Invalidët e punës dhe komisionet e vlerësimit të aftësisë për punë

    687
    Sigal

    Invalidëve të punës me librezë shëndetësore e rekomandim përkatës të mjekut, u janë marrë lekë për analizat që kanë kryer në QSUT

    Dihet se në bazë të ligjit vlerësimi i aftësisë për punë të personave me aftësi të kufizuar kryhet nga komisionet e vlerësimit të aftësisë për punë pranë Drejtorive Rajonale të Sigurimeve Shoqërore (KMCAP). Por lind pyetja: A kemi gjithmonë vlerësim real të aftësisë për punë nga komisionet e posaçme? Unë them se në këtë kuptim ka pasur dhe ka mjaft abuzime të natyrave të ndryshme sepse:  Së pari; Ndodh që i njëjti mjek që të shtron dhe të mjekon në spital është dhe anëtar i Komisionit të KMCAP pranë Drejtorisë rajonale të Sigurimeve Shoqërore, pra për mendimin tim, këtu ka një konflikt të hapur interesi me qëllim abuzimin. Së dyti, ndodh në shumë raste që mjekët e të njëjtit specialitet duke qenë në konkurrencë dhe konflikt me njëri tjetrin për arsye të klientelës dhe përfitimeve ato që janë në komisione të KEMP-it i penalizojnë invalidët që vizitohen tek mjekët e tjerë dhe jo tek ai. Të dëmtuar në këtë rast janë invalidët e punës. Edhe pse për kriteret mjekësore të vlerësimit të personave me aftësi të kufizuar është një rregullore e veçante ndodh në shumë raste që mjekët e komisioneve nuk e zbatojnë atë, sepse edhe në rregullore shumë gjëra lihen në dorë të mjekëve. Në shumë sëmundje apo diagnoza sipas rregullores jepet vlerësimi që janë në kushtet e përfitimit si persona me aftësi të kufizuar përgjithmonë dhe po në fund të rregullores thuhet se të gjithë personat që vlerësohen me aftësi të kufizuar përgjithmonë duhet të rikomisionohen çdo vit pranë KMCAP-ve përkatëse. Abuzimi i mjekëve të komisionit të KMCAP këtu bëhet më evident. Këtyre personave ju kërkohen analiza të ndryshme dhe të shtrenjta në QSUT në Tiranë, në shumë raste edhe çdo vit. A e dinë mjekët që një vizitë nga Shkodra për në Tiranë ju kushton rreth 100000 lekë të vjetra dhe nuk dihet a kryejnë punë në një ditë apo jo. Pse duhet të sorollaten invalidët e  punës çdo vit apo sa herë që e kërkon mjeku i komisionit, ku sipas rregullores në komisione duhet të vihen mjekët më të aftë dhe mos të kërkohet që çdo gjë ta marrë nga analizat apo vlerësimet në spital të Tiranës apo nga KMCAP eprore. Ka ndodhur në disa raste që invalidëve të punës duke shkuar me librezë shëndetësore dhe rekomandim përkatës të mjekut ju janë marrë lekë për analizat që kanë kryer në QSUT.  Pra shumë sorollatje dhe shumë shpenzime për invalidët e punës. Në këtë aspekt duhet të saktësohet me rregullore se në cilat raste duhet të bëhen analizat dhe pse këto analiza mos të bëhen në spitalin rajonal, por në Tiranë, apo sepse kështu e kërkon mjeku i komisionit. Dhënia e paaftësisë për punë nga komisionet në shumë raste nuk bëhet për të gjithë njëlloj, por shfrytëzohen njohjet, miqësitë apo dhe ryshfetet që mund të jepen. Ndodh që shumë invalidëve ju jepet KEMP për 6 muaj, sidomos atyre që komisionohen për herë të parë, edhe pse vuajnë nga sëmundje të rënda, por ndodh që edhe atyre që komisionohen për herë të parë t’u jepet KEMP njëvjeçar deri dhe në trevjeçar, ndodh që invalidëve të punës që kanë dy ose tre gishta të prerë t u jepet KEMP përgjithmonë dhe atyre që kanë këmbën e këputur t u jepet vetëm 1 vit. Lind pyetja pse ndodh kjo? Kësaj mund t i përgjigjen vetëm ato që i bëjnë këto veprime. Pra mendimi im është që vlerësimi i aftësisë së kufizuar të bëhet për të gjithë njëlloj dhe jo të përdoren standarde të ndryshme. Ndodh që në komision të KEMP-it vijnë dhe paraqiten për t’u rikomisionuar edhe invalidë të paralizuar plotësisht sepse ju kërkohet nga komisioni edhe pse për sjelljen e tyre te komisioni duhet të angazhohet një makinë me 3-4 persona në një kohë që rregullorja e thotë qartë që për të sëmurët e kësaj kategorie duhet që anëtarët e komisionit të KEMP-it të shkojnë në banesë për vlerësimin e gjendjes së tij. Edhe një gjë tjetër mendoj se duhet ndryshuar lidhur me KMCAP. Në bazë të ligjit 9143 datë 16.10.2003, invalidët e punës përfitojnë ndihmë paaftësie, por ka persona që këtë përfitim nuk a e kanë marrë edhe për më shumë se 2-3 vjet. Arsyeja është e thjeshtë, se nuk  kanë ditur për këtë përfitim. Atëherë themi dhe kërkojmë që në komisione të KEMP-it t’ju tregohet për këtë përfitim dhe në ambientet e Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore të afishohen të drejtat dhe përfitimet e invalidëve të punës. Duke u nisur nga sa thashë më sipër mendoj që komisionet e vlerësimit të aftësisë për punë duhet të reformohen si në mendësi ashtu edhe në veprime konkrete. Duhet sa më parë të reformohen rregulloret për kriteret e vlerësimit të aftësisë për punë të personave me aftësi për punë ashtu dhe e rregullores së funksionimit të komisionit të vlerësimit të aftësisë për punë të personave me aftësi të kufizuar. Kjo do të shërbejë më mirë asaj që pensionin e invaliditetit ta marrin ato që ju takon dhe të mos abuzohet me to duke u sjellë me invalidët me mënyra poshtëruese duke ju bërtitur dhe duke i fyer dhe sorollatur ato sa në një spital në tjetrin, dhe mos të ndodhë ajo që në kuadër të forcimit të punës në komisione të KEMP-it t’u hiqet invaliditeti atyre invalidëve që ju takon dhe të vazhdojnë ta marrin përsëri ato që nuk ju takon.

    Myhedin Piranaj

    Kryetar i Shoqatës së Invalidëve të Punës

    Shkodër