Ëngjëll Musai: Pensionistët e “diktaturës” dhe të varfrit e demokracisë

593
Ëngjëll Musai
Drejtor i Gazetës “Telegraf”
Shqipëria është i vetmi vend në Evropë që nuk ka të përcaktuar me ligj “Minimumi Jetik” gjë që do të detyronte pushtetin qendror, atë lokal dhe të gjitha institucionet e tjera që të plotësonin nevojat minimale dhe të domosdoshme për jetesën e një familjeje. Është e paimagjinueshme që një familjeje apo individi t’i kërkohet të paguajë çmimet e larta të energjisë, ujit, ilaçeve, trajtimin në spitale kur nuk i ka mundësitë. Është e palejueshme dhe e patolerueshme që fëmijët e shumicës së familjeve shqiptare të mos shkojnë në çerdhe, kopshte, në shkollë të mesme, profesionale apo të vazhdojnë shkollën duke marrë kredi ose borxhe, sepse nuk kanë mundësi të paguajnë shkollën. Është më shumë se fatkeqësi kur shikon pensionistët që u dridhet dora të pinë një kafe apo t’u dhurojnë disa qindarka nipërve dhe mbesave të tyre. Arsyeja që më shtyu të hedh disa mendime dhe sugjerime ka të bëjë me faktin e paraqitur para disa ditësh, si dhe shpjegimet e dhëna me shumë profesionalizëm nga eksperti i sigurimeve shoqërore Fadil Kepi në lidhje me trajtimin e ministrave të sapo shkarkuar. Nuk bëhet fjalë për emrat e katër ministrave apo edhe të 6 të tjerëve të shkarkuar muajt e fundit, por ajo që më shqetëson më shumë është fakti, që vetë ministrat dhe deputetët kanë bërë ligjin të tillë, që përfitojnë maksimalisht dhe përjetësisht nga karrigia që iu dha vota e popullit më të varfër në Evropë. Dhe këtu kam parasysh të gjithë deputetët dhe ministrat e të gjitha partive të majta, të djathta, të qendrës, të pavarur, të brendshëm apo të jashtëm. Pra deputetët përfitojnë paga marramendëse, por përfitojnë edhe honorarë kur venë në mbledhje, a thua se mbledhjet e komisionit janë diçka e veçantë dhe jashtë detyrës për të cilën e marrin rrogën. Përfitojnë dieta, qira, para për karburant, para për zyra, sekretare etj. Por çudia vazhdon edhe pas mbarimit apo ndërprerjes së mandatit të deputetit, ministrit dhe drejtuesit të nivelit të lartë, qoftë president, gjyqtar i niveleve të larta apo titullar i institucioneve të rëndësishme. Konkretisht një deputet merr një pagë që shkon mbi dy milionë e gjysmë lekë në muaj. Nëse ky deputet del në pension ai do të përfitojë pension nga 40% deri në 60% të pagës së deputetit aktual. Pra, nëse një deputet sot merr 2 milionë e gjysmë lekë, ai që është në pension, pavarësisht se ka dalë në pension para 1 viti apo 10 vjetësh do marrë gjysmën e pagës së deputetit të sotëm, pra rreth 1 milion e 300 mijë lekë. Nëse rroga e deputetit apo ministrit pas 5 vjetësh bëhet 5 milionë lekë, ish deputeti që ka dalë në pension sot, para 10 vjetësh apo pas 5 vjetësh do të marrë gjysmën e 5 milionëshit, pra do të marrë pension 2 milionë e gjysmë. Ja këto janë fyese, të papranueshme, të patolerueshme dhe diskriminuese. Po ribotojmë të plotë pyetjen dhe përgjigjen e zotit Fadil Kepi për letrën që i kishin dërguar. 
Pyetje: Disa lexues të gazetës “Telegraf” janë interesuar të dinë për trajtimi financiar të katër ministrave që shkarkohen sot nga kuvendi
Përgjigje nga specialisti Fadil Kepi 
“Mbështetur në pikën 13 të vendimit të qeverisë nr 548 dt 27.07.2016 , botuar në fletoren zyrtare 147: “Ministrat pas largimit nga funksioni përfitojnë pagesë kalimtare 3 paga mujore të funksionit nga dikasteri që kanë drejtuar dhe duke filluar nga muaji i katërt, sigurimet shoqërore i paguajnë secilit 50% të pagës referuese bruto për aq kohë sa kanë punuar në detyrat e ministrit, por jo më shumë së 3 vjet nga momenti i largimit nga ky funksion”. Në rast ripunësimi për 3 muaj që përfitojnë rrogë të plotë nuk paguhen, sepse dy rroga në muaj nuk mund të merren. Nga muaji i katërt, nëse punësohen marrin rrogën e vendit të ri të punës dhe nga sigurimet shoqërore përfitojnë 50% të rrogës së ministrit për aq kohë sa kanë punuar në funksionin e ministrit deri në 3 vjet. Kur paga e vendit të ri të punës është baras me atë të ministrit sigurimet shoqërore e ndërpresin kompensimin. Periudha që ish ministrat marrin 3 paga mujore dhe nga muaji i katërt 50% të rrogës nga sigurimet shoqërore quhet vjetërsi pune për pension pleqërie, sepse për kohën që kanë kryer detyrën e ministrit apo deputetit, përveç kontributeve të zakonshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore kanë paguar edhe kontribute suplementare 5% të pagës bruto çdo muaj. Kur të dalin në pension pleqërie do të përfitojnë edhe pension suplementar, por shuma e pensionit të zakonshëm plus pensionin suplementar nuk mund të jetë më e lartë se 75% e pagës mesatare referuese të funksioneve që kanë kryer. Pensionet suplementare ndërpriten vetëm me vendim gjykate të formës së prerë.” 
