Fshati Prongji, vatra e parë që ka jetuar nga afër krijimin e çetës partizane “Çerçiz Topulli”

    85

     12.12.1942-12.12.2012, festohet 70- vjetori i çetës partizane me një emër të madh

     Atmosfera e madhe festive e krijuar gjatë përkujtimit të 100 -vjetorit shpalljes së Pavarësisë nga atdhetari dhe intelektuali i shquar Ismail Qemal Bej Vlora, që përkon edhe me 68- vjetorin e çlirimit të atdheut nga pushteti nazifashist dhe bashkëpunëtorët e tyre, na mbushën me krenari legjitime. Tërë shqiptarët kudo që jetojnë e punojnë brenda e jashtë kufijve shtetërorë, përjetuan një gëzim të përbashkët dhe ngjalli tek secili ndjenjën e dashurisë për atdheun e për kombin. Festimet e këtyre ditëve na sollën në kujtesë vitet e vështira e dramatike nëpër të cilat ka kaluar atdheu ynë dhe vështirësitë e shumta me të cilat janë përballur patriotët dhe brezat e parë; sakrificat e shumta që ka bërë populli ynë për liri e pavarësi. Kujtojmë se, vetëm 8 vjet pas shpalljes së Pavarësisë, një ngjarje tjetër e madhe pati vendi ynë, ishte mbajtja e Kongresit të Lushnjës dhe krijimi i qeverisë që ndaloi copëtimin e mëtejshëm të vendit pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore. 30 vjet pas Pavarësisë, një tjetër kuvend i madh popullor ishte Konferenca e Pezës sepse u krijua një front i përbashkët, ku u mblodhën gjithë patriotët pa dallim feje, krahine e ideje, për të marrë vendimin e madh historik për të ngritur popullin në luftë kundër pushtuesve fashistë italianë, 7- vjetorin e së cilës e festuam me 16 shtator 2012. Duke përkujtuar këto ngjarje të mëdha më vijnë në memorie deklarimet e Ismail Qemalit nga telegramet e tij me kancelaritë e kohës se: “Në qoftë se ju e quani kokëfortësi mbrojtjen e atdheut, tërësinë tokësore dhe të drejtave të popullit, bir i të cilit je, pa u tutur nga askush, atëherë dijeni se këtë kokëfortësi shqiptari e ka pasur dhe do ta ketë deri sa të jetë  bota”. Në të gjitha krahinat kishte filluar rezistenca ndaj pushtuesit fashist. Kjo situatë e ndezur atdhetare që u krijua pas pushtimit më 7 prill 1939, u shpreh qartë edhe nga fshati Prongji i krahinës së Kardhiqit në rrethin e Gjirokastrës. Më 28 nëntor 1941, qeveria fashiste organizoi një festë masive me pjesëmarrjen edhe të fshatrave të tjerë si qendra e komunës, gjoja për të nderuar Ditën e Flamurit e për të treguar para popullit se ne e respektojmë këtë ditë të veçantë, kur në të vërtetë kishte synime djallëzore. Por patriotët prongjatas këtë “festë” e shfrytëzuan për të treguar urrejtjen ndaj pushtuesve dhe shpirtin e tyre atdhetar. Ata kishin përgatitur një aleat të fortë atdhetar për grisjen e flamurit fashist vendosur në krah të flamurit tonë në sheshin e fshatit. Patrioti Ervin Zogu, i cili ishte invalid me një këmbë, mori iniciativën dhe me patericën e tij, tërhoqi flamurin e shkeli me këmbë dhe po e griste. Populli e mori në mbrojtje dhe nuk lejuan që ta arrestonin. Kjo ngjarje i tronditi pushtuesit, por ndezi edhe më shumë frymën atdhetare të popullit, madje ky akt përjetësohet në lapidarin e ngritur në qendër të fshatit. Situata e ndezur popullore e detyroi garnizonin e Partisë Komuniste në Gjirokastër të organizonte takime dhe biseda të shumta me njerëzit të mbështetur forcërisht nga patriotët: Hamza Makashi, Gani Haloçi, Kol Jani, Rustem e Safet Çofaj etj.. Në 1942-n, u krijua Këshilli Antifashist Nacional Çlirimtar me kryetar Hamza Makashin dhe sekretar Gani Haloçin. Ky këshill mori masa për riorganizimin e njësiteve të armatosura me tre pika kyçe të fshatit, për të marrë masa