar (1962) dhe Jani (1965), të gjithë me vendlindje Memaliajn, e bënë familjen Liti, jo vetëm të lumtur, të madhe, por edhe shumë të dashur dhe të respektuar nga bashkëqytetarët e tyre, pasi edhe këta me kontributin e tyre futen tek familjet e para memaliote qysh nga vitet e para të themelimit të qytetit Memaliaj.

Punoi një jetë të tërë në fronte të ndryshme
Xha Koçua ka punuar në shumë sektorë të ndryshëm të minierës dhe doli në pension në vitin 1986. Si fillim, të dy si xha Koçua dhe nënë Marianthi, kanë punuar në tregti në NFP (Ndërmarja e Furnizimit të Punëtorëve). Në vitin 1965 e në vazhdim, që të dy vendosin që të largohen nga puna që bënin në tregti dhe punojnë në repartet ndihmëse të minierës, derisa dolën në pension. Xha Koçua del në vitin 1986, ndërsa nënë Marianthi në vitin 1989. Malli për të parë prindërit dhe gjithë familjen Liti, ishte i papërshkrueshëm. Në 1927 kur Koçua ishte vetëm 2 vjeç, as që e mbante mend apo të dallonte përkëdheljet e vëllai të tij, sikurse edhe ky i fundit i larguar për disa dekada, e bënte që mos ta njihte të vëllanë e tij. Babai i tyre Markua u nda me brengë (në vitin 1953) nga kjo jetë, pasi nuk mundi ta takonte qoftë edhe pak sekonda djalin e tij mërgimtar.

Turist në Shqipëri
Kjo brengë përjetohej edhe nga Kristua, që bashkë me mallin për të takuar edhe të gjithë pjestarët e tjerë të familjes së tij, ai kërkoi që të vinte për vizitë si turist në Shqipëri dhe në vitin 1966 realizohet ëndrra e tij, fill mbas 39 vjetësh, ndërsa herën e dytë vjen në vitin 1979. Që të dyja herët që vizitoi Shqipërinë, takoi nënën e tij Athinanë dhe tre vëllezërit dhe dy motrat e tij. Ardhja e tij në qytetin e Memaliaj bëri shumë jehonë tek banorët e këtij qyteti dhe përreth. I vëllai i tij Koçua, bashkë me pjesëtarët e familjes së tij, nga gëzimi dhe për ta bërë mikpritjen sa më të dashur dhe festive, vendosën që përgjatë një muaji që do të rrinte mysafiri i tyre të kishin edhe një orkestër popullore. Kështu u ftua edhe i mirënjohuri, maestrua me klarinetë Syrja Osmani (që e përkedhelnin duke i thëritur Ciro) me orkestrën e tij që përbëhej nga instrumentistë, të cilët ishin që të gjithë vëllezërit e tij. Apartamenti i vogël prej një dhome dhe një kuzhine, që ndodhej në katin e katërt dhe të fundit të këtij pallati, gumëzhinte nga pjesë të ndryshme të këngëve popullore, ku midis tyre më të shumtat ishin popullore greke që këndoheshin nga dropullitët. Të shumtë ishin ata bashkëqytetarë që banonin përreth (një nga ata isha dhe unë) bashkë me ata kalimtarë që ndalonin në rrugë dhe dëgjonin Ciron, orkestrën e tij që e shoqëronin duke kënduar bashkë me turistin në mëmëdhe dhe familjen Liti. Nga ky ambient festiv ai mrekullohej çdo ditë akoma më shumë dhe nuk gjente fjalë për të përshkruar kënaqësinë e pamatshme që po i dhuronin. Nga xhelozia, cmira, por edhe për të përfituar ndonjë gjë nga pushteti i asaj kohe, dikush nga pallati mori policinë e qytetit në telefon duke u raportuar se “I vëllai i Koços ka sjellë orkestrën me vete nga Greqia.”. Pa kaluar shumë, mbërriti edhe policia duke ardhur më këmbë. Ishte i plotfuqishmi i qytetit, Misir Mane që i thotë Koços “Më morën në telefon dhe më thanë se i vëllai i Koços ka sjellë edhe gërnetat nga Greqia?!”. Koçua i shtangur i përgjigjet “Jo jo, të kanë gënjyer! Eshtë Cirua i Sadikut me vëllezërit e tij që këndojnë greqisht.” “I thuaj të këndojë edhe këngë shqiptare?” i thotë Misiri. “Nuk di shqip vëllai, por vetëm anglisht dhe greqisht, prandaj Cirua luan këngë popullore dropullite.” ia kthen Koçua. “Mësoi vëllait edhe shqip.” i thotë me një ton prerazi Misiri. Koçua u zu ngushtë nga zgjatja e bisedës që po bëhej tërkuzë dhe i thotë “Është shumë e vështirë që ta mësojë për një muaj, pasi të hënën ai niset për në Australi.”