Frank SHKRELI / NOBELI I PAQËS I SHKON BASHKIMIT EUROPIAN

638
Sigal

Komisioni norvegjez i Nobelit njoftoi të Premten se Çmimi Nobel për Paqe, për vitin 2012, do t’i jepet Bashkimit Europian (BE). Në njoftimin zyrtar të Komisionit Nobel thuhet se, Bashkimi Europian ka kontribuar për më shumë se gjashtë dekada, në avancimin e paqes dhe pajtimit, demokracisë dhe të drejtave të njeriut në Europë. Në deklaratën e tij për mediat botërore, komisioni norvegjez tha se  që prej vitit 1945 pajtimi midis popujve dhe shteteve është bërë një realitet, dhe shton se vuajtjet e mëdha gjatë Luftës së Dytë Botërore demonstruan nevojën për një Europë të re dhe megjithëse gjatë 70 vjetëve, midis Francës dhe Gjermanisë u zhvilluan tri luftëra, sot lufta midis këtyre dy vendeve as nuk mund të imagjinohet. Duke shpjeguar arsyet për dhënien e Nobelit për Paqe BE-së, komisioni Nobel, ndër të tjera nënvizoi se: ”kjo tregon se nëpërmjet përpjekjeve të drejtuara mirë dhe duke ndërtuar dhe forcuar një mirëbesim të përbashkët, armiqtë historikë mund të shndërrohen në bashkëpunëtorë të ngushtë”. Miliona njerëz, anë e mbanë Europës, humbën jetën në luftërat që u zhvilluan në gjysmën e parë të shekullit të kaluar dhe shumë veta në atë kohë ishin të mendimit se duhej të krijohej një mekanizëm i ri për të mënjanuar përsëritjen e tragjedive të tilla. Në deklaratë thuhet gjithashtu se rrëzimi i komunizmit në Europë bëri të mundur anëtarësimin e disa vendeve të Europës Qendrore dhe Lindore në BE duke hapur kështu një periudhë të re në historinë europiane. ”Ndarja midis Lindjes dhe Perëndimit pothuaj ka marrë fund, demokracia është forcuar dhe shumë konflikte etnike janë zgjidhur”, thuhet në njoftimin e Nobelit për mediat. Megjithëse Bashkimi Europian është duke kaluar nëpër një periudhë shumë kritike dhe tepër të vështirë ekonomike që prej krijimit të tij me 1950-në, të shoqëruar edhe nga trazira shoqërore në disa vende anëtare të BE-së, siç dëshmojnë protestat në Athinë dhe Madrid, Komisioni i Nobelit thotë se dëshiron të përqendrohet në atë që ai e konsideron si rolin stabilizues që ka luajtur BE-ja në transformimin e një pjese të madhe të Europës, nga një kontinent lufte në një kontinent paqeje.

Presidenti i Këshillit Europian, Herman Van Rompuy tha të Premten, pas njoftimit të Komisionit Nobel, se BE-ja me 27 shtete anëtare ka qenë dhe vazhdon të jetë institucioni më i madh i paqes në botë. Në një deklaratë për media, ai shtoi se ”ne jemi shumë krenarë. Me ‘ne’ nuk do të thotë vetëm udhëheqësit e BE-së, por të gjithë qytetarët europianë të këtij brezi dhe brezave të kaluar”, përfundoi Zoti Van Rompuy.

Shumë udhëheqës të vendeve europiane e mirëpritën dhënien e Çmimit Nobel, BE-së. Presidenti i Parlamentit Europian Martin Schulc, duke reaguar ndaj vendimit të Komisionit Nobel, tha se “BE-ja është një projekt unik që zëvendësoi luftën me paqe dhe urrejtjen me solidaritet”. Përfaqësuesja e BE-së për punë të jashtme, Catherine Ashton tha se ishte shumë e kënaqur me vendimin e Komisionit Nobel. Ndërsa ambasadori i BE-së në Uashington, Joao Vale de Almeida, duke qenë i vetëdijshëm për rolin mbrojtës të Shteteve të Bashkuara në Europë gjatë pothuaj 70-vjetëve tha se, BE-ja është mirënjohëse e ”përkrahjes së pazëvendësueshme” të Amerikës dhe u zotua se BE-ja do të vazhdojë së punuari ngushtë me Uashingtonin në promovimin e paqes, demokracisë dhe të begatisë anë e mbanë botës. Edhe eksperti i punëve të BE-së, Profesori Friedrich Heinemann i Qendrës së Studimeve Ekonomike Europiane në Manheim të Gjermanisë,  i tha rrjetit të televizionit amerikan NBC se vendimi i Nobelit për paqe Bashkimit Europian u dha në ”kohën e përshtatshme”, duke shtuar se dhënia e Çmimit Nobel është një ”njohje ndaj punës së këtij institucioni i cili ofron një kuadër solid për zgjidhjen e konflikteve të tanishme në Europë”, dhe shtoi se stabiliteti e paqja, që ka krijuar BE-ja në Europë, ofrojnë bazën për stabilitet ekonomik në atë kontinent.

