Inxh. Niko NASKA/Ja veprat e mëdha industriale që u ndërtuan në Shqipëri, para 1990-s

    1489
    Sigal

    Kujtesë për Niko Pojanin

    Në gazetën “TELEGRAF” të ditës së martë, dt.25 Qershor 2013, në shkrimin me titull “Parulla e përhershme e ndërtimeve ishte: “Të ndërtojmë shpejtë, mirë dhe lirë”, me autor Niko Pojani, limitizohen projektet e rëndësishme të periudhës para vitit 1990.

    Autori në atë shkrim tregon nivel të pamjaftueshëm në njohjen e punimeve të kryera nga armata e ndërtuesve, kuadrove, specialistëve e projektuesve të të gjitha kategorive të objekteve e veprave të ngritura në atë periudhë si :

    – Në ndërtimin e veprave hidroenergjetike, ku çdo 5 deri 6 vjet ndërtohej nga një hidrocentral i madh, si hidrocentrali i Lanabregasit, Ulzës, Shkopetit, Bistricës Nr.1 dhe Nr.2, Vaut –Dejës, Fierzës, Komanit etj. U studiuan e u projektuan hidrocentralet e perspektivës për kaskadat e lumenjve Drin, Vjosë, Devoll, Osum, Erzen si dhe i 1213 hidrocentrale të vegjël.  Ndërsa sot hidrocentrali i Kalivaçit ka mbi 15 vjet që ka filluar dhe nuk dihet se kur do të përfundojë. Në projektimin e ndërtimin e këtyre hidrocentraleve dhanë kontributin e tyre specialistët e projektuesit e të gjitha fushave ku më të spikaturit ishin: RAHMAN HANKU, EMIN MYSLIU, LEANDRO ZOTO, PETRIT RADOVICKA, NESTILUBONJA, PANDI CEZMAXHIU, PANDI STRATOBERDHA, EGON GJADRI, GEZIM STRUGA, NURO DHIMA, MIHAL JORGJI, ISMAIL AHMETI, KUJTIM BEJTIA, PETRIT KOVACI e shumë e shumë të tjerë.

    – Në ndërtimin e linjave të tensionit të lartë (1754 KVv), ajrore e nëntokësore, së bashku me nënstacionet përkatëse e antenat televizive, të cilat u projektuan e ndërtuan nga specialistët tanë si: ALEKO HIDO,TOME MEKSI, LLAMBIBUDURUSHI, SKENDER KOSTURI, AGIM KAMBERI, AGRON DELIADHISI etj.

    – Në ndërtimin e hekurudhave (724km linjë kryesore,dytësore dhe lidhëse) së bashku me veprat e tyre të artit (ura, viadukte, mure mbajtës), tunele (tuneli i Qaf-Thanës me gjatësi 3115ML), stacionet hekurudhore etj., të cilat u projektuan e ndërtuan nga specialist të talentuar si SHABAN TOROZI, MITAT DEMIRI, PETRAQ CEREPI, YLLIDERVISHI, ARBEN KASARUHO, SOKOL KOMANI, CESK RADOVANI, GENC AJAZI, ARJAN LAKO etj.. Linjat hekurudhore nëpërmjet Hanit të Hotit lidhen me linjat ndërkombëtare në veri ndërsa në jug vetëm për 2173Ml (lin-Kufi me Strugën) kompletohej i vetmi korridor hekurudhor veri-jug. Sot transporti hekurudhor po shkon drejt rrënimit të plotë si shumë objekte e vepra të kësaj natyre

    – Ndërtimin e veprave madhore si Kombinati Metalurgjik në Elbasan, Superforsfati i Laçit, Ferrokromi i Burrelit, Uzina e Plasmasit në Lunjë, Uzina e Llampave në Vlorë, Uzina e Thelle e Naftës në Ballsh, Uzina e Telave në Shkodër, etj., ku punuan me përkushtim mijëra e mijëra specialistë e kuadro të ndërtimit si: SHKËLQIM BUMÇI, ROBERT FLOQI, GJERGJIDHIMA, LUIGJ ALAKSI, YLLKA ZALOSHNJA, NIKO NASKA, ANASTAS PONE, MAQO THEODHORI, SPARTAK POCI, VLADIMIR MEKSI, BARDHYL BEJO, SHPRESA TODRI, KUSHTRIM KUSHOVA, ALQI LOLI, JOSIF BILLO etj., sot këto objekte janë më shumë se të rrënuara.

