Fadil Kepi:Përfitimi i pensionit për emigrantët, bujqit, ekonomistët, përkthyesit dhe mekanikët

    432
    Sigal

    Specialisti i Sigurimeve Shoqërore, Fadil Kepi, sqaron për lexuesit e “Telegraf”: Gjithçka që duhet të dihet për sigurimin dhe dorëzimin e dokumenteve për të përfituar pension 

     Pyetje

     Zonja Mirvjena shkruan: jam e datëlindjes 14.12.1953 dhe mbasi mbarova Fakultetin e Gjuhëve të Huaja ditën kam punuar 28 vjet mësuese dhe 34 muaj përkthyese në zyrat e OSBE-së në Tiranë. Pyes, kur e plotësoj moshën për pension dhe si janë kushtet e procedurat e llogaritjes së pensionit?

     Përgjigje

     Juve ju lind e drejta për pension në plotë në moshën 60 vjeçe nëse do të keni 35 vjet punë gjithsej të siguruara përfshi dhe kohën e vazhdimit të shkollës së lartë ditën e vërtetuar me kopjen e diplomës së noterizuar, duke llogaritur një vit të fakultetit me një vit punë për pension. Deri në plotësimin e moshës së pensionit nëse nuk i keni 35 vjet punë mund të bëni sigurime vullnetare për të marrë pension të plotë.

     Pyetje

     Në një letër nga Shkodra lexojmë: jam 64 vjeç dhe kam punuar i siguruar 30 vjet. Në vitet 1999 deri në 2002, kam kryer dënimin me heqje të lirisë 3 vjet, pyes, a quhet vjetërsi pune për pension periudha e burgimit?

     Përgjigje

     Mbështetur në nenin 35 të ligjit 8328, datë 16.4.1998, “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim”, nëse në burg keni punuar me shpërblim dhe nga të ardhurat mujore ju janë paguar kontributet e sigurimeve shoqërore e shëndetësore, ju quhet vjetërsi pune për efekte pensioni. Sipas ligjit të mësipërm, kushtet e punës duhet të jenë si në shoqërinë e lirë, me qëllim që të dënuarit të përfitojnë aftësi profesionale.