Bllokim miellit serb dhe atij rus, Panariti: Ndryshime ligjore

    409
    Sigal

    Alarmi për kontaminim detyron shtetin t’i vendosë kufij të rreptë miellit serb dhe rus.

    Ministri i bujqësisë, Edmond Panariti, ka qenë i qartë kur është shprehur për mediat se do të ketë kufizime të forta doganore, kufizime që do përkthehen në ndryshime ligjore.

    “Për  importe që vijnë nga vende jashtë BE-së, si Rusia, Serbia, Ukraina, kriteret do të jenë mjaft rigoroze. Duke filluar që nga kontrollet që në origjinë, verifikim i dokumentacionit shoqërues, kontroll në hyrje doganore me analiza komplekse ndaj radioaktivitetit, kontroll kur shkojnë për tu përpunuar në fabrika dhe kontroll kur shkojnë në furrat e bukës”, u shpreh Panariti. Aktualisht, në furrat e bukës  në Shqipëri nuk ka asnjë  informacion për ingredientët që përdoren në prodhimin bukës. Duke marrë shkas prej kësaj situate ministri Panariti paralajmëron se do të sanksionohen me ligj elementët që do të përdoren në bukën që hamë çdo ditë. “Do të ndalohet me ligj që në përpunimin e miellit dhe përgatitjen e bukës të përdoren ngjyrues, aromatizues dhe konservues të cilët nuk parashikohen nga rregulloret më të fundit të BE-së. Do të dekurojmë edhe përdorimin e lëndëve të cilat përdoren sot, edhe pse nuk janë të dëmshme, por janë lëndë kimike”, vazhdoi më tej Ministri i Bujqësisë. Pavarësisht dyshimeve dhe frikës për cilësinë e miellit dhe grurit, Ministri i Bujqësisë garanton siguri. “Unë i garantoj konsumatorët shqiptarë, që mielli, gruri dhe buka që ata konsumojnë çdo ditë është e sigurtë. Kjo pasi shteti shqiptar ka të gjitha instrumentet, inspektoratet dhe laboratorët për të siguruar kontrollin e grurit që nga origjina deri në momentin kur ai përpunohet”, siguroi konsumatorët Panariti. Shqipëria  importon rreth 70 % të sasisë së grurit që i nevojitet, ndërkohë që në vend prodhohet vetëm 30 %, e ndikuar kjo prej sipërfaqes së kufizuar të tokës.