Dalip Greca/Punime të mbara kuvendit të Vatrës!

    428
    Sigal

    Të shtunën me 27 prill, një ditë para ditëlindjes të 101-të të Federatës Panshqiptare të Amerikës, do të mblidhet Kuvendi i saj

    Të shtunën me 27 prill, një ditë para ditëlindjes të 101-të të Federatës Panshqiptare të Amerikës, do të mblidhet Kuvendi i saj. Rrugë të mbarë Kuvendit të Vatrës!

    Ky është i pari Kuvend pas dy dekadave, dhjetëvjeçarit të fundit të Shekullit të shkuar dhe 13 vite të shekullit të ri, që Vatra vjen në një kuvend të rregullt, ku përfaqësohen realisht disa degë, me delegatë të zgjedhur nga vetë degët. Është një atmosferë ringjalljeje e Federatës, e cila ka nisur të shtrihet në disa shtete të Amerikës së Veriut. Janë degë me nga 40 anëtarë të lartë ato të Michiganit, Jacksonville në Florida, Hudson Valley, Queens dhe Uestchester-South, si dhe më e reja në Neuburgh, të gjitha këto në shtetin e Nju Jork-ut. Po ashtu funksionon prej tri vitesh dega  e Vatrës në Uashington, që është një urë lidhje me kryeqytetin amerikan, me Departamentin e Shtetit, si dhe dega në Palma Beach në Florida, që funksionon prej dy vitesh.

    Ky Kuvend do të bëjë përpjekje që të sjellë edhe ndryshime në funksionimin më të mirë organizativ të Federatës, që ajo të ketë frymëmarrje në përshtatje me kohën që jetojmë. Natyrisht nuk do të preken parimet mbi të cilat u ngrit Vatra nga themeluesit, korifenjtë e Kulturës Kombëtare Fan S. Noli dhe Faik Konica me bashkëpunëtorë.

    Ringjallja nisi me përvjetorin njëshekullor. 100 Vjetori i themelimit të Federatës Panshqiptare të Amerikës ishte madhështor, gjithëkombëtar, gjithëfetar dhe shkëndijoi shpresën për ringjallje të plotë të saj.

    Në fakt ringjallja e Vatrës nisi me organizimin e degës së Vatrës në Uashington, vijoi me degën e Michiganit, me degën në Fort Lauderdale, Florida, dhe u pasua radhazi nga degët, Hudson Valley, Jacksonville, Uestchester, Queens dhe Neuburgh të shtetit të Nju Jorkut. Pra tetë degë në harkun e tre vjetëve. Por le të kthehemi edhe një herë tek fryma dhe mesazhet që përcolli Vatra në botën shqiptare me rastin e përvjetorit të njëqind të saj: Në qershor 2011 Këshilli i Vatrës ngarkoi një grup me tre veta që të përcillte mesazhin për 100 vjetorin e Vatrës në vendlindje. Grupi i udhëhequr nga kryetari dr. Gjon Buçaj dhe me pjesëtarë juristin Bashkim Musabelliu dhe editorin e Diellit, Dalip Greca, i ra viseve Kombëtare nga jugu në veri. Grupi mesazher i Vatrës u prit me nderet më të larta; nga kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha, kryeparlamentarja Jozefina Topalli, ish presidenti Bamir Topi, prefektja e Gjirokastrës Mimoza Çomo dhe kryetari i Bashkisë Flamur Bimo, princi Leka II, kryetari i sapozgjedhur i Tiranës, Lulzim Basha, kryetari i Qarkut të Shkodrës Maxhit Cungu, komunitetin çam etj. Përfaqësuesit e Vatrës u pritën nga krerët më të lartë fetarë si,  prej Shkëlqesisë së Tij Imzot Rrok Mirdita – Arqipeshkëv Metropolit i Dioqezës Tiranë – Durrës dhe gjithë Shqipërisë, kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë Haxhi Selim Muça, kryegjyshi Edmond Ibrahimi etj.

