Daut Dauti/Tragjedia e dokumentuar e Çamërisë

    469
    Sigal

    Shtëpia botuese IB Tauris në Londër, në vazhdimësi, ka botuar tema që flasim mbi çështjen shqiptare. Së fundi, kjo shtëpi botuese, në bashkëpunim me “The Center for Albanian Studies” ka botuar librin me titull: “The Cham Albanians of Greece – A Documantary Story” (Shqiptarët Çamë  të Greqisë – Një Tregim i Dokumentuar), një libër ky, i edituar nga historiani shqiptar Bejtullah Destani dhe albanologu i njohur kanadez Robert Elsie.

    Prej kohësh është ndier nevoja që opinioni botëror të njohë të vërtetën e dokumentuar mbi Çështjen e Çamërisë dhe banorëve të saj. Libri “The Cham Albanians of Greece – A Documantary Story” (Shqiptarët Çamë  të Greqisë – Një Tregim i Dokumentuar) i cili edhe nga titulli shihet qartazi se shpalos të dokumentuar tragjedinë çame, është përgjigje adekuate. Përmbajtja e librit e informon opinionin ndërkombëtar mbi krimet që ushtroi Greqia ndaj shqiptarëve të Çamërisë, mbi një shekull më parë e në vazhdim. Libri mbart një vlerë të madhe edhe për vetë opinionin shqiptar pasi shërben për t’iu përkujtuar atyre të shkuarën e hidhur të kombit shqiptar dhe përcjell porosinë për të mos e harruar këtë tragjedi e cila nuk është mbyllur akoma, paçka asaj që pretendon Greqia. Duke folur mbi tematikën e librit, historiani i njohur dhe anëtari i Akademisë Mbretërore Britanike, Dr. Noel Malcolm thekson se, “fati i shqiptarëve çamë është një nga sekretet më të errëta të historisë bashkëkohore europiane”. Ndërsa duke folur për rëndësinë e përmbajtjes, Malcolm bën me dije se libri është një koleksion i dokumenteve të rëndësishme, që hedhin dritën e nevojshme mbi temën e trajtuar.  Libri, është përmbledhje e dokumenteve të nxjerra nga arkivat e Ministrisë së Jashtme Britanike dhe arkiva të tjera. Material dokumentues janë korrespodencat e diplomatëve shqiptarë, britanikë dhe të tjerë në lidhje me këtë çështje. Po ashtu, janë përmbledhur memorandume, raporte, shkrime nga shtypi, vlerësime apo kujtime të personaliteteve të ndryshëm dhe dokumente të tjera relevante që vijnë nga anë të ndryshme të botës. Libri ndahet në tre kapituj kryesorë që përfshijnë periudhën e kohës së sundimit otoman, periudhën pas Marrëveshjes së Lozanës dhe periudhën e pas Luftës së Dytë Botërore. Libri ilustrohet me harta të ndryshme, ndërsa për të dokumentuar në mënyrë vizuale një pjesë të tragjedisë çame, janë dhënë edhe disa fotografi të nxjerra nga arkivi i UNRRA-s. Rrëfimi i tragjedisë fillon me kalimin e Çamërisë në anën greke të kufirit, veprim ky që, u realizua sipas vendimit të Komisionit të Kufijve dhe Protokollit të Firences të vitit 1913. Territori i Çamërisë, me madhësi përafërsisht të ngjashme me territorin që ka sot Kosova, u bë poligon i ushtrimit të dhunës së egër greke kundër shqiptarëve të Çamërisë. Kjo dhunë e shfrenuar, mori përmasa të gjenocidit për të cilin bota nuk tregoi ndonjë ndjeshmëri. Plani grek ishte që shqiptarët ortodoksë të asimiloheshin ndërsa ata myslimanë të dëboheshin jashtë Greqisë ose të shfaroseshin në çfarëdo forme. Në këto rrethana të vështira, shteti i sapo krijuar shqiptar, i cili pothuaj nuk funksiononte, nuk qe në gjendje t’i ofronte popullsisë shqiptare të Çamërisë asnjë lloj ndihme. Ishin pikërisht këto momente kur filloi persekutimi dhe dëbimi i shqiptarëve çamë që u nis nga regjimi i Metaksës. Masa e parë e persekutimit që zbatoi ky regjim ishte, ndalimi që iu bë shqiptarëve të trevës së Çamërisë për të folur gjuhën e tyre amtare, në ambientet publike dhe private. Regjimi i Athinës, lejoi bandat e kriminelëve grekë të vepronin sipas dëshirës në rajonet shqiptare. Banda paramilitare, që u dallua më së shumti kundër shqiptarëve të pambrojtur, ishte ajo e Deli Janakisit, e cila plaçkiti, dhunoi dhe vrau një numër të madh të banorëve, të më shumë se 100 fshatrave shqiptare. Në këtë valë të krimeve, siç shohim nga dokumentet e botuara në libër, as qeveria greke nuk ndenji duarkryq. Ajo urdhëroi shpronësimin e shqiptarëve çamë duke shfrytëzuar si pretekst reformën agrare. Çamët e pabindur dhe udhëheqësit e tyre u dërguan nëpër kampe përqendrimi, që ekzistonin në shumë vende të Greqisë. Pas luftës greko-turke (1919-1922) pasoi marrëveshja për ndërrimin e popullatës greke dhe turke, e cila u nënshkrua në Lozanë në vitin 1923. Kjo marrëveshje përjashtonte shqiptarët myslimanë çamë pasi, këta nuk ishin turq dhe si pasojë nuk mund të shpërnguleshin në Turqi. Regjimi i Athinës nuk e respektoi këtë dallim që impononte marrëveshja dhe, duke përdorur dhunën, filloi t’i përzinte çamët në drejtim të Turqisë. Persekutimet ishin aq të pa durueshme sa që, një numër i konsideruar i shqiptarëve çamë u deklaruan si turq vetëm e vetëm për t’i shpëtuar vdekjes, maltretimeve, poshtërimeve dhe dhunës së çdo lloji, që ushtronte Athina ndaj tyre.   Persekutimi vazhdoi dhe arriti kulmin me mbarimin e Luftës së Dytë Botërore. Regjimi i atëhershëm grek filloi vrasjen masive të shqiptarëve  çamë dhe dëbimin e tyre duke përdorur si pretekst akuzën e bashkëpunimit të çamëve me Fuqitë e Boshtit. Pas tërheqjes së forcave gjermane në vjeshtën e vitit 1944, britanikët duke dashur të krijojnë siguri për rrugët detare në pjesën e detit Jon, inkurajuan, deri në një masë, gjeneralin fashist grek Napoleon Zervasin, që të okuponte rajonin në fjalë. Zervasi, i cili ishte një anti-shqiptar i tërbuar, filloi menjëherë dëbimin e çamëve nga vatrat e tyre. Brenda një viti forcat e tij, vranë mbi 3000 çamë. Vetëm brenda një nate, më 27 qershor 1944, këto forca kriminele vranë, në Paramithi, 600 çamë të paarmatosur në mesin e të cilëve shumë fëmijë dhe gra. Më 23 shtator 1944, në fshatin Spatër, këto forca vranë 157 veta. Lista e grave të dhunuara, pasurive të plaçkitura, shtëpive të djegura etj, ishte e pafund. Në fund të vitit 1946 në tërë Çamërinë nuk  kishin mbetur më shumë se 100 shqiptarë. Në vitin 1946, fashisti Napoleon Zervas u emërua ministër i Punëve të Brendshme, pavarësisht faktit që ishte bashkëpunëtor i forcave okupuese naziste gjermane dhe ekzekutues i masakrave në Çamëri.

