Klosi me gazetarët: Kujdes me shkrimet për fëmijët e dhunuar

    399
    TIRANE – Interesi i fëmijës duhet të prevalojë mbi çdo interes tjetër. Pikërisht për zbatimin e këtij parimi, që rrjedh nga detyrimet ndërkombëtare dhe legjislacioni vendas, ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi zhvilloi një mëngjes pune me gazetarët që mbulojnë kryesisht lajmet e çështjeve sociale, si dhe me drejtues të mediave në vend. Pjesë e këtij takimi ishte edhe kreu i Autoritetit të Mediave Audiovizive, Gentian Sala, si dhe drejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë së Mbrojtjes së Fëmijëve, Ina Verzivolli.
    Në fjalën e tij, ministri Blendi Klosi vlerësoi rëndësinë që ka për një shoqëri demokratike roli i medias, por kërkoi në të njëjtën kohë që, në rastin e kronikave apo lajmeve që kanë si objekt të tyre fëmijët, të bëhet kujdes për të mos cenuar integritetin e tyre.
    “Nëpërmjet denoncimeve, shpesh mediat shtyjnë institucionet për të vepruar, duke përmbushur kështu dhe misionin e saj në funksion të interesit publik. Me rolin e saj investigativ ka ndodhur që media ka zbuluar raste të fshehura, që i kanë shpëtuar filtrit të shtetit dhe institucioneve. Por detyra e medias natyrisht që nuk mbaron këtu. Mediat kanë edhe një detyrë shumë të rëndësishme, e cilat lidhet me respektimin e etikës, sidomos kur ato transmetojnë lajme që kanë të bëjnë me fëmijët. Sipas Konventës për Mbrojtjen e Fëmijëve, në çdo publikim, media duhet të konsiderojë mbrojtjen e interesit të fëmijës para çdo interesi tjetër”, – u shpreh ministri Klosi në fjalën e tij.
    Më tej ai theksoi se publikimi i të dhënave për vetë fëmijën apo persona të tretë, siç janë familjarët, të afërmit etj., bëhet shkak për identifikimin e personit të tij, duke sjellë për pasojë probleme në riintegrimin e tij në shoqëri.
    “Publikimi i informacioneve që i bën fëmijët të identifikueshëm në rastet kur ata janë viktimë e një ngjarjeje të rëndë, ndikon në riviktimizimin e fëmijës dhe rehabilitimi i tij bëhet shumë i vështirë më pas. Pasojat e këtyre publikimeve bien mbi vetë fëmijët. Shpesh, ekspozimi i fëmijëve dhe familjeve të tyre në media bëhet shkak për mosraportimin e abuzimit, pasi familja bën llogaritë me kostot e rënda që duhet të përballet nëse ata denoncojnë faktin”, – shtoi ministri Klosi.
    Për këtë arsye, ministri Klosi theksoi se është e rëndësishme që vetë mediat të mbrojnë interesin e fëmijëve dhe t’i trajtojnë ata në kronikat e tyre me pozitivitet.
    “Për fat të mirë, shumë media kanë rënë dakord të respektojnë parimet që sigurojnë mbrojtjen e jetës private të fëmijës; megjithatë, të tilla standarde etike nuk respektohen nga të gjithë. Etika nuk zgjidhet me shtrëngime financiare, siç është gjoba, duhet ndërgjegjësimi i gjithë aktorëve në këtë drejtimin dhe sidomos kur bëhet fjalë për fëmijët. Ndaj është e rëndësishme që të krijojmë një partneritet me vetë median drejt qëllimit tonë universal: mbrojtja e fëmijëve”, – tha Klosi në fjalën e tij, ndërsa paralajmëroi ndërmarrjen vitin e ardhshëm të një fushate mbarëkombëtare për sensibilizimin e shoqërisë në mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve.
    Kreu i Autoritetit të Mediave Audiovizive Gentian Sala tha se po bëhet gati një udhëzues për mediat pasi ai deri më tani janë vërejtur shumë shkelje.
    Sipas një raporti të Agjencisë Shtetërore për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve në një pjesë të mirë të mediave kur bëhet fjalë për lajme që prekin fëmijët nuk respektohet privatësia e tyre ose nga mediat jepen detaje që bëjnë lehtësisht të identifikueshme viktimat.
    Sigal