INSTAT, Filipi: 3-mujori i dytë i 2015, rritje të punësimit

    396
    Drejtori i Institutit të Statistikave, Gjergji Filipi, deklaroi sot se 3-mujori i dytë i 2015 ka shënuar rritje të punësimit. Në terma vjetore, bëri të ditur Filipi gjatë një konference për shtyp nga INSTAT-i, punësimi është rritur me 3.7 për qind për moshën 15 vjeç e lart. “Gjatë tremujorit të dytë të vitit 2015, sipas Anketës së Forcave të Punës, numri i të punësuarve të moshës 15-64 vjeç është 1.048.908 persona. Numri i personave të papunë të moshës 15-64 vjeç është 220.162 persona”, tha Filipi. Sipas tij, 63,7 % e popullsisë 15-64 vjeç është aktive në tregun e punës, pra e punësuar ose në kërkim aktiv të një pune. Krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2014 për popullsinë 15-64 vjeç, Filipi tha se numri i të punësuarve është rritur me 42.601 persona, ndërsa numri i personave të papunë është rritur me 4.075. “Shkalla e papunësisë për femrat krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2014 u rrit me 2.5 pikë përqindje, ndërsa për meshkujt ka rënë me 2,3 pikë përqindje”, shpreh kreu i INSTAT-t. Krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2015 për popullsinë 15-64 vjeç shkalla e papunësisë ka rënë me 0,2 pikë përqindje për meshkujt dhe është rritur me 0,4 pikë përqindje për femrat.
    Sigal