    Çamët e përzënë me dhunë nga vatrat e tyre, u detyruan të largohen në vende të ndryshme të botës, por shumica dërmuese u vendosën në Shqipëri. Edhe regjimi i sapo vendosur komunist i Enver Hoxhës nuk i shihte me sy të mirë shqiptarët e Çamërisë pasi, i konsideronte si kolaboracionistë të italianëve dhe gjermanëve. Meqenëse kjo popullsi konsiderohej “refugjate” për të u kujdes UNRRA, nga shtatori i vitit 1946 deri në pranverën e vitit 1947.  Që prej asaj kohe e në vazhdim, të gjitha qeveritë greke e kanë e injoruar këtë tragjedi me përmasa të gjenocidit, që iu shkaktuan çamëve. Athina asnjëherë nuk është pajtuar që të hapë  Çështjen Çame dhe të përgjigjet pse e privuan nga shtetësia greke këtë popullsi vendase, me kombësi shqiptare? Athina vazhdimisht e ka injoruar ekzistimin e problemit çam dhe në anën tjetër ka shkaktuar probleme dhe komplikime politike e diplomatike duke përdorur  komunitetin grek në Shqipëri i cili, krahasuar me atë çam, është inekzistent. Megjithëse përzënia e çamëve,  ishte as më pak e as më shumë, spastrim etnik, Greqia asnjëherë nuk u ballafaqua me ndonjë kritikë apo sanksion  serioz ndërkombëtare. Greqia nuk do të duhej ta injoronte këtë tragjedi që e ka shkaktuar vetë dhe që, është dokumentuar me profesionalizëm, në këtë libër.  Libri “The Cham Albanians of Greece” nuk është vetëm libër i karakterit historik.  Ky libër-dokument do të duhej të shërbente jo vetëm për ta kujtuar Greqinë për të keqen që ka bërë, por edhe për t’i dhënë rast që të fillojë të mendojë për të përmirësuar gabimin dhe të bëjë të mundur  lejimin e kthimit të çamëve në shtëpitë e tyre dhe kompensimin e tyre, për dëmet e shkaktuara. Në anën tjetër, pas botimit të këtij libri, as shqiptarët dhe qeveritë e tyre nuk do të duhej të vazhdonin me të vjetrën, duke vajtuar impotencën që kanë treguar deri tani ndaj Greqisë.

    Shpëtim Idrizi, Kryetari i PDIU-së

     «Kanë kaluar 9 vjet nga votimi për herë të parë i Rezolutës Çame në Kuvend dhe asgjë nuk është për bërë zgjidhjen e saj. Parlamentit i duhet të shprehet dhe njëherë në lidhje me zgjidhjen e Çështjes Çame. Nëse Kuvendi nuk e miraton Razolutën Çame, unë do të jap dorëheqjen nga politika”.

     

    Fatos Beja, Kryetari i Komisionit të Jashtëm të Kuvendit

     Fatos Beja, para disa ditësh, paraqiti  në Komisionin e Jashtëm, si të miratuar nga Kuvendi në 8 prill,  tekstin e një Rezolute për Çamërinë. Sipas zotit Beja, ky tekst, i cili kurrë nuk u bë publik në Fletoren Zyrtare, gjendej në arkivin e Kuvendit. Mirëpo, për  Rezolutën  votuan 53 55  abstenuan, 4 votuan kundër dhe 7 munguan.

     Artur Dojak, Kryetar i “Lëvizja Çame”

      E vërteta është që klasa politike shqiptare po sillet me mënyrën më makabre me Çështjen Çame. Dhe këtu përfshin edhe 2 deputetët e PDIU-së, Idrizi e Tahiri, për të cilën këta do të përgjigjen para Komunitetit Çam.  Ne si çam kemi një merak dhe nevojë tonin, që është  të miratohet një Rezolutë Çame.