Kisha në Dhërmi/ Dhima: Shteti po lejon prishjen e një objekti fetar

603
Kisha Ortodokse e Shqipërisë ka denoncuar prishjen e Kishës së Dhërmiut nga punonjesit e Bashkisë së Himarës.Kisha shprehet se besimtarët u provokuan nga një incident i rëndë, shkaktuar nga struktura të pushtetit lokal me mbështetjen e organeve të rendit.
Thoma Dhima: Shteti po lejon prishjen e një objekti fetar
Zëvëndësi i Kishës Ortodokse shqiptare Thoma Dhima në një deklaratë për mediat u shpreh se “shteti po lejon të prishet një objekt fetar duke prishur kështu marrëveshjen që egziston mes shtetit dhe kishave sipas të cilit nuk mund të ndërhyhet në asnjë objekt fetar pa u njoftuar më parë ato. Sipas Dhimës objekti është prishur në vitin 1972 dhe më pas është ndërtuar sërish në 1992 
“Pastrimi i territorit është bërë dhe bëhet vetëm nga arkeologët sepse kërkojnë objekte arkeologjike në të duke dëmtuar ikonat e besimit tonë.Objektet nuk do ti prekë askush,këta kanë vepruar fshehurazi,ktu ka patur punonjës të bashkisë por sapo kanë parë priftin janë larguar nuk kanë komunikuar me të”-shprehet Gjikopulli për A1 Report
Sigal

Artan Shkreli këshilltari i kryeministrit në analizën e tij për këtë ngjarje argumenton se ndërhyrja e INUV ka qënë e nevojshme pasi gjatë ndërtimit ka pësuar deformime nga projekti i saj

“Kisha historike e Shën Thanasit në Dhërmi, fatkeqësisht pëson deformime nga rindërtimi pa leje, duke detyruar INUV- in e Himarës të ndërhyjë. Kontestimi antiligjor dhe i paarsyeshëm që OMONIA po i bën ndërhyrjes së policisë ndërtimore, ka të bëjë me faktin se injorojnë historinë e këtij vendi.”Pos të tjerash, në këtë kishë u varros edhe misionari Nilo Katalano. “Aty është varrosur braziliani Nilo Katalano, që hapi shkollat e para shqipe”

Ndërhyrja në Kishën ortodokse

“Në mënyrë të befasishme, punonjës të Bashkisë Himarë shkuan në kishën e Shën Athanasit, hoqën ikonat dhe sende të tjera të shenjta dhe nisën ta shkatërronin atë. Këto veprime u bënë pa dijeninë e Komunitetit Orthodhoks, pa asnjë njoftim paraprak dhe pa asnjë dokumentacion ligjor.”- thuhet në deklaratën e Kishës Ortodokse.
Sipas Kishës Ortodokse ky veprim përbën edhe shkelje të ligjit nr. 10057/22.01.2009/ “Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë”, që garanton paprekshmërinë e vendeve të kultit dhe mbrojtjen e tyre nga shteti. Iniciativa të tilla abuzive private nën petkun zyrtar, duke iu nënshtruar interesave ogurzeza, duhen dënuar me forcë nga organet shtetërore, pasi cenojnë rëndë marrëdhëniet me komunitetet fetare.

Deklarata e plotë e Kishës Ortodokse

Sot, dt. 20 gusht 2015, në qytezën e Dhërmiut, në Himarë, komuniteti lokal i besimtarëve Orthodhoksë, në perudhën festive të së Kremtes së Tërëshenjtës Mari, u provokua nga një incident i rëndë, shkaktuar nga struktura të pushtetit lokal me mbështetjen e organeve të rendit. Në mënyrë të befasishme, punonjës të Bashkisë Himarë shkuan në kishën e Shën Athanasit, hoqën ikonat dhe sende të tjera të shenjta dhe nisën ta shkatërronin atë. Këto veprime u bënë pa dijeninë e Komunitetit Orthodhoks, pa asnjë njoftim paraprak dhe pa asnjë dokumentacion ligjor.
Sapo ky veprim u bë i njohur, besimtarë bashkë me klerikun shkuan në kishë, protestuan, ndërhynë dhe e ndaluan shkatërrimin e mëtejshëm. Ata shprehën indinjatën e tyre për këto akte flagrante dhe janë të gatshëm në çdo moment ta mbrojnë kishën e tyre nëse do të ritentohet të shembet ky vend i shenjtë. Edhe pasdite ata u mblodhën përsëri për të protestuar.
Tentativa për të dëbuar besimtarët nga një kishë e tyre, pronë e Komunitetit Orthodhoks, është edhe më skandaloze po të mendosh se u bë në shkelje të të gjitha ligjeve të mundshme, fshehurazi dhe në mënyrë tinzare. Ngjarja dëshmoi një mungesë të thellë të respektit ndaj besimit dhe komunitetit fetar, të ngjashëm me atë të sistemit ateist komunist, që shkatërroi kishën për herë të parë në vitin 1972 dhe gurët i përdori për të ndërtuar depon e ujit. Në vitin 1992, në vendin ku kishte qenë kisha e vjetër, banorët ngritën një kishë të thjeshtë, e cila ka 23 vjet që i shërben si vend adhurimi komunitetit. Por përsëri dikush po përpiqet ta shembë, si 43 vjet më parë!
Ky veprim abuziv i disa punonjësve shtetërorë, përbën veç të tjerash edhe shkelje flagrante të Ligjit nr. 10057/22.01.2009/ “Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë”, që garanton paprekshmërinë e vendeve të kultit dhe mbrojtjen e tyre nga shteti. Iniciativa të tilla abuzive private nën petkun zyrtar, duke iu nënshtruar interesave ogurzeza, duhen dënuar me forcë nga organet shtetërore, pasi cenojnë rëndë marrëdhëniet me komunitetet fetare. Aq më shumë që akte të tilla kanë ndodhur vetëm me objektet orthodhokse të kultit.
Shpresojmë që në vazhdim ata që u implikuan në këtë skandal, do të kuptojnë se kanë vepruar në mënyrë të gabuar dhe do të pendohen përpara Perëndisë dhe komunitetit për përdhosjen e një vendi të shenjtë dhe do të respektojnë ligjin.