Flamur Harri/ Ja si u vodhën e mashtruan ish-pronarët në 8 vjet

    698
    Sigal

    Akuza me fakte për grabitësit e pronave në Elbasan

    Shpesh jam ndodhur në situata të çuditshme mosbesimi, si në Elbasan ashtu edhe tek një rreth miqsh të përndjekur politike në Tiranë, kur më bënin vazhdimisht pyetjen se, “Ti Flamur ke harruar vuajtjet e tua e të familjes Harri, ti ke tradhtuar idealet e vuajtjet e Profesor Sulë Harrit, për gati gjysmë shekulli”. Në këto 23 vjet të tranzicionit politik, Shqipëria dhe shqiptarët, vazhdimisht kanë qenë edhe optimistë, edhe mosbesues, edhe të përkëdhelur, por edhe të përçudnuar. Dhe për të shpërndarë këtë tymnajë e këtë paragjykim, unë Flamur Harri, detyrohem të bëj me dije fakte dhe të denoncoj me fakte atë çfarë kam përjetuar unë dhe familja ime në 23 vjet, dhe veçanërisht në 8 vitet e fundit. Nuk po bëj historinë e vuajtjeve dhe persekutimin 50 vjeçar të fisit Harri.

    Sapo nisën lëvizjet e para demokratike, (shenjat u dhanë pas shembjes së murit të Berlinit), ngjarja e 2 korrikut 1990 mori një hov të pandalshëm nga ajo e dhjetorit 1990. Në Shqipëri trokitën ndryshimet politike. Pothuajse të gjithë djemtë e Sulë Harrit, së bashku me fëmijët e tyre, mbështetën fuqishëm këtë lëvizje demokratike mbarëpopullore, me shpresë e besim se më në fund, erdhi për të gjithë ne të vuajturit e tjerë, dita e fitores së shumëpritur e shumëvonuar. Im vëlla, i ndjeri Ndriçim, më nxiste: “Hajde Flamur se erdhi demokracia”. –Po prit o Çim- i përgjigjesha unë -“ shih kush ngre dy gishtat dhe kush udhëheq turmat euforike”. I lindur kur hyri e keqja dhe i rritur bashkë me të, duke parë në krye të turmave njerëz të dyshimtë për mua, që i kishin shërbyer me zell komunizmit dhe diktaturës, thërrisnin me sa fuqi kishin “Liri-demokraci”, apo “Poshtë komunizmi” etj. Unë çuditesha, si ka mundësi të ndodhte kjo, dhe të them të drejtën të gjithë këtë lojë, e shihja me dyshim e mosbesim. Koha vërtetoi se kisha të drejtë. E megjithatë, unë mbështeta fuqishëm lëvizjen demokratike pa u anëtarësuar në PD. Madje një ish- komunist, që kishte hedhur teserën e P.P.SH. më thotë: “Po ti Flamur nuk do të futesh në PS”. Jo, i thash, unë do të shoh si do ta bësh  ti demokracinë, provat do t’i jepni tek ne,  dhe ne do të dëshmojmë për demokracinë tuaj”. Në fillimet e lëvizjes demokratike, në kohen kur nuk ja mbante kujt të pranonte për të përfaqësuar PD-në në komisionet e qendrave të votimit, unë thashë “PO”. Kjo sepse besova se votuesit, me përqindje të lartë deri në 80%, votonin për PD-në dhe programin e saj ultra të djathtë. Bëhet fjalë për vitin 1991. Programi për rehabilitimin e të përndjekurve politike dhe kthimin e pronës së konfiskuar në veçanti e të gjithë shqiptarëve në përgjithësi. Duke parë angazhimin tim nga viti 1990-1991, dhe  pas fitores se 22 marsit 1992, më erdhën dhe propozuan nga PD poste për mua. Madje asokohe emëroheshin shefa komisariatesh edhe njerëz pa shkollë dhe me të kaluar të dyshimtë. Përgjigja ime në raste të tilla, në oferta të tilla banale ishte “Ju faleminderit për këtë propozim, por as unë e as vëllezërit e mi nuk mund të merremi me politikë derisa babai ynë vazhdon të jetë “Armik i popullit”, i dënuar për krime kundër shtetit”. Lufta e vërtetë për familjen e Profesor Sulë Harrit dhe bijve të tij, kishte nisur, ishte viti 1992.