Pra kjo tregon se pushtetarët mendojnë për vete,madje e kanë përmirësuar ligjin në fund të Korrikut 2016 kur të gjithë ishin në plazhe dhe nuk e kishin mendjen tek shtesat e pagave. Po perse nuk trajtohen në të njëjtën mënyrë edhe nëpunësit e administratës që largohen nga puna, por mbetën dyerve të gjykatave? Po përse nuk mendojnë sado pak edhe për pagat e pensionistëve, por tallen me rritje 3%? Nëse një nëpunës i administratës largohet qoftë edhe 1 ditë nga puna ai ndëshkohet dhe mund të pushohet nga puna. Do thotë dikush disiplina është disiplinë. Plotësisht dakord dhe mirë bëjnë që ndëshkojnë këdo që nuk respekton vendin e punës, pasi edhe vetë një shprehje e urtë popullore thotë se “Shtëpia me tjegulla dhe shteti me rregulla”. Por mendoj se këto rregulla duhet të fillojnë së pari nga Deputetët dhe të shtrihet deri tek nëpunësi apo punonjësi më i thjeshtë. Dhe faktet tregojnë, se deputetët kanë shtuar në ligj një pikë ku thuhet, se deputeti mund të mungojë 5 muaj e 29 ditë dhe nuk i hiqet mandati, merr edhe paratë mjafton të mos ketë mbushur 6 muaj pa shkelur në sallën e kuvendit. Ja kjo është e rëndë dhe privilegj që deputetët ia kanë bërë dhuratë vetvetes. Ndaj është koha që shtetarët të miratojnë urgjentisht minimumin jetik dhe të mendojnë më shumë për pensionistët, njerëzit në nevojë, ata me asistencë, invalidët dhe hallexhinjtë e shumtë që flenë e gdhihen me barkun bosh. Të rritësh 3% pensionet do të thotë, se i ke shtuar pensionit të tyre edhe 4 mijë lekë të vjetra, ndërkohë që administrata qendrore dhe pushtetarët lokalë i kanë rritur për veten e tyre pagat nga 80 mijë deri 100 mijë lekë në muaj. Nëse bëjmë një llogari të rritjes së pensioneve ( përveç atyre suplementare dhe atyre me grada) shteti ka harxhuar për 500 mijë pensionistë rreth 1 milion e gjysëm euro në muaj ose 18 milionë euro në vit. Ndërkohë që vetëm nga koncesioni i naftës në Patos-Marinëz që i është dhënë Bankersit dhe “Sorosit” shteti humbet 700 milionë euro në vit. Me këtë shumë pensionet duhet të ishin rritur të paktën edhe 150 mijë lekë dhe pensioni më i ulët do ishte 300 mijë lekë në muaj. Kaq mjafton për të thënë që mundësit ekzistojnë, por mungon dëshira e shtetarëve dhe makutëria e tyre për të grabitur dhe futur në pazare me koncesionarët e huaj. Për të treguar se ç’do të thotë minimum jetik për një familje mjafton të shohim rastin e shtetit fqinjë Greqisë, e cila megjithëse në krizë i ka ofruar qytetarëve të vet këtë ndihmë sociale:
Për familjet që nuk kanë mundësi të paguajnë dritat u jep: kartë me 300 kw falas, kartë me 200 euro për ushqime në supermarket, falas kopshti për të gjithë fëmijët nga 3 vjeç e sipër, në shkollat 9-vjeçare do të jepen ushqim (drekë) për të gjithë nxënësit, do të jepet ndihmë ekonomike për familjet me 1,2,3 e shumë fëmijë në shkollë, pagesë me këste për familjet e tjera që nuk kanë mundësi t’i paguajnë menjëherë. Veç kësaj ai u ofron pajisjen falas për të gjithë qytetarët grekë: Letërnjoftimet, Certifikatat e gjendjes civile, prokurat në polici dhe Qendrën e shërbimit të qytetarëve, dokumentet falas në spitale dhe vërtetimet në institucione si dhe asnjë koncesion nga pronat shtetërore dhe publike. Ja ky është shteti i qytetarëve dhe këto duan edhe qytetarët shqiptarë të cilët i kanë përfituar njëherë e një kohë, pavarësisht se sot mund ta etiketosh me emrat diktaturë apo demokraci. 
Sigal