Gjobiten dhjetëra mjekë në Elbasan e Durrës

    377
    Sigal

    Aksioni përbashkët ISKSH dhe ISHP, Qendrat spitalore dhe ambulancat: Mangësi të theksuara në punë

    Instituti Sigurimeve e Kujdesit Shëndetësor dhe Inspektorati Shtetëror i Punësimit, kanë ushtruar një aksion të përbashkët në Elbasan dhe Durrës, nga ku kanë gjetur dhe zbuluar shkelje ligjore në mjaft qendra shëndetësore dhe ambulanca, duke dalë me masa administrative e ligjore ndaj çdo abuzuesi. Në raportin përfundimtar thuhet se “pas kontrolleve dhjetëra mjekë, janë gjobitur nga ISKSH dhe ISHP në Elbasan dhe Durrës, por edhe shumë të tjerëve u është tërhequr vëmendja gjatë një kontrolli të zhvilluar në qendrat shëndetësore të rrethit. Burime nga sektori i kontrollit bëjnë të ditur se “nga kontrollet e bëra në Qendra Shëndetësore dhe subjekteve me kontratë, shefa të qendrave shëndetësore dhe mjekë të familjes, janë gjobitur dhe konkretisht ISKSH ka gjobitur dhjetë mjekë në vlerën 40 mijë lekë të reja, ka marrë masa zhdëmtimi për 22 mjekë në shumën totale 150 mijë lekë dhe është vendosur kusht penal në vlerën 30 mijë lekë”. Burime nga dy institucionet ISKSH dhe ISHP  deklaruan se ,“tek masat ndëshkuese janë përfshirë edhe drejtuesit e Qendrave Shëndetësore për shkak të mungesës së organizimit të punës dhe sistemit të referimit. Shkeljet e konstatuara në punën e mjekëve, sipas këtij raporti, janë në mos argumentimin e ndryshimit të mjekimit, për mos plotësimin e kartelës me të gjitha treguesit e domosdoshëm sipas detyrimeve kontraktuale, për mos zbatimin e protokollit të përdorimit të barnave dhe moszbatimit të akteve të dala nga ISKSH”. Mësohet se kontrollet janë kryer kryesisht në Qendrat Shëndetësore të qytetit dhe në komuna. Mjekë të këtyre Qendrave Shëndetësore, kanë akuzuar institucionet e kontrollit për mos shpërndarje në kohë të udhëzimeve dhe të praktikave ligjore. Ata nuk kanë dashur të identifikohen me emra, por kanë deklaruar se, “drejtoria nga e cila varen nuk i ka njoftuar në kohë dhe nuk ka dërguar udhëzimet përkatëse të MSH”. Mjekët ankohen për një mungesë informimi e transparence nga drejtoritë përkatëse. Mësohet se ISKSH dhe ISHP, në Elbasan dhe Durrës, ka në plan kontrolle në drejtorinë e spitaleve dhe qendrave shëndetësore. Kohë më parë, edhe Zyra e Punësimit në Elbasan ishte ankuar për paaftësi informimi të ISKSH-së ndaj qytetarëve që pajisen me libreza shëndetësore. Fakti është se në mjaft sektorë të sistemit shëndetësor sidomos në qytetet e mëdha, ka mjaft probleme që lidhen me ecurinë dhe zgjidhjen e ngërçeve ligjore, që ende nuk kanë shanse të shkojnë në rrugën e duhur. Padyshim pasojat i vuajnë qytetarët, pasi edhe kostoja e shërbimeve, që ata kryejnë nga institucionet e MSH, rëndon mbi xhepat e tyre. Pas sistemit gjyqësor, ai shëndetësor mbetet më i përfoluri dhe më i akuzuari në Shqipëri.