Foto Lesko/ Ajka e Bregut, në prapaskenë

    402
    Sigal

    Edhe pse kanë kaluar mese dy dekada nga shembja e kështjellës komuniste, në mendjen dhe kujtesën e shqiptarëve mbahet e gdhendur aftësia, zotësia, kultura dhe rrezatimi i gjithanshëm i inteligjencës nga Bregu i Detit, gjithë forca e banorëve të kësaj zone, që punuan e jetuan në vise të ndryshme të Shqipërisë. Me dijet e tyre historianë e pedagogë të fushave të ndryshme përgatitën breza të tërë, të denjë për popullin e Atdheun. Kjo është ajka e Bregut, që edhe pas kaq vitesh kujtohet e kujtohet. Le të ndërrohen sisteme e regjime, ajo mbetet po ajkë. E pandryshueshme. Me nostalgjinë e pjesës më të mirë të së djeshmes, me optimizmin për sot e nesër. Por dhe me injorimin e poshtërimin që po i bëhet në këto vite të demokracisë. Lanë kockat digave e furrnaltave, fushave të gjera, iu zbardhen flokët neper auditore. Trashëguan vetëm një hyrje të vogël për një familje të madhe. Një pjesë e tyre për nevoja familjare, të ‘peshkuar’ keqas nga ”peshkaqenët” e demokracisë, depozituan edhe banesat në piramidat fantazme, duke i humbur ato, edhe pse askush nuk dha llogari. Dhe një shpresë që patën tek prona e ligjshme e baballarëve e gjyshërve, ua përpiu një tjetër fantazmë, ligji 7501. Nuk njihen për pronarë. Dhe ku? Në pronën e tyre të ligjshme e shekullore. Sepse kanë jetuar e punuar jashtë vendlindjes. Sa qesharake që duket, aq poshtëruese. Por dhe aq tallëse për ata që e shpikën këtë ligj ogurzi, që e firmosën dhe e vulosën. Veçanërisht për këtë zonë, ku çdo pëllëmbë tokë e copë guri ka pronarin e vet të ligjshëm. Mos vallë po kthehemi tek parulla postkomuniste që toka i përket vetëm atij që e punon?  Këta njerëz të ‘emigruar’ nga vetë sistemi jetuan e punuan aty ku ishin nevojat e Atdheut. Disa politikanë e qeveritarë, të fshehur prapa marionetave, kanë zaptuar dhe filetot e Rivierës. Sepse ligji në fjalë, i qëllimshëm, u ra në dorë për zbatim analfabetëve, mjaft që të kishin etikën e të persekutuarit. Një ligj fantazmë që ka filtruar e filtron mjaft probleme sociale. Nuk mjafton kjo, një pjesë e madhe e këtyre ‘emigrantëve’ të brendshëm, të detyruar për të plotësuar vitet e punës për pension, i detyruan të paguajnë një sasi të konsiderueshme lekësh në sigurimet shoqërore. Dhe kur e mbushen moshën e pensionit, as vitet e paguara nuk ua njohën sigurimet shoqërore, as paratë nuk po ua kthejnë. Sepse para vitit 1990 ndodheshin jashtë vendlindjes dhe nuk disponojnë certifikata pronësie në emrin e tyre. Rrofshin a mos qofshin politikanë e qeveritarë të tille? Të dytën meritojnë.