    Në Prishtinë misionarët e Vatrës u pritën nga presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga, kryeparlamentari Jakup Krasniqi, Ministri i Arsimit Ram Buja, ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Dr.Islam Lauka, drejtori i Institutit të Historisë, Prof. Dr. Jusuf Bajraktari; Ipeshkvi i Kosovës Imzot Dodë Gjergji dhe biografi i shquar i Nënë Terezës dom Lush Gjergji, po ashtu përfaqësuesit e Vatrës vizituan edhe shqiptarët e Maqedonisë, ku u pritën nga kryetari i grupit parlamentar të BDI-së Telat Xhaferri, bënë takimi më stafin drejtues të Universitetit të Tetovës, kryesuar nga rektori Prof. Dr. Agron Reka, u takuan me stafet e ambasadave dhe ambasadorët e Shqipërisë dhe të Kosovës në Shkup etj.

         Misionarët e mesazhit të 100 vjetorit të Vatrës ishin të pranishëm edhe në manifestimin e madh përkujtimor të komunitetit çam në Qafë Botë. Mbështetje të fuqishme gjeti përfaqësia e Vatrës tek media, kudo ku shkoi. Mesazhi i 100 vjetorit të Vatrës shkoi në të gjitha trojet Kombëtare.

    Ishte kjo një nga arsyet që në festimet e 100 vjetorit të Vatrës të gjitha trojet amtare ishin të përfaqësuara siç ishin të përfaqësuar të gjithë komunitetet fetare.

                  Konferenca Shkencore  “Federata Pan-shqiptare e Amerikës “VATRA, 100 vjet në shërbim të Kombit”, shpalosi historinë 100 vjeçare të Vatrës dhe shërbesat e saj Kombëtare. Studiues të njohur të botës akademike shqiptare, paraqitën kumtesa, në të cilat ritheksohej roli i federatës që nga lindja e saj, themelimi i shtetit shqiptar, deri në 100 vjetor.

         Mbrëmja gala ishte një mrekulli më vete. Sipas gazetës amerikane Daily Njuz të 4 majit 2012, Federata Pan-shqiptare e Amerikës, mblodhi bashkë 1100 shqiptaro-amerikanë në Mbrëmjen Gala, organizuar më 29 prill 2012, në restorantin romantik Chelsea- Piers 60, me pamje magjike mbi lumin Hadson.

         Dega e Uashingtonit, e Michiganit dhe ajo e Palma Beach në Florida, ishin dallëndyshet e para që paralajmëruan ringjallje të Vatrës dhe shpresën për shtrirjen e saj kudo ku jetojnë shqiptarë. Më pas erdhi dega e Vatrës në Hudson Valley, që afroi një masë të madhe vatranësh. Ngritja dhe funksionimi i degës së Jacksonville në Florida është meritë e kryetarit të sotëm të saj, Adriatik Spahiu me bashkëpunëtorë. Adriatiku familjarisht ishte pjesë e festimeve të 100 vjetorit të Federatës, dhe aty mori zotimin e ringjalljes së Vatrës në Jacksonville. Kjo degë edhe pse ka vetëm një vit jetë që nga themelimi, ka marrë statusin e organizimit të veprimtarive kulturore, artistike apo historike në Jacksonville.

       Dega e Vatrës në Uestchester South erdhi me kualitete anëtarësh, shumë prej tyre me doktoratura shkencore, profesionistë të suksesshëm, avokatë, bankierë, financierë,mjekë, që premtojnë rritjen e veprimtarive kualifikuese të Vatrës. Menjëherë pas kësaj dege erdhi dega e Queensit, ku meritë në organizimin e saj ka dr. Skënder Murtezani dhe Bashkim Musabelliu e Halit Shpuza. Dyzet vetë numëroi kjo degë që në ditë themelimin e saj. Më e fundit degë e ngritur në prag të Kuvendit është ajo që u ngrit me iniciativë të dr. Nexhat Kaliqit dhe Sylë Ramosaj në Njuburgh, Nju Jork.

        Degë të tjera priten të riorganizohen, disa prej të cilave janë të gatshme, si në Bronx, Brooklyn, Staten Island, Nju Jarsey etj. Vatra pas këtij Kuvendi i ka të gjitha mundësitë që të rikthehet në kohët e saj më të mira. Janë të gjitha mundësitë që Vatra të grumbullojë rreth vetes bashkëkombësit tanë dhe të shtrihet në të gjithë Amerikën, si tri dekadat e para të shekullit të shkuar, duke u kthyer në një institucion të fuqishëm Kombëtar.

