Idriz TAFA/Të shpikësh lëkundje tërmeti në Tiranë

    472
    Sigal

    Bie tërmet të dielën në Mirditë dhe raportohet se kjo dukuri sizmike paska ndodhur të hënën. Institucioni përkatës shqiptar flet për një tërmet të lehtë me magnitudë 2.5 në thellësinë 20 km, mediet e internetit e transformojnë në një tërmet 4,4 të shkallës Rihter dhe thellësi 2 km.

    Në garën për shpejtësi lajmi, mediat on-line mundohen të stërmadhojnë atë që zbulojnë, thjesht për të fituar disa klikime më shumë. Dhe zakonisht informacionet me tema sensitive janë “gjahu” më i parapëlqyer për të joshur lexuesit virtualë. Në garën për tregun e internetit scoop-e janë dhe njoftimet për fatkeqësitë natyrore, mes tyre dhe ato për tërmetet. Sot kam lexuar në një faqe durrsake, që i takon një agjencie të re telegrafike, sikurse është Agjencia e lajmeve “Dyrrah”, një investigim të shpejtë për deformimet që ndodhin jo vetëm në hapësirën shqipfolëse, por edhe në atë të huaj.

    Faqja “SOnline” ka mundur që brenda 17 minutash të datës 25 mars 2013 të emetojë një lajm të marrë nga një faqe italiane për një tërmet, të supozuar, me intensitet të lartë, që ka ndodhur 60 km në veri të kryeqytetit, lëkundjet e të cilit paskan tronditur dhe Tiranën.

    Madje, njw faqe italiane arrin tw fantazojw: janë dridhur tavolinat dhe llambadarët dhe dikush ka dalë në rrugë nga frika.

    Tri orë më vonë, “Dyrrah” ka zbuluar një rrumpallë mediatike italo-anglo-shqiptare, ku del se edhe të huajt janë të shkujdesur në verifikime, gjë që ka ndikuar dhe në pasaktësinë e faqes shqiptare.

    Do të ishte me interes të lexohej ky investigim i bwrw:

    -Tërmeti i lehtë ndodh të dielën, mediet: të hënën!

    Spekulimi me të ashtuquajturat “lëkundje”, që “janë ndjerë edhe në disa qytete të tjera përfshirë dhe Tiranën”, teksa ngjarja sizmike ka ndodhur në malet midis Mirditës dhe Lurës

    Investigim i “Dyrrah”-ut nga Thanas Mustaqi

    TIRANË, 25 mars 2013 – Të luash për komercializëm me fatkeqësitë natyrore, teksa “shiten” si lajme sensacionale spekulimet italo-shqiptare për një tërmet të vogël majë maleve në verilindje të Shqipërisë.  Të dielën, më 24 mars 2013, Departamenti i Sizmologjisë i Institutit të Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit pranë Universitetit Politeknik të Tiranës ka hedhur në sajtin e tij një ngjarje sizmike: më 24 mars 2013 ora 9:57:44, ka rënë një tërmet i lehtë me magnitudë 2.5 në vendin e quajtur Arrë-Mollë në zonën e Mirditës, në koordinatat 41.83 gradë veri, 20.26 gradë lindje, në thellësinë 20 km.

    Sikurse shihet, është një tërmet i papërfillshëm dhe si lajm, prandaj dhe Agjencia e lajmeve “Dyrrah” nuk e raportoi.

    Por çudia ndodhi të nesërmen (sot), të hënën, më 25 mars 2013, kur sajti “Shekulli Online” njoftoi në orën 9:17: “Tiranë, tërmet me magnitudë 4.4 ballë, s’raportohen dëme”, duke shkruar se “lëkundje të tokës ka pasur mëngjesin e sotëm në Tiranë, rreth orës 08:20 minuta”.

    Madje kjo medie shpik një “Institut Sizmologjik”, sipas të cilit, thotë ky sajt, “tërmeti me magnitudë 4.4 ballë i shkallës Rihter e ka pasur epiqendrën 10 km në veri të Kurbneshit, ndërsa lëkundjet janë ndjerë edhe në disa qytete të tjera përfshirë dhe Tiranën”.

    Me sa duket, “Shekulli” ka bërë një përmbledhje të lajmit të transmetuar në orën 9:00 nga sajti italian “Centro Meteo Italiano.it” me titull “Terremoto oggi: intensa scossa di magnitudo 4.4 in Albania”. Media italiane i referohej për këtë tërmet “me intensitet të lartë” me magnitudë 4,4, në veri të Shqipërisë Qendrës Sizmologjike Euro-Mesdhetare (Centre Sismologique Euro-Méditerranéen).

    Fantazia e gazetarëve të “Çizmes”, ndryshon thellësinë e tërmetit nga 13 km në 2 km.

    Kuptohet se kjo thellësi, sipas sajtit apeninas, bëri që lëkundjet t’i ndjejnë edhe banorë të vendeve fqinje, pasi epiqendra u lokalizua 10 km nga Kurbneshi, 33 km nga Peshkopia dhe 64 km nga Tirana.

    Dhe që nga Italia kjo medie e specializuar ka parë se si janë dridhur tavolinat dhe llambadarët dhe dikush ka dalë në rrugë nga frika.

    Sajti ka premtuar “për më shumë detaje me kalimin e orëve, por për momentin nuk ka viktima dh e dëme materiale”.

    Por dhe aq shumë faj nuk kanë italianët, pasi, ndonëse i referohet njoftimit të 24 marsit të Institutit të Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit për një tërmet me magnitudë 2.5 në thellësinë 20 km, sajti i EMSC-së (European Mediterranean Seismological Center / Centre Sismologique Euro-Méditerranéen) e transferon ngjarjen më 25 mars, forcën e bën 4,3 dhe thellësinë 13 km.

    Gjithë kjo rrëmujë informative është investiguar nga “Dyrrahu”, duke paraqitur më poshtë versionet e njoftimeve në sajte.