Drejtoria e Punësimit fsheh shifrat reale, përcjell me premtime hallexhinjtë

    360
    Sigal

    Elbasani “kërruset” nga papunësia

    Elbasani po përjeton një situatë krize të paparë në punësim, duke rritur ndjeshëm numrin e ushtrisë të fukarenjve. Nga zyrat e institucioneve te shtetit dalin nën zë shifra të frikshme që flasin për rreth 37 mijë persona të papunë, kur vetëm gjatë muajve të fundit u flakën në rrugë rreth 1700 burra dhe gra nga mbyllja e rrobaqepësive, firmave të prodhimit të inerteve, konfeksioneve etj. Sipas një burimi nga Zyra e Punësimit dhe Inspektoratit të Punës mësohet se, “me gjithë punën verifikuese dhe kontrollet e vazhdueshme firmat dhe subjektet private duket se janë të vendosur të shkurtojnë fuqinë e tyre punëtore, kriza ka prekur financat e tyre, duke ndikuar në rritjen e problemeve sociale si papunësia”. Elbasani duket i “kërrusur” nga pesha e të papunëve. Gjatë vitit 2014 ministritë kanë sjellë për zbatim vetëm tetë projekte të punësimit sezonal, duke shpëtuar nga sikleti vetëm 160 persona të regjistruar në Zyrën Rajonale të Punësimit. Problemi social i punësimit çdo ditë çel probleme të tjera tek shumica e popullatës e cila, në raport me moshën mesatare, e rendit Elbasanin në qytetet e para ku zgjidhja mbetet emergjente. Duke përjashtuar firmat dhe subjektet private, bizneset e vogla dhe të mesme, edhe në institucionet dhe ndërmarrjet e shtetit, prej vitesh vihet re fryma e largimit të të rinjve nga puna, dhe marrja e militantëve që në shumicën e rasteve veç pensionit gëzojnë të drejtën e marrjes edhe të një page nga borderoja e shtetit. Numërohen me qindra ata që, megjithëse e kanë mbushur moshën e pensionit, megjithëse jo në pak raste duan edhe të dalin në pension, mbahen në vende pune, kur qindra të rinj mësues, inxhinierë, arkitektë, dhe specialiste të fushave të ndryshme, kanë vite që lodhen duke vajtur tek Zyra e Punësimit. Aktualisht, Elbasani ka rreth 160 mijë banorë, pasi mendohet se kanë ardhur dhe janë vendosur me banim edhe qindra familje të tjera nga fshatrat. Sipas specialistëve të Zyrës Rajonale të Punësimit, “mbi 90 për qind e moshës së aftë për punë nga familjet e ardhura janë të papunë, mbushin sheshet e qytetit, ose punojnë me ditë ku t’i dalë varianti pa asnjë pretendim”. Një pjesë e tyre regjistrohen formalisht në ZRP, kurse pjesa tjetër nuk pranon ta bëjë një gjë të tillë, duke humbur shpresat prej vitesh. Nga ana e tyre pronarët e firmave dhe ata që disponojnë një biznes të vogël apo të mesëm shprehen se, “kriza dhe konkurrenca e pandershme, rritja e taksave, gjobat e ryshfetet, na detyrojnë të flakim të punësuarit në rrugë dhe shpesh edhe të mbyllim aktivitetet tona, kjo më e dukshme sidomos në muajt e fundit”. Kjo krizë ekonomike ka detyruar dhe po detyron çdo ditë dhjetëra biznese të deklarojnë në degën e Tatimeve në Elbasan dhe Bashki, falimentimin, duke flakur në rrugë dhjetëra e qindra kryefamiljarë. Sipas atyre që deklarojnë falimentimin, “edhe viti 2015 do të jetë i zi, pasi nuk shohim asnjë dritë jeshile për ecurinë normale të aktiviteteve tona, për pasojë edhe punësimin e ndonjë hallexhiu”.

    Nga ARTUR AJAZI