Denoncimi i ushtarakut të Gardës: Më hoqën nga puna për borxhet e babait ndaj OSHEE!

    42

    Ende vazhdojnë shkarkimet e nëpunësve debitorë në OSHEE të të gjitha hallkat e Administratës Publike

    Fushata e largimit të të gjithë nëpunësve të Administratës Publike, nëse ata kanë detyrime financiare të papaguara te OSHEE-ja, po vazhdon, edhe pse ky vendim që marrin institucionet shtetërore, si masë ndëshkimi ndaj punonjësve të tyre, për të zbatuar udhëzimet (edhe kur ato përcillen me urdhëra gojore) e qeverisë, është kryekëput në kundërshtim edhe me ligjin “Për Nëpunësin Civil”, por edhe me ligjin “Për Administratën Publike”, dy ligje të cilat u miratuan me konsensusin e maxhorancës dhe opozitës në maj të 2013-s. Madje, ndaj këtyre ndërshkimeve të institucioneve shtetërore për nëpunësit e tyre kanë reaguar edhe Avokati i Popullit dhe Komiteti Shqiptar i Helsinkit.

    Nënoficeri i Gardës së Republikës zbohet për …detyrimet e babait të tij

    Siç duket, institucionet shtetërore janë urdhëruar nga qeveria, që ndërshkimi të bëhet jo vetëm ndaj nëpunësve që janë debitorë ndaj OSHEE-së, por kjo masë disiplinore të ndërmerret edhe ndaj atyre nëpunësve, që edhe pse i kanë paguar rregullisht detyrimet ndaj OSHEE-së, por mund të jenë debitorë në OSHEE edhe pjesëtarë të tjerë të familjes së tyre, sikurse prindërit ( mund të kenë ndodhur raste edhe për vëllezërit, hallat, xhaxhallarët apo tezet debitorë në OSHEE). Konkretisht, një nënoficer i Gardës së Republikës, në këtë muaj të parë të 2015-s,  e larguan nga puna, dhe si masë disiplinore i nxorën pretekstin se babai i tij ishte debitor në OSHEE. Besoj, se të tilla praktika, të sjellin ndërmend kohërat e shkuara të ‘biografive’, ku lufta e klasave përndiqte njerëzit deri në brezin e shtatë të familjes së tyre. Nënoficeri i Gardës, që nuk është i vetmi që është larguar me të njëjtin motivacion disiplinor, i drejtohet me një letër komandantit të Gardës, dku pasi e sqaron që babai i tij i shleu detyrimet e OSHEE-së në janarin e 2015-s, i lutet që ta rimarin sërish në punë. Ja letra e ish nënoficerit të Gardës së Republikës: (Emrat i kemi, por për arësye të kuptueshme nuk i botojmë)  “Kërkesë drejtuar komandantit të Gardës së Republikës Kolonel G. për Komisionin e Disiplinës. Unë … Lindur…..   rrethi…jam titulluar nënoficer në strukturat e Gardës së Republikës më datë … 2010 dhe kam kryer shërbim në Njësinë e Parë me detyrë Gardist Profesionist Trupe Shërbimi. Më është komunikuar urdhër lirimi me Nr 55 me dt ….01.2015 për “shkelje të betimit” (pasi nuk kam kryer detyrimet ligjore të konsumimit të energjisë elektrike). Gjatë kohës së qëndrimit tim në punë kam jetuar në Tiranë me qera dhe i kam shlyer të gjitha detyrimet e mia si individ. Nga puna jam larguar si pasojë e mospagimit të faturave nga kontrata e babait tim.  Edhe ai i ka shlyer të gjitha detyrimet e energjisë elektrike më dt ….01.2015. Kërkoj nga Komandanti i Gardës, nga Komisioni i Disiplinës dhe zotërinjtë drejtues të strukturës të rishqyrtohet motivacioni dhe lirimi im. Për gjithë këto vite i kam shërbyer Gardës me devotshmëri dhe përkushtim, pa marrë asnjë vërejtje, apo masë disiplinore. Mjafton të shihet dosja ime.  Duke ju uruar në punën tuaj, ju lutem të merrni në konsideratë kërkesën time!