    Çakejtë me kollare, grabitësit e pronave të ligjshme

    Sorollatjet dhe sfilitjet mes nesh dhe çakejve me kollare, në Gjykata , Prokurori, ZRPP, KKKP, e Bashki, pra lufta me antiligjin dhe antishtetin, për të marrë atë çfarë na takonte, ka nisur 22 vite më parë. Duke mos u zgjatur shumë në detaje, pas dhjetë viteve, me lodhje, sorollatje, mundime, përbuzje e mashtrime, fitova një truall që na kishte lënë babai në Tiranë. U ndërtua një pallat, dorëzuam rreth 900 m2 truall, ku ndërtuesi dhe investitori (dy ish-ministra) fituan rreth 1 milion dollarë. Edhe sot e kësaj dite, pallati nuk ka marrë leje shfrytëzimi dhe hipotekë për arsye të shkeljeve të rënda në kontratë si me pronarët edhe me kondicionet urbane. Por loja më e madhe dhe më e ndyrë është luajtur në Elbasan, me pronën e luajtshme e të paluajtshme të konfiskuar nga regjimi komunist, me vendim të Gjykatës Ushtarake Nr. 1948. Nga viti 1992 e deri tani më 2013, jemi futur në një labirint intrigash korruptive e kriminale të zyrtarëve, regjistruesve, sekserëve, gjoja topografë, prokurorëve e gjyqtarëve. Akuzat e mia drejtohen hapur dhe publikisht ndaj Klivis Kosovës ish-kryeregjistruesit të Elbasanit, Rudina Plaka sot  kryeregjistruesja aktuale e Elbasanit, Binas Linës, prokuror në Elbasan, gjyqtarit  Zihni Shahu, të cilët përbëjnë një klan famëkeq, që mbartin mbi supet e tyre qindra e qindra shkelje ligjore, mbivendosje pronash, dhe tjetërsime e shitje pronash. Moskthimi i pronës së luajtshme e të paluajtshme familjes tonë, ka nisur qysh nga viti 1992, dhe ka vazhduar paralelisht me mosdhënien e pensionit babait tonë, një rast unikal në Shqipëri, krahas dëmshpërblimit qesharak për vitet e burgut në Burrel. Në marrëdhënie me pushtetin lokal, konkretisht me Bashkinë e Elbasanit qysh nga viti 1992 e deri me sot, pothuajse të gjithë ish-kryetarët si, Emin HaxhiAdemi, Engjëll Dakli apo edhe Ardian Turku, kanë shfrytëzuar kartën morale e politike të Profesor Sulë Harrit e të familjes tonë. Ata në afro 13 vjet, kanë penguar me dashje rikthimin ligjor të pronave jo vetëm të familjes Harri. Një qeverisje vendore e qendrore e korruptuar, trup i qelbëzuar. Qeveria dhe shteti ka nevojë për një “transplant të organeve jetësore”. Duke akuzuar ish-kryeregjistruesit regjistruesit, prokurorin dhe gjyqtarin, kurrsesi nuk mund të mos përmendë këtu sekserin e gjyqtarit Zihni Shahu, topografin Ibrahim Dulja, që më deklaronte se, “Flamur Harri, prona jote kërkon 30 milion lekë nën dorë të merret, ndryshe e ke të humbur”. Prej 15 vitesh kalvari i vuajtjeve shtrihet e zgjerohet, pavarësisht letrave pa fund Kryeministrit aktual Berisha, Presidentit  Nishani, madje kur ky i fundit ka qenë edhe ministër Drejtësie, Avokatit të Popullit, Ambasadës së SHBA-së, etj.. Si mundet që, pavarësisht padive penale në Prokurori ndaj gjyqtarit të shumëpërfolur Zihni Shahu për korrupsion, deri sot veç hetimeve të përcipta, asgjë dhe asnjë masë nuk është marrë? Në takimet e mia edhe me ambasadorin e SHBA-së zotin  Arvizu, ky i fundit ka shprehur habinë e tij se si organet kompetente të Drejtësisë në Shqipëri të jenë kaq anemike, kaq apatike, dhe të molepsura. Në vija të përgjithshme, janë këto arsyet që në kundërshtim me betimin e traditën familjare, për të mos qenë anëtar i ndonjë partie, unë vendosa të akuzoj hapur dhe publikisht vjedhësit e pronave të familjes Harri. Qysh nga viti 2010, sërish kam bërë kallëzim penal ndaj klanit të akuzuar me fakte të pakundërshtueshme për grabitjen e pronave, kësaj here në Prokurorinë e Përgjithshme, por deri sot veç disa seancave disa minutëshe, pa vendim dhe gjykim ligjor, nuk është shënuar asgjë e re në goditjen e njerëzve të antiligjit, që sot kanë mbushur zyrat e organeve të drejtësisë, dhe që po vegjetojnë fatkeqësisht ende duke shkatërruar gjithçka, madje edhe shpresën për tu bërë më mire në të ardhmen.  Mbetem i hapur për çdo debat dhe kundërpërgjigje ligjore nga personat e përmendur në shkrim, duke i vënë në dispozicion gazetës së nderuar “Telegraf” dosjen me fakte e akuza, por edhe organeve të tjera kompetente.