FSHZH përfundon punimet për rrugën Gramsh-Kodovjat

    472
    Sigal

    Katër komuna malore të rrethit të Gramshit lidhen me qendrën e rrethit falë investimit të kryer nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit

    Janë13 mijë banorë të komunave Kodovjat, Pishaj, Kukur dhe Lenie, në rrethin e Gramshit

    që do të komunikojnë midis tyre me rrugë të asfaltuar të parametrave bashkëkohore. Rruga Gramsh – Kodovjat 13.4 km e gjatë, tashmë e përfunduar është një tjetër investim i Fondit Shqiptar të Zhvillimit i cili lidh 4 komuna me njëra – tjetrën dhe me aksin nacional Gramsh – Elbasan. Kjo rrugë është financuar nga Qeveria Shqiptare dhe donatorë të tjerë. Ky segment, përshkon në një gjatësi prej 1.3 km zonën urbane të qytetit të Gramshit, dhe shtrihet në komunat Pishaj e Kodovjat duke shërbyer si arterie kryesore edhe për komunat Kukur e Lenie të këtij rrethi.

    Rruga ka qenë në gjendje të amortizuar dhe me kalueshmëri të ulët, veçanërisht për mjetet e vogla. Gjendja e keqe e rrugës ka sjellë një izolim të banorëve të këtyre komunave, sidomos gjatë stinës së dimrit.

    Rruga e re ka një gjerësi asfalti që varion nga 5 – 6 m dhe dy bankina nga 0.75 m. Ajo është e pajisur me të gjithë elementët e nevojshëm të infrastrukturës, siç janë sinjalistika vertikale dhe horizontale, mure mbajtës, tombino dhe vepra të tjera arti. Në zonat e banuara rruga është e pajisur me trotuare, dhe ndriçim publik. Projekti përfshin elementë të infrastrukturës nëntokësore duke përfshirë, kanalizimet e ujërave të zeza dhe të bardha.

    Drejtori Ekzekutiv i Fondit Shqiptar të Zhvillimit Z. Benet Beci, gjatë ndjekjes së punimeve në fazën përmbyllëse të tyre, në bashkëbisedim me gazetarët, ndër të tjera tha se:

     “Segmenti rrugor që po shohim sot lidh me rrugë të asfaltuar 4 komunat malore me qytetin e Gramshit. Me përfundimin e këtij segmenti rrugor, 13 mijë banorë të kësaj zone do të qarkullojnë në kushte normale transporti, duke lehtësuar lidhjen me shërbimet arsimore, shëndetësore, dhe tregjet. Ky segment rrugor është me të gjitha parametrat teknikë bashkëkohore, si edhe me elementet e plotë të sigurisë rrugore. Investimi në këtë segment rrugor ka dhe një veçanti, pasi ky segment i shërben zonës në zhvillim nga ndërtimi i hidrocentraleve në kaskadën e lumit Devoll nga Devoll Hidropower. Kjo kompani i është bashkuar investimit tonë duke shfaqur një nga rastet më pozitive të bashkëpunimit publik dhe privat në interes të komunitetit.

    Infrastruktura e përmirësuar do të japë rezultate të prekshme për komunitetin e kësaj zone, duke nxitur zhvillimin e bujqësisë dhe duke ofruar mundësi reale për një zhvillim social-ekonomik të qëndrueshëm. Punësimi dhe rritja e aksesit në tregun e punës janë një tjetër përfitim real për banorët e këtyre komunave.

    Në funksion të një ndërhyrjeje rajonale për zhvillimin e Qarkut Elbasan, FSHZH ka investuar në prioritetet kryesore të infrastrukturës të cilat kanë pasur impakt të drejtpërdrejtë zhvillimin rajonal dhe lokal. Në këto 4 vitet e fundit, në Qarkun Elbasan janë rehabilituar ose janë në rehabilitim rreth 105 km rrugë dytësore dhe lokale.