Ismail Kadare/ Poezi

    1808
    Sigal

    Rënia e dëborës

     Ty ndoshta nuk të shkoi ndërmend

    Se qielli rastësisht s’u mbyll

    Se kjo dëborë që shtroi kudo

    Në të vërtetë ra për ty.

    U projektua çdo kristal

    I saj në qiell të madh diku

    Dhe nuk pushoi së rënia ajo

    Gjersa i gjeti flokët e tu

    Që ti ta shkundje me një gjest

    Shkujdesshëm krejt e gjithë gëzim

    Një natë të tërë qielli punoi

    Me ernat në bashkëpunim

    Dhe në mëngjes i zbehtë ai,

    I ftohtë hapej madhërisht,

    Ndërsa shëtisnim ne të dy

    Nën altruizmin e tij të hirtë

    Kristal

    Ka kohë që s’ shihemi dhe ndiej

    Si të harroj un’ dalëngadalë,

    Si vdes tek unë kujtimi yt

    Si vdesin flokët dhe gjithçka.

    Tani kërkoj unë posht’ e lart

    Një vend ku ty të të lëshoj.

    Një strofë a notë, a një brilant

    Ku të të lë, të puth, të shkoj.

    Në s’të pranoftë asnjë varr,

    Asnjë mermer a morg-kristal,

    Mos duhet vall’ prap’ të të mbart

    Gjysmë të vdekur, gjysmë të gjallë?

    Në s’ gjetsha hon ku të të hedh

    Të gjej një fushë a një lulnajë

    Ku butësisht porsi polen

    Gjithkund, gjithkund të të shpërndaj.

    Të të mashtroj ndoshta kështu

    Dhe të të puth e t’ ik pa kthim

    Dhe nuk do dimë as ne,askush

    Harrim ish ky a s’ ish harrim.

    Pas darke

    Qelqet e lodhura të gotave

    Rrëzëllojnë zbehtë më pas

    Gjithë natën mallëngjyeshëm do kujtojmë

    Buzë të bukura grash.

    Në mëngjes te lavamani i bardhë

    Ujët do të vërshojë me furi

    Dhe qelqi, si pas heqjes së kujtesës,

    Do të ndritë, steril, përsëri.

    Ndonëse, ndoshta, po ta shohësh me kujdes

    Një kontur do të ketë mbetur i zbehtë,

    Sa darka do të duheshin vallë

    Për të ngjallur të akulltin qelq?

    Sa dihatje, frymëmarrje, buzë

    Të bukura grash.. ku ta dish

    Por gjatë udhës drejt ndërgjegjësimit

    Qelqi do të thyhej natyrisht

    Dhe në rënien e tij kristalore,

    Në përndritjen e fundit tek plas

    Do të ketë si ofshamë të fundit

    Të qeshura e lot grash.

    Mall

    Ca pika shiu ranë mbi qelq.
    Për ty unë befas ndjeva mall.
    Jetojmë të dy në një qytet,
    Dhe rrallë shihemi, sa rrallë.

    Edhe m’u duk pak e çuditshme
    Si erdh kjo vjeshtë, ky mëngjes.
    Qiejt e ngrysur pa lejlekë
    Dhe shirat pa ylber në mes.

    Dhe thënia e vjetër e Heraklitit
    Seç m’u kujtua sot për dreq:
    “Te zgjuarit janë bashkë në botë,
    Kurse të fjeturit janë veç”.

    Në ç’ëndërr kemi rënë kaq keq,
    Që dot s’po zgjohemi vallë?…
    Ca pika shiu ranë mbi qelq
    Dhe unë për ty seç ndjeva mall

    Ti qave

    Ti qave dhe me the me zë të ulët
    Se unë të trajtoja si prostitutë.
    Atëherë lotëve të tu s’ua vura veshin
    Të desha, pa ditur se të desha.

    Veç një mëngjes të beftë kur u gdhiva
    Pa ty dhe bota krejt e zbrazët m’u duk,
    Atëherë kuptova ç’kisha humbur,
    Ç’kisha fituar kuptova gjithashtu.

    Më rrëzëllinte si smerald mërzitja,
    Dhe lumturia ngrysej si një muzg me re…
    Nuk dija ke te zgjidhja nga të dyja
    Sepse secila m’ë bukur se tjetra qe.

    Se ish i tillë ky koleksion bizhush
    Që drite e terr lëshonte njëkohësisht,
    Që njëqindfish etjen për jetën shtonte,
    Por dhe që vdekjen ndillte njëqindfish.

    NË PARKUN QË MBULUAN FLETËT

    Në parkun që mbuluan fletët
    Të dy ne ecim qetësisht,
    Pas shijes saj ka shtruar vjeshta
    Qilim të verdhë natyrisht.

    Dhe ndoshta si një ëndërr e zbehtë
    Ju fanit një muzg i vonë
    Ky park q’ë kan’ mbuluar fletët
    Ku pas kaq shekujsh ti po shkon.

    Nga vagabondët me cigare
    Ti mos u tremb e dashur kot
    Imazhin tënd as dinosaurët
    Shekuj më parë s’e shtypën dot.

    Që ti të vije kaq e bukur
    Me këta flokë, me këtë hap
    Toka të egrën klimë e zbuti
    Dhe akullnajat ktheu mbrapsht.

    Dhe s’kishte se si të ndodhte ndryshe
    Të ndodhte ndryshe s’kish se si.
    U desh të zhdukeshin përbindëshat
    Që te kjo botë të vije ti…

    TI DHE HËNA

    Kësaj nate me hënë të vjeshtës
    Dola fushës të bredh kuturu.
    Retë shtohen me vrap pa reshtur,
    Hëna duket aty-këtu.

    Porsi vetë mendimet e mia
    Po më shtyhen ndër mënd më shpesh
    dhe pas tyre gjithnjë gjendesh ti
    si kjo hënë që duket mes resh.

    Hëna shpejt do të zhduket dhe netët
    do të mbeten pa të, kurse ti
    në ëndërrimet e mia pa jetë
    perëndim s’do të kesh kurrsesi.

    Një Vajzë

    Duke të puthur, pa të dashur
    Në shpirt ai ty të plagoi
    Buzëpërgjakur nga të kuqtë e tu,
    si vrasës tinëz shkoi

    Krenar që ty “të shtiu në dorë”
    Gjith’ shokëve emrin tënd ua tha.
    Pranë gotës së birrës për ty folën
    në park, të dielave ata.

    Dhe ti e vetme mbete, bosh
    mbenë sytë e ty në net bilbilash
    Si sheshi i shkretë, ku posa ndodhi
    Një katastrofë automobilash.

    Tani kur shkon Rrugës së Dibrës
    Ata me sy të ndjekin pas
    Pataj me bërryl i bien shokut
    “E sheh filanen? E ka pas…”

    Dhe ti ul kokën shpejton hapin
    T’arrish tek shoqja sa më shpejt
    Të përsërisësh fjalët standard:
    “Ah, njëlloj janë të tërë djemtë”

    Të dyja t’ulura pranë radios
    Do ndizni heshtur një cigare
    tek supi i saj, nën fjalë lajmesh
    një çast dremitja do të t’ marrë

    Dhe do të të çojë tek një rrugë tjetër
    M’ë gjerë, m’ë bukur dhe më e re
    Atje në sfond fabrikash, njerëzit
    Nga këmbët s’do të të venë re.

    Atje ku t’ecësh midis turmash
    Në një grup djemsh, ndoshta midis
    Dikush me bërryl do t’i bjerë shokut:
    “E sheh filanen? Ishim miq…”