    – Në projektimin e ndërtimin e porteve e pontileve të Vlorës, Himarës, Sarandës, Durrësit, Shëngjinit etj., ku punuan projektuesit ROBERT SEMINI, AGIM BIBASHI, VIKTOR KASIMATI, FISNIK KADIU, NIKO BUSHI, AGIM PUSTINA, etj., vepra, të cilat edhe sot i qëndrojnë kohës e janë në shërbim të ekonomisë së vendit.

    – Në projektimin e ndërtimin e veprave vaditëse e kulluese, u ndërtuan 654 diga të rezervuarëve të ujit së bashku me nënobjektet përkatëse për të cilat dhanë kontributin e tyre projektuesit e talentuar KRISTO GOGA, ZENUN MURATI, FARUK TORO, SOTITAQ PANTAZI, STAVRI LAME etj.. Mbas vitit 1990 e në vijueshmëri këto vepra nuk mirëmbahen, nuk tregohet kujdes për to, janë lënë në harresë duke u bërë të rrezikshme për komunitetin e bizneset e ngritura në objektin e poshtëm të tyre. Nga kjo pakujdesi u përmbyt disa herë Shkodra, Durrësi, Lezha, Fieri etj..

    – Në ndërtimin e veprave mbrojtëse si aeroporti i Gjadrit, porti i Porto Palermos, veprat e ndryshme tokësore, nëntokësore, nënujore etj., ku punuan specialistë të kualifikuar të fushës së mbrojtjes si: DHIMITER STEFA, BASHKIM SHEHU, DHIMITER GJATA, PANDI KARANXHA, ILIR QERFOZI, ALEKS GJIKA, LEFTER ALUSHI etj, veprat të cilat janë monumentale të llojit të tyre, por që mbas viteve 1990 e në vijueshmëri po shkatërrohen (gjynah).

    – Gjatë periudhës 1945-1990 janë ndërtuar edhe shume objekte te tjera si godina banimi, vepra social-kulturore, turistike, shërbimi, ujësjellës, gazsjellës, benzinsjellës, punime minerare për nxjerrje qymyri, krom, bakër, hidrokarbure etj., vepra të industrisë kimike, industrisë së lehtë e ushqimore etj., etj., të cilat janë projektuar nga specialistët shqiptarë të fushave të ndryshme të instituteve Nr.1,2,3,4, Instituti i Mbrojtjes, i Bonifikimeve, Industrisë,ISTNetj., ku kanë punuar shumë projektues e ndërtues emrat e të cilëve ndodhen në “stampat” e projekteve që ato janë autor të këtyre objekteve, projekte të cilat janë arkivuar në “Arkivin e Ndërtimit” për të mos u harruar.

    – Të gjithë specialistët e ndërtimit, projektuesit e ndërtuesit me moton “Të ndërtojmë shpejt, mirë dhe lirë” punuan dhe bënë realitet vënien në punë e në shërbim të shoqërisë të gjitha këto objekte e vepra. Mbas viteve 1990 “Arkitektët e shkatërrimit të Shqipërisë” shumë prej këtyre objekteve i prishën, i shkatërruan, i rrënuan për t’i lënë në harresë, ashtu siç u lanë në harresë nga Niko Pojani në shkrimin e tij. Por objekte të tilla si: hidrocentrali i Fierzës, hidrocentrali i Komanit, Kombinati Metalurgjik i  Elbasanit, etj., të cilët u projektuan nga specialistët vendas, u ndërtuan nga punëtorët shqiptarë, janë objekte dhe veprat më të mëdha të të gjitha kohërave të ndërtuara ndonjëherë në vendin tonë. Sot mbas shumë vitesh (32 vjet shfrytëzim hidrocentrali i Fierzës, 27 vjet shfrytëzim hidrocentrali i  Komanit, 37 vjet shfrytëzim Uzina e çelikut, petëzimit në Kombinatin Metalurgjik), këto vepra punojnë për prodhimin e energjisë elektrike, prodhimin e çelikut, hekurit, profileve, tubave, llamarinave etj, duke i shërbyer zhvillimit të ekonomisë së vendit tonë. Ato flasin çdo sekondë të kohës, për të kujtuar Niko Pojanin se janë objekte të projektuara, të ndërtuara “Shpejt, mirë, lirë dhe me forcat tona”, nga shqiptarët dhe nuk duhet të lihen në harresë ashti siç bëri ai në shkrimin e tij të datës 25 Qershor 2013.

    Shënim: Kjo kujtesë bëhet me kërkesë dhe dëshirë të Niko Pojanit.