      Statura e Vatrës është e tillë që i plotëson të gjitha kushtet për të qenë një institucion kombëtar me ndikim të fuqishëm në Amerikë dhe në trojet kombëtare. 101 vitet e saj dhe bëmat që kanë bërë paraardhësit e vatranëve të sotëm, ia japin Vatrës prestigjin për të përfaqësuar Kombin shqiptar në Amerikë dhe për të pas ndikim më të fuqishëm në vendlindjen. Rruga 101 vjeçare e Vatrës është plot ngjarje dhe shërbesa ndaj Kombit. Vatra është pasuri e çmuar historike me përmasa Kombëtare. Themelimi i saj ka qenë një ndër veprat më të çmuara që kanë bërë shqiptarët e Amerikës. E themeluar shtatë muaj para shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, ajo shërbeu si orientuese edhe për  shtetin e ri shqiptar të pavarësuar me 28 Nëntor 1912. Telegrami i Vatrës drejtuar Kuvendit të Vlorës, që mbante firmën e kryetarit të atëhershëm të Vatrës, eruditit Faik Konica, përcillte frymën e Vatrës për t’u orientuar nga Perëndimi; ishte një orientim logjik.

           Shteti i ri shqiptar i ngjante një foshnje të porsalindur, që fqinjët kërkonin të zhduknin. Grekët, serbët dhe malazezët ushqenin shpresën se shteti i ri nuk mund ta kishte jetën e  gjatë.

      Do të ishte Vatra ajo që do të shërbente në vend të shtetit të vdekur, sidomos gjatë dhe pas Luftës së Parë Botërore, ku me fondet e saj organizoi mbrojtjen ndërkombëtare të Shqipërisë dhe ngriti  e financoi shërbimin diplomatik në Evropë dhe Amerikë.

       Vatra shkëlqeu në dy fushata të fuqishme; në atë të 3 qershorit 1917, ku u grumbulluan për mbrojtjen e Shqipërisë, 150 mijë dollarë, si dhe në organizimin e Huasë Kombëtare, ku u mblodhën më shumë se 197 mijë dollarë.

         Kur po luhej drama më e dhimbshme e Kombit shqiptar, u mblodh në Londër Konferenca e ambasadorëve për të caktuar fatin e Shqipërisë, nën kryesimin e Ministrit të Punëve të Jashtme të Britanisë së Madhe, Sir Eduard Gray. Shqiptarët, nga të gjitha anët e Amerikës, të udhëhequr e të frymëzuar nga Vatra, filluan ta bombardonin Konferencën me qindra e mijëra kabllograme, sa Sir Eduard, i tha një miku të Shqipërisë: “Thuaju shqiptarëve që të mos prishin shumë para për kabllograme pasi ne e dimë se Korça dhe Gjirokastra janë shqiptare dhe jo greke.”(Citim: Peter Ktona “Misioni i Federatës Panshqiptare të Amerikës Vatra, dje dhe sot”). Mirëpo Vatra nuk mund të flinte e qetë kur grekët po punonin fort për të bindur ndërkombëtarët se Korça dhe Gjirokastra ishin greke. Për këtë qëllim Vatra dërgoi në Evropë Fan Nolin dhe Faik Konicën dhe nisi të mbledhë mijëra nënshkrime të ortodoksëve. Me këtë rast të gjithë shqiptarët e Amerikës u nënshkruan ortodoksë. Vatra ia arriti të mposhte propagandën e sofistikuar greke, dhe ia arriti të fitojë. Në maj të 1913-ës Shqipëria u njoh si shtet i pavarur me garancinë e Fuqive të Mëdha. Me 17 Dhjetor 1913 Komisioni lëshoi raportin, i cili u nënshkrua më vonë në Firence, i njohur si Protokolli i Firences, që la jashtë trungut Kombëtar, Çamërinë dhe Kosovën.

          Fan S. Noli u kthye nga Evropa më 1915 dhe e gjeti Vatrën të organizuar mirë dhe me 80 degë, gazeta Dielli dilte e përditshme nën drejtimin e Kostë Çekrezit.

      Takimi i Nolit me 4 korrik 1918 me presidentin Amerikan Uilson, ishte një rast i artë për të marrë fjalën presidentit amerikan për t’i dalë krah Shqipërisë në Konferencën e Paqes. Dhe po të mos ishte presidenti Uilson, fati i Shqipërisë do të ishte në udhëkryq.

      Vatra e tregoi fuqinë e saj në konferencën e Paqes, ku organizoi mbrojtjen e Shqipërisë. Aq e ndjeshme ishte lufta e Vatrës, sa kryeministri grek deklaroi: “E vetmja pengesë që hasi Greqia për Vorio Epirin ishte Federata Vatra”.

         Vatra nuk e ndërpreu luftën për shpëtimin e Shqipërisë. Bindja se Shqipëria do të shpëtonte dhe se pavarësia do të rikthehej, ishte aq e fortë sa Vatra nisi përgatitjen e grupeve të ushtarëve vullnetarë për t’i dërguar në Shqipëri. Federata mori me qira mjedise në Boston ku stërviteshin vullnetarët, bijë e vatranëve, të cilët më 1920 nën drejtimin e Aqif Përmetit shkuan në Shqipëri, dhe morën pjesë në Luftën e Vlorës dhe në ruajtjen e kufijve me Greqinë. Ishin 200 vullnetarë, të cilët u shoqëruan edhe nga banda e Vatrës e drejtuar nga profesor Thoma Nassi. Vatra kishte pjesën e vet edhe në Kongresin Kombëtar të Lushnjës. Nëse nuk do të ishte Vatra qeveria e dalë nga Kongresi i Lushnjës do të ishte në hall të madh me arkën e shtetit bosh. Është Vatra ajo që përmes kryetarit të saj, Imzot Nolit, do të siguronte edhe pranimin e Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve. Bëmat e Vatrës është vështirë që të numërohen, janë të shumta. Vatra i shërbeu shtetit të ri edhe në fushën e kulturës dhe të arsimit duke shtypur e dërguar falas në Shqipëri më shumë se 120 mijë libra për nevoja të shkollave shqipe. E gjithë jeta e Vatrës, me gjithë zigzaget e saj, është e mbushur me faqe të çmueshme të shërbesës kombëtare dhe përkushtimit atdhetar. Vatra ka kaluar vështirësi të mëdha, edhe për shkak të qëndrimit të saj nacionalist, antikomunist, por ajo mbijetoi për meritë të përkushtimit dhe të frymës rilindëse që ajo trashëgoi. Pas shkëlqimit në 30 vitet e para të shekullit XX, ajo mbijetoi dhe hyri në shekullin e XXI me shpresa ringjalljeje. Që në fund të viteve ’70 dhe në mes të viteve ’80 ishte dhënë alarmi për të dalë nga gjendja e paralizës ku kishte rënë Vatra, por u desh 100 vjetori i themelimit që shpresa për ringjallje të konkretizohej. I takon këtij kuvendi që të bëjë analizë realiste dhe të përcaktojë piketat për të ardhmen duke e kthyer Vatrën në kuptimin real, leksikor që përmban fjala që ka pagëzuar këtë bashkim të shqiptarëve të Amerikës, fjala “Vatër”. Duke vlerësuar punën e çmuar të vatranëve të vjetër që e mbajtën me mundim e përkushtim çelë derën e saj, brezi i ri që ka vërshuar kohët e fundit duhet të përgatitet, që të marrë përsipër detyra që ta kthejnë Vatrën në nivelin e kohës dhe të kujdesen që ajo të mos shuhet dhe fryma e saj të ngrohë shqiptarët e Amerikës për t’i shërbyer Kombit. Ky Kuvend i ka të gjitha mundësitë që të orientojë vatranët drejt një të ardhmeje më të mirë për të pasur një federatë të fuqishme. Udhë të mbarë Kuvendit të Vatrës!

    1- Komision themelues i Vatres, 28 prill 1912

    2- 100 vjetori i themelimit të Vatrës, shënoi bashkimin gjithëshqiptar në diasporë dhe nga trojet amtare. Nga lutja fetare në darkën e 100 vjetorit të themelimit të Vatrës, 29 prill 2012

    3- Darka e 100 vjetorit në restorantin romantik Chelsea- Piers 60

    4 Cotaili qe u dha para darkës