Kaos në Federatën e Notit

853
Sigal

Zëvendësministri republikan i Sporteve, Dashnor Bajaziti, skenarist i padrejtësive sportive

Kaos në  federatën e Notit. Politika shqiptare duket se ka injektuar dozat e saja të problemeve edhe në një pjesë të sportit dhe administratës të saj sportive. Muaji aktual dhe ato në vijim shënojnë edhe periudhën e zgjedhjeve në një numër të madh federatash të ndryshme. Ajo që kërkohet nga drejtuesit e Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sporteve eshtë të respektojnë rregullat e barazisë së përbashkët ndërmjet të gjithë kandidatëve që pretendojnë këto poste. Kjo pasi, një pjesë e këtyre kandidatëve nuk janë korrektë dhe me manipulimet e tyre, duke mos respektuar statutin pretendojnë se i kanë federatat prona private. Një gjë e tillë ndodhi edhe para pak ditësh me Federatën Shqiptare të Notit, ku u shkelën totalisht të gjitha rregullat dhe statuti i asaj federate. Njeriu që duhej të dëgjonte, të pranonte dhe të respektonte “Fair-Play”-in e këtij evenimenti ishte i deleguari i Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, zëvendësministri Dashnor Bajaziti. Gjatë fjalës së tij me nuanca demagogjike, zoti Bajaziti u shpreh optimizmin e tij për respektimin e ligjit dhe se prezenca e tij ishte një lloj monitorimi, duke theksuar se nuk do të ndërhynte më punët e brendshme të notit. Por, fatkeqësisht, njeriu që vinte nga bota sportive, dhe, që dikur ishte i admiruari i publikut kavajas dhe më gjerë, sot është shndërruar në zhgënjimin qytetar dhe atë mbarë sportiv. Fatkeqësisht, politika e ka “virusuar” dhe tjetërsuar njeriun, i cili me shumë se kushdo duhej t’i jepte të drejtën dhe të respektonte statutin e Federatës së Notit, si dhe konkurrencën e ndershme midis kandidatëve. Mbase lidhjet familjare, personale apo partiake të republikanit Bajaziti kanë bërë që ky proces të kundërshtohet nga një numër të madh shoqatash të notit, të cilat kanë kërkuar publikisht dhe anulimin e zgjedhjeve dhe zerimin e tyre. Aktualisht, veprimet e parregullta të kryera nga Asambleja e Përgjithshme Zgjedhore e Federatës së Notit janë tashmë objekt i procedurës së gjykimit pranë Komisionit të Arbitrazhit Sportive (KAS-it). Ministrit Aldo Bumçi i është kërkuar publikisht bllokimi i certifikimit të kësaj masakre, që më të drejtë ka revoltuar komunitetin e një prej sporteve të dashura në vend, por që fatkeqësisht nuk ka bërë progres, ndërsa është përjashtuar edhe nga evenimente të rëndësishme. Mungesa e përgjegjësisë dhe abuzimi i hapur nga ana e Sekretares së Përgjithshme të Notit, Suela Haxhisë, bllokimi, fshehja dhe mos dorëzimi i dokumentacionit pranë  KAS-it për gjykim, është jo vetëm mëkati i radhës për ‘të, por edhe i zv/ministrit përgjegjës Dashnor Bajaziti. E theksojmë këtë moment pasi para zgjedhjeve janë fshehur dhe ndryshuar materialet dhe, se u nevojit në shumë raste ndërhyrja e z. Vasil Bici, Drejtorit të Përgjithshëm i Sporteve, që kjo situatë të zhbllokohej në momente të veçanta, por që u veshë me mistere dhe shkelje skandaloze ditën e mbledhjes për votimin e  drejtuesve të notit shqiptarë. Standardi i dyfishtë, qëndrimet e paqarta, dhe shpesh kontradiktore, duket se janë moto e punës së zotit Bajaziti, kjo nisur dhe nga rasti i zgjedhjeve të kontestuara të Federatës Shqiptare të Çiklizmit, ku për parregullsitë flagrante të konstatuara dhe të vërtetuara nga komuniteti sportiv, ato priten të anulohen dhe të rizhvillohen, ndërkohë që, në rastin e Federatës së Notit, shikohet një heshtje dhe zvarritje për të cilën nuk duam të besojmë se, është e qëllimshme nga drejtues të veçantë të Ministrisë së Turizmit, Kulturës Rinisë dhe Sporteve.

AKUZAT E “TIRANA DELFINA SPORT”

Shoqata “Tirana Delfina Sport” (TDS) hodhi akuza të forta dhe të drejtpërdrejta në lidhje me procesin zgjedhor gjatë Asamblesë së Federatës së Notit, të zhvilluar më 7 nëntor në Durrës. Në një deklaratë publike për mediat, “TDS”-ja i deklaroi zgjedhjet si një masakër të pastër zgjedhore, ndërkohë që i cilësoi ata se manipulimi më i madh që ka ndodhur në komunitetin e notit. Shoqata e njohur e notit përmendi një seri faktesh dhe argumentesh për të vërtetuar akuzat. “Asambleja degjeneroi deri atje sa iu besua vota edhe shoferit të firmës së presidentit Alliu, ky i mandatuar si anëtar i shoqatës së veteranëve pa qenë notar, për më tepër emri i tij u vendos pak minuta përpara se të fillonte votimi”. “A e dini se edhe një anëtar i shoqatës ‘Alb- Sport’ hyri në votim vetëm gjatë votimit pasi në njoftim shkruhej se kjo shoqatë nuk kishte sjellë dokumentet? Ndërsa për dy shoqatat e tjera votuan persona, të cilët nuk kanë lidhje me klubin Flamurtari dhe shoqatën ‘Jon’, edhe këtu u konstatuan shkelje statutore”, – thuhej në deklaratën e shoqatës “Tirana Delfina Sport”. Sipas TDS-së, shkeljet statutore vijojnë me përjashtimin nga zgjedhjet të shoqatave “Te Stela”, “Tradita” apo privimin nga e drejta e votës të ish-kampiones Rovena Marku, trajnere e shoqatës “Tornado” dhe delegimin e një tjetër personi.