Kina dhe biznesi në arsim

    381
    Sigal

    Kina jo vetëm që prodhon më shumë gjëra se sa pjesa tjetër e botës, por gjithashtu është gati për të dominuar botën intelektualisht. Universitetet kineze janë duke u përgatitur për të pushtuar botën. Kina tani është duke marrë rolin udhëheqës në publikimin e dokumenteve akademike. Çdo vit kampuset kineze janë duke prodhuar legjione të inxhinierëve mekanikë të super-kualifikuar dhe nuk është çudi, duke pasur parasysh zakonet e tyre spartane studimore! Në fakt, asnjë nga këto gjëra nuk është (plotësisht) e vërtetë. Sigurisht Kina është e furnizuar me bollëk nga mendjet e mëdha, dhe sigurisht shumë prej studentëve të saj janë punëtorë të përkushtuar. Por shpesh shumë nga statistikat e cituara rreth triumfeve akademike të Kinës dalin të jenë boshe, të rreme. Po, është e vërtetë se, akademikët kineze publikojnë shumë punë shkencore por kjo ndodh sepse qeveria ka vendosur sasinë e detyrueshme të botimit. Cilësia e shumicës prej atyre monografive kineze (e cila mund të matet nga se sa shpesh ata janë të cituar nga studiues të tjerë) është njolla e zezë. Disa nga numrat e kanë origjinën të paqartë, dhe shumë prej këtyre “inxhinierëve” janë përshkruar më mirë si “teknikë”, njerëz, kualifikimet e të cilëve janë minimale. (Dhe mos të merremi fare pastaj më mashtrimet dhe korrupsionin që me sa duket përshkojnë sistemin arsimor kinez.). Me pak fjalë, të flasësh për arritjet akademike të Kinës duket sikur duhet të merresh me një kokërr kripë. E gjithë kjo më erdhi në mendje ditën kur lexova një histori në Nju  Jork Times që mbante titullin ogurzi: “SHBA bie, ndërsa Azia fiton pikë në renditjen botërore të universiteteve”. Artikulli i referohet studimit më të fundit të universiteteve botërore të kryera nga revista “Times” (një nga organizatat e pakta që ofron një renditje vjetore të institucioneve të arsimit të lartë në mbarë botën). Këtu është një nga pasazhet e shkrimit: “Universitetet aziatike ishin fitueset më të mëdha, me universitete në Kinë, Singapor, Australi, të cilat lëvizën lart, ashtu si edhe çdo universitet në Korenë e Jugut, e udhëhequr nga Seul National University, i cili kërceu në vendin e 59 nga 124 që ishte. “Ne kemi qenë duke folur për vite për rritjen e Azisë,” tha Phil Baty, redaktor i renditjes. “Por kjo është prova e parë e fortë empirike”. Duke lënë tërësisht mënjanë pyetjen nëse Australia duhet të konsiderohet pjesë e Azisë, e kam gjetur këtë tezë shumë intriguese. Një vështrim i shpejtë nga afër i renditjes shpejt zbuloi se, po, universitetet nga Azia janë sigurisht në renditje lart. Por pyetja më interesante rezulton të jetë: Nga cila Azi? Duke pasur parasysh të gjitha arritjet mahnitëse të akademisë kineze, ne presim që universitetet nga Republika Popullore të jenë të mbi-përfaqësuara këtu. Por kjo nuk ndodh fare. Gjithsej, 57 universitete nga Azia marrin pjesë në totalin prej 400 universitetesh në këtë renditje. Nga ata, nëntë janë nga Kina. institucioni kinez i renditur më lartë është Universiteti i Pekinit, në numrin 46 (menjëherë pas Universitetit Uashington në St. Louis). Por kjo nuk do të thotë se të gjitha universitetet kineze janë duke luajtur lojëra akademike – siç bëhet e dukshme kur shihet pjesa tjetër e renditjes.