mbrojtëse, sepse pushtuesit do të ndërmerrnin aksione luftarake. Kjo gjendje e tensionuar detyroi këshillin antifashist për t’u organizuar më mirë në një formacion të rregullt dhe pas një pune përgatitore dhe të ndihmuar edhe nga qarkori i partisë u vendos të krijohej një çetë e armatosur, që mori emrin e Heroit Kombëtar “Çerçiz Topulli”. Kështu më 12 dhjetor 1942 në vendin e quajtur “Çairi i Mahmut Gjolekës” u grumbulluan të gjithë luftëtarët. Ky kënd ishte në periferi të fshatit dhe larg komunës e postës së karabinierisë fashiste. Pas informacionit që dha Hamza Makashi u kërkoi shokëve që të krijonin një çetë të armatosur më të organizuar dhe të gjithë njëzëri e aprovuan. Ndër luftëtarët e parë ishin Demir Kadëna, Mehmet Shkreli, Islam Binjari, sot dëshmorë të atdheut dhe Shefit Ligu e Neshat Kasi që braktisën shërbimin ushtarak dhe ju bashkuan çetës. Në çetë bënin pjesë edhe Thoma Pano, Kol Jani, Sadik Makashi, Kapo Shena, Gani Haloçi u caktua edhe komisar i çetës. Çeta mori emrin e heroit kombëtar Çerçiz Topulli, i cili me çetën e tij luftoi kundër turqve dhe për një kohë u fsheh e strehua në Prongji dhe populli e mbrojti atë. Për ta nderuar e respektuar këtë figurë e për të ndjekur më tej gjurmët e tij, çeta mori emrin e tij. Çeta luftarake e filloi aktivitetin me aksionin për largimin e Postës së Karabinierisë nga fshati dhe krijoi mundësi të mëdha për t’ju bashkuar luftëtarë të rinj nga Prongjia e fshatra të tjerë, Presati, Kardhisi, Fushëbardha etj.. Me zgjerimin dhe intensifikimin e inkursioneve luftarake nga pushtuesit kundër bazave kryengritëse dhe për të paralizuar çdo rezistencë të popullit. Lindi nevoja e riorganizimit dhe shtimit të radhëve me luftëtarë të rinj, për të bërë një rezistencë të organizuar. Në këto rrethana, me porosi të qarkorit të partisë u bë grumbullimi i tërë luftëtarëve në vendin e quajtur “Gryka e Tëmthit” në fshatin Fushëbardhë, si vend më i sigurt. Në këtë vend mbërritën luftëtarë nga tërë fshatrat e krahinës së Kardhiqit, Kurveleshit, e qyteti i Gjirokastrës. Mbasi u informuan për gjendjen dhe situatën e armikut, pas riorganizimit me skuadra e drejtues, komandant u caktua Dilaver Poçi, nga Fushëbardha i njohur si organizator e luftues i zoti, komisar u la përsëri Gani Haloçi nga Prongjia që më vonë u bë komandant i vendit. Në shtabin e çetës bënin pjesë edhe Siri Çarçani, Karafil Bello, sot dëshmor i atdheut dhe Islam Poçi. Çeta drejtohej nga baza partizane e vendosur në “Manastirin e Çepos” që komandohej nga heroi e luftëtari i shquar Shefqet Peçi. Që pas këtij riorganizimi, në ditët e fundit të dhjetorit dhe në janar 1943, çeta ndërmori një sërë aksionesh luftarake në tërë krahinën  dhe më vonë e shtrin këtë aktivitet dhe në rrethet Delvinë, Sarandë, Finiq, Konispol. Veprimtarët luftarakë vazhduan me dëbimin e postave të karabinierisë nga Serica, hapjen e depove të drithit, ku iu shpërnda falas popullit, gjë që rriti akoma më shumë mbështetjen popullore. U prenë linjat telefonike në këto rrethe, u asgjësua postblloku i vendosur në urën e Shijonit mbi lumin e Kalasës si dhe postën e karabinierisë në Aliko. Intensifikimi gjithmonë e më shumë i aksioneve të kësaj çete siç kujton Gani Haloçi ngjalli panik në komandën fashiste. Prandaj në shkurt 1943, organizuan sulmin e armatosur me 200 trupa, 6 makina luftarake dhe një autoblindë. Kjo autokolonë u sulmua nga një pjesë e çetës, në kodrat veriperëndimore të Dermishit që i çorientoi fashistët, e u detyruan të tërhiqen duke lënë disa të vrarë. Kjo çetë kreu luftime të tjera tek ura e