Por nuk munguan as kritikat dhe as skepticizmi ndaj vendimit të Komisionit të Nobelit për t’i akorduar BE-së Çmimin Nobel për paqe. Organizata ndërkombëtare e të drejtave të njeriut Amnesty International kritikoi mungesën e vullnetit politik të BE-së për tu marrë me çështjet e të drejtave të njeriut brenda zonës së BE-së, duke kritikuar ndër të tjera, edhe qëndrimin e BE-së ndaj refugjatëve. Edhe parlamenti rus, Duma, kritikoi vendimin duke thënë se Çmimi duhej t’i jepej një individi ose ndonjë organizate publike.

Në favor ose kundër dhënies se Çmimit Nobel BE-së, gazeta amerikane Christian Science Monitor thotë se, megjithëse pjesa më e madhe e kontinentit po kalon nëpër një ngadalësim të veprimtarive ekonomike dhe megjithëse ajo përballet edhe me probleme të tjera të mëdha politike dhe ekonomike, është ekzaktësisht për arsye të këtyre problemeve që Komisioni Nobel ”tregoi mençuri dhe pjekuri në vendimin e tij për t’i dhënë Çmimin Nobel BE-së, duke u kujtuar europianëve fuqinë dhe efektin e mirënjohjes ndaj sukseseve të saj në të kaluarën, si një mënyrë për të zhdukur përçarjet dhe streset e tanishme në radhët e BE-së”.

Ndërsa, Tanya Domi, profesoreshë e të drejtave të njeriut në Ballkan pranë Institutit Harriman të universitetit Columbia në Nju Jork, në një artikull-reagim ndaj Çmimit Nobel për BE-në për radion Europa e Lirë, shpreh shokimin e saj ndaj këtij vendimi të Nobelit pasi kritikon ashpër politikën e BE-së në Ballkan gjatë 20-vjetëve të kaluara duke thënë se gjatë një dekade luftërash në Kroaci, Bosnje dhe Kosovë janë bërë krime të papërshkueshme dhe të paimagjinueshme kundër njerëzimit nën mbikëqyrjen e Sllobodan Millosheviçit dhe Franjo Tugjmanit. Ajo përmend  krimet e bëra në Bosnje dhe në Kroaci, përfshirë edhe ato në Kosovë kundër shqiptarëve duke thënë se varre masive shqiptarësh edhe sot gjenden anë e mbanë Serbisë. Si përfundim, thotë ajo, është e vështirë të besoj se BE-së i është akorduar Çmimi Nobel për Paqe.  Ajo e përfundon artikullin e saj duke pyetur me ironi, ”nëse kur BE-ja të marrë Çmimin Nobel në Dhjetor, a do të kujtohet për 30,000 vetat që mbeten të humbur, fati i të cilëve nuk dihet ende, anë e mbanë Ballkanit? A do të pranojë BE-ja këtë çmim prestigjioz duke qenë në dijeni se gjatë luftës, 20,000 deri në 50,000 femra janë përdhunuar seksualisht vetëm në Bosnje? A do të pranojë faktin e hidhur se refugjatët europianë nga Ballkani janë larguar nga kontinenti europian drejtë 80 vendeve të ndryshme anë e mbanë botës, në shekullin 20-të”. Ajo sugjeron se pas këtij vendimi, ”gjëja më e ndershme do të ishte që BE-ja të kontribuojë pjesën më të madhe të shumës së parave që do të marrë nga Çmimi Nobel, organizatave humanitare që vazhdojnë të mbështesin të mbijetuarit e tri luftërave të mëdha në kontinentin europian gjatë 20-vjetëve të fundit. Për derisa nuk ka drejtësi, nuk do të ketë as paqe, megjithë besimin e kundërt të Komisionit të Çmimit Nobel”, përfundon artikullin e saj për Radion Europa e Lirë,  profesoresha amerikane e universitetitColumbia, Tanya Domi.