. Biseda mund të ketë pasur dialog më të gjatë, por këto fragmente ishin ato që morën dhenë dhe u përhapën në qytet. Të gjithë e kuptonin shumë mirë sikletin e Koços edhe pse këngët greke që këndoheshin prej dropullitëve dëgjoheshin shpesh tek transmetimet e valëve të radio Gjirokastrës apo dasmat e memaliotve. Po ashtu, ndoshta edhe sikletin e Misirit që ia kërkonte pozicioni i tij, si i plotfuqishmi i qytetit dhe fshatrave përreth, pasi raportuesi i shtytur edhe nga nepsi i tij, e bëri detyrën dhe përgjegjësia i binte Misirit. Në vitin 1985, mbas shumë përpjekjesh edhe kërkesa e Koços u miratua për të shkuar si turist në Australi, jo vetëm për t’u takuar me të vëllanë e tij, por edhe për të parë se si “vuante” i vëllai i tij në një vend kapitalist. Mbaj mend nga bisedat që kam shkëmbyer me djalin e tij Odisenë, i cili më tregonte: “Kur xhaxhai na dërgoi një pako në vitin 1981, midis shumë gjërave ishte dhe një xhaketë me dy të çara dhe Lefterit si më i madh, i bënte kjo xhaketë. Ngaqë ai dilte shpesh me ketë xhaketë, një komunist e ngriti si shqetësim në mbledhjen e partisë duke u shprehur “…ka komunistë në gjirin e partisë, ku fëmijët e tyre mbajnë xhaketa me dy të çara”. Koçua e kuptoi se për kë e kishte fjalën dhe ngrihet e i thotë, “Dhuratat që më dërgoi vellai, nuk i kthej mbrapsht. Ato janë të kontrolluara dhe të lejuara nga dogana e shtetit tonë. Si e tillë, nuk shikoj asgjë të keqe që djali im të mos e veshë xhaketën qe i ka dhuruar xhaxhai i tij. Mondi, në atë kohë kishte shumë spiunë dhe po të donin të groposnin dhe e porosisnin thellësinë e gropës sa metra të donin dhe partia me levat e saj nuk e kishin fare problem për ta hapur vetëm me një të shkelur të syrit! Nga vizita në Australi i bëri përshtypje gjithçka, si rrugët, klima, mirëqenia, veshja, kushtet e jetesës, liria e fjalës dhe e të jetuarit. Çdo dhomë kishte banjën dhe me peshqirë të veçantë, jo vetëm për tharjen e duarve, por edhe për sytë, për trupin dhe një për këmbët të cilat ndërroheshin çdo ditë. Kunata i thoshte babait që do bësh banjë para se të flesh dhe banjë pasi të çohesh nga gjumi. Gjithashtu do lash dhëmbët dhe do rruhesh çdo mëngjes. “Mirë, po, kjo është torturë, pasi ku jemi mësuar ne në Memaliaj apo Shqipëri me këto kushte” thoshte me vete babai. Përveç rrobave, një magnetofoni dhe gjërave të tjera, ai solli edhe një video që në atë kohë nuk kishte njeri nga klasa punëtore, pasi në atë kohë mundësi kishin vetëm ata nëpunësa nëpër ambasada, ata që dilnin me të drejtë studimi, sportistët, ata me Ansamblin e Shtetit apo shoferët e marinarët e transportit të mallrave me jashtë. Nuk donin t’ia linin që ta sillte në shtëpi dhe i vunë doganë prej 120.000 lekësh në atë kohë. Bëri edhe pagesa të tjera për të marrë të gjitha dhuratat dhe të gjitha vajtën 180.000 lekë. U kushtuan shumë, pasi në atë kohë ishte një pasuri e tërë. Babai, duke parë që ata nuk donin t’ia linin, i pagoi taksat e doganës kokërr më kokërr dhe nuk u la as një gjë punonjësve të doganës. Babai nuk na tregonte shumë për Asutralinë, pasi kishte shumë firkë se mos na rëshkiste ndonjë fjalë si më të rinj që ishim dhe na fusnin të gjithë në burg. Kishte të drejtë, pasi në atë kohë të gjithë na shikonin që visheshim me roba të ardhura nga jashtë. Por duke parë që aty nga mesi i vitit 1989, diçka po fillonte të ndryshonte për mirë, filloi të na tregonte.

Ai ishte i pari nga klasa punëtore që hapi rrugën për të shkuar në Australi si turist
Ai qëndroi gjithsej tre muaj duke e shkelur Australinë më 20 qershor të vitit 1985 dhe u largua më 20 shtator po të këtij viti. I vëllai i tij, pra xhaxhai ynë ndërroi jetë në vitin 1988, ndërsa babai ynë u largua nga kjo jetë më 11 prill të vitit 2008. Neve na ngeli ëndërr për të vizituar Australinë dhe ishte nder për babanë që vizitoi atë vend të bekuar.” Me sa përmenda këtu për takimet e Koço Litit për përshtypjet e vizitës së tij në Australi dhe të vëllait të tij Kristo Litit në Shqipëri, të bën përshtypje se si në doganën shqiptare Koços i vunë një pagesë fantastike për atë kohë prej 180.000 lekësh, sidomos për vidion e famshme. Këtu është vendi të përmend ato që më ka treguar miku im i ngushtë inxh. Besnik Fecanji me të cilin jetojmë prej kohësh këtu në Nju Jork, për emigrantët shqiptarë në Australinë e largët dhe ekzotike, ku nuk mungojnë edhe notat e humorit. “Dekada më parë, në kohën e socializmit, në Korçë vjen nga Australia një emigrant i hershëm korçar me emrin Tare. Të gjithë e dinë se Korça dhe fshatrat e saj kanë pasur një emigracion të hershëm të gjerë, qysh nga fillimi i shek XX, sidomos në Amerikë, Australi, Francë etj., pa përmendur këtu kolonitë e famshme patriotike në Bukuresht, Sofje, Stamboll, Misir (Egjipt) etj., në shek XIX dhe XX. Kur erdhi Tarja në Korçë pra, të gjithë të afërmit e një turmë qytetarësh kuriozë, dolën dhe e pritën me ceremoni. Mbi të gjitha, të gjithë u pataksën nga bagazhet gjigande që Tarja kishte sjellë me vete e si ia kishin lejuar në doganë gjithë ato arka kaba. Pasi u puthën e u përqafuan me afsh të madh, më në fund u hapën sëndukët e mëdhenj të Tares me një kureshtje të skajshme, duke kujtuar se Tarja do të kishte vesh-mbathje e ushqime të ushqente gjithë mëhallën me ato mallra aq të lakmuara. Por kur u hapën arkat, të gjithë shtangën nga habia: Tarja filloi të nxirrte jo pa mundim prej andej … vare, pyka gjithfarësh, cmilarë, çekanë e turlilloj çekiçësh, kazma, prashajka, lopata e shata, gozhdë të të gjitha llojeve, vidha e bulona, sqeparë, mistri e të tjera hallate si këto. Tarja i shkretë, shtangu kur pa turmën që në vend të gëzohej, papritur u ngrys, e madje shumë syresh po nënqeshnin me ironi. Tarja i gjorë, i larguar që në kohën e Zogut nga Shqipëria, nuk e dinte se vendi i tij Shqipëria, ishte zhvilluar shumë në industri, bujqësi, arsim etj., por ndërkohë vuante nga varfëria, izolimi nga bota e jashtme perëndimore, nga mungesa e lirive themelore të njeriut, dogmat ideologjike ekstremiste, sundimi njëpartiak etj. Çudia qëndronte edhe se doganierët shqiptarë, jo vetëm që nuk i vunë gjoba marramendëse për bagazhet e tij të mëdha, siç i vunë Koço Litit, por ia lejuan pothuajse falas. Natyrisht që doganierëve, hajdutë me kollaro iu duhej vidioja e Koços dhe nuk kishin ç’i donin pykat e varetë e Tares. Që atëhere në Korçë, Tares i mbeti nofka “Tare vareja”! Dua të shtoj këtu edhe si një kujtim për Kristo e Koço Litin, se në Australi jeton e punon një komunitet i gjerë shqiptarësh nga Shqipëria, Kosova e viset e tjera shqiptare, që kanë emigruar që nga fillimet e shek. XX e vazhdimisht deri në ditët tona. Duhet ditur se Bashkimi Australian është një vend i madh e i begatë, një kontinent me sipërfaqe mbi 7. 682. 300 km2 dhe me popullsi të pakët as 20 milionë banorë, pasi pjesa më e madhe e brendshme është shkretëtirë e vetëm pjesa bregdetare e Jugut, Lindjes e pjesërisht Perëndimit me qytetet e mëdhenj Sydnay, Melbourne, Adelaide, Brisbane, Perth, Canbera etj., janë të zhvilluar. Shtetet e saj si Wells i Jugut, Queensland, Victoria etj., janë të përshkuara nga hekurudhat e infrastruktura e zhvilluar në shërbim të industrisë minerare si qymyr, hekur, bokside, uranium e ar, të metalurgjisë e kimisë, të fushave të pamata me grurë e bagëti si delet për të cilat Australia është nga të parët në botë. Ky vend i madh e i begatë, shtet i pavarur në Komonuelthin Britanik është edhe një vend ekzotik e i bukur me kafshë e bimë që nuk gjenden në asnjë vend të botës, si ekidna, gjitari me sqep, marsupialët si kanguri (simbol i Australisë), zogu Lira, qeni Dingo etj. Koralet e famshme të bregut të Pacifikut e të tjera mrekulli të natyrës. Aty jeton e punon me sukses prej shumë dekadash, qysh nga Pavarësia, një komunitet shqiptarësh i shtrirë që nga Perthi, Athertoni, e deri në Sydnay, Melbourne, Adelaide, Brisbane etj., në mbarë Australinë. Të gjithë e njohin këngëtaren e hitit të para ca viteve “Të ka Lali shpirt …..” Silva Gurbardhin. Silva që është edhe juriste e gazetare ka bërë një vizitë në Australi para do viteve në një qytezë tërësisht shqiptare në Australi, Farm Albanian Town, e populluar dhe administruar krejt nga shqiptarët. Ajo ka realizuar një dokumentar televiziv shumë të bukur e interesant për këtë qytet të vogël shqiptar në Australi, të cilin mund ta shihni në linkun e këngëtares. Kohët e fundit, miku im inxh. Besnik Fecanji më dha për të lexuar një libër interesant me titull “Koha e shegës”, shkruar nga dy vëllezërit binjakë shqiptarë nga Ulqini, Naim e Sami Flamuri, ku rrëfehet për emigrantët shqiptarë në Australinë e largët, të shoqëruara me përjetime e hulumtime të vlefshme historike për Ulqinin shqiptar e me një set të pasur fotografik, ku pasqyrohen me hollësi peripecitë e emigrimit të dhimbshëm në Australi, punën vetëmohuese për t’u afirmuar e fituar jetesën me punë e ndershmëri, me biznesin e suksesshëm të tyre, marrëdhëniet e komplikuara familjare e shoqërore të emigrantëve shqiptarë sidomos prej Ulqini, i grabitur nga Mali i Zi (ku përfshihet në hartën e sotme) e aspekte nga natyra e jeta australiane. Ky libër i promovuar me sukses nga vëllezërit Flamuri edhe në Shqipëri e Shtetet e Bashkuara të Amerikës më shtoi së tepërmi njohuritë e mia për botën australiane dhe, sidomos për shqiptarët patriotë që jetojnë dhe punojnë me sukses në kontinentin e largët australian. Ai më shtyu të kuptoj edhe më mirë e në thellësi për jetën e Kristo Litit në Australi, po ashtu edhe të vizitës së Koço Litit atje, pasi fjalët e emigrantëve kanë shumë tipare të përbashkëta, ku spikat gjithmonë dashuria për atdheun mëmë, Shqipërinë. Kjo më bëri që ta pasuroj shkrimin tim me këto njoftime e të dhëna modeste që i përkasin edhe Kristo e Koço Litit, të cilëve u kushtohet ky shkrim.


Sigal