Kardhiqit, në Qafën e Mezinës, në Libohovë e gjetkë. Ndërkohë, lufta kundër pushtuesve po zgjerohej e po merrte dimensione të mëdha, në Libohovë etj.. Ndërkohë, lufta kundër pushtuesve po zgjerohej e po merrte dimensione të mëdha, gjë që, krijoi një formacion partizan më të madh. Kështu me 7 gusht 1943 në fshatin e Prongjisë, u krijua batalioni partizan që mori emrin e heroit “Asim Zeneli”, vrarë në grykën e Mezhgoranit. Vendi, ku u krijua ky batalion përjetësohet në lapidarin e ngritur për këtë ngjarje të madhe. Në 70- vjetorin e krijimit të kësaj çete, ne nderojmë e përkujtojmë gjithë ato dëshmorë që dhanë jetën për liri. Partizanët që janë ndarë nga jeta, mes tyre drejtuesin kryesor “Heroin e Popullit” Shefqet Peçin, komandantin Dilaver Poçi, komisarin Gani Haloçi dhe luftëtarët Karafil Bello, dëshmor i atdheut, Islam Poçin, Mitat Kondin, Hetem Pogaçe etj., me rastin e 70 -vjetorit, komisar Gani Haloçit i është dhënë titulli i lartë “Nderi i organizatës së veteranëve” pas vdekjes, nga kryesia e Komitetit Kombëtar të Organizatës së Veteranëve. Komuna Cepo i ka dhënë titullin “Krenaria e Komunës” dhe titullin “Anëtar Nderi” nga komiteti i veteranëve. Ne përulemi me nderim para veprës së tyre. Në përkujtimin e 70 -vjetorit të krijimit të kësaj çete në fshatin Prongji. Lind pyetja, pse u zgjodh ky fshat që e jetoi nga afër krijimin e saj? Kjo ndodhi sepse fshati Prongji ndodhet në një pozicion të sigurt strategjik i rrethuar nga male dhe përrenj dhe si i tillë ka shërbyer si vend i sigurt për strehimin e patriotëve dhe atdhetarëve në të gjitha kohërat. Është fshati me tradita të hershme atdhetare dhe me kontribut të veçantë për liri dhe pavarësi. Në këtë fshat për disa kohë u strehua çeta patriotike e Çerçiz Topullit dhe disa djem ishin luftëtarë në këtë çetë. Nga gjiri këtij populli kanë dalë figura të spikatura atdhetare. I tillë ka qenë Bajram Ligu, apo siç njihet në histori Bajram Prongjia, atdhetari i Bimbashit. Ai ka bërë rezistencë edhe ndaj shovinistëve grekë, që luftuan për shkëputjen e trevës së jugut nga qeveria e Vlorës më 1913-1914. Bajramin e torturuan andartët grekë, i thyen dy brinjë dhe i prenë edhe veshin, pasi e dinin që ishte luftëtar i çetës së Çerçiz Topullit dhe mendonin se kishte vrarë edhe Dhespotin e Korçës. Pjesëmarrja e tij dhe e rreth 50 djemve e burrave të fshatit në Luftën e Vlorës më 1920-n, kundërshtuan me forcë pushtetin fashist në vitin 1939. Kërkuan armë -kujton Gani Haloçi, -por nënprefekti na tha: “Ç’i doni armët, të vritni veten”. Dhe ditën e zbarkimit, komandanti i xhandarmërisë kishte arrestuar gjithë burrat atdhetarë dhe i kishte izoluar në kalanë e Gjirokastrës. Stefan Maliko nga Prongjia, ka luftuar përkrah Mujo Ulqinakut në Durrës, më 7 prill 1939 ndodhej duke kryer detyrën ushtarake. Është plagosur rëndë dhe njihet për kontributin e tij. Ish- Presidenti Rexhep Meidani e dekoroi me “Medaljen e Artë të Shqiponjës” në vitin 1998 dhe një vit më vonë u nda nga jeta. Gjatë LANÇ-it ka qenë një ndër bazat kryesore të shtabit partizan në Manastirin e Cepos. Këtu strehoheshin kuadro kryesore të luftës, ishte Shtabi Partizan, depot e armëve e municioneve, ushqimit dhe veshmbathjes. Gjithë populli i këtij fshati u lidh me LANÇ-in dhe në repartet partizane u nënshtruan 70 partizanë, burra, djem e vajza. Ky fshat i ka dhënë luftës 5 “Dëshmorë të Atdheut”. Ne sot krenohemi me pasardhësit tonë për kontributin e madh që kanë dhënë ndër vite për liri dhe pavarësi. Dhe ndjekim gjurmët e tyre dhe përulemi me respekt të madh